Basha “çon” çadrën në PPE, kreu i PD mbron tezat e tij

Me një gjuhë që nuk ndryshonte aspak nga ajo e Tiranës, kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, në fjalimin e tij në kongresin e Partisë Popullore Europiane në Maltë e përshkroi Shqipërinë si një vend ku projekti europian është nën presion.

“Faktorët kryesorë të këtij presioni në vendin tim janë krimi i organizuar dhe trafiku i drogës, që po kërcënojnë themelet e bashkjetesës demokratike dhe shtetin ligjor”, tha Basha, transmeton Top Channel.
Basha bëri përgjegjëse qeverinë për renditjen e Shqipërisë si vendin e parë të prodhimit dhe furnizimit të Europes me marijuanë, si dhe për 5-fishimin e kultivimit të drogës vitin e kaluar.

“Ky është projekti politik i maxhorancës socialiste, për të manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet e ardhshme”, tha Basha. Kreu i PD e përshkroi betejën e opozitës në Shqipëri si një betejë në mbrojtje të vlerave europiane.

“Lufta jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme kërkon këputjen e lidhjes mes qeverisë dhe krimit të organizuar. Ja përse vetëm një qeveri teknike mund të përmbushë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke zbatuar ligjin e dekriminalizimit dhe duke luftuar kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve”, shtoi Basha.

Fjalimi i plotë i kryetarit të PD, Basha

“I nderuar president Daul, të nderuar anëtarë të këtij samiti, të nderuar të ftuar. Më lejoni të filloj duke falenderuar mikëpritësit tanë Partinë Nazzjonalista dhe t’u uroj atyre fitore në sfidën që po vjen me zgjedhjet e ardhshme këtu në Maltë.

Projekti europian ndodhet nën presion kudo në Europë dhe është nën presion në Ballkanin perendimor dhe në Shqipëri gjithashtu. Faktorët kryesorë të këtij presioni në vendin tim janë krimi i organizuar dhe trafiku i drogës që po kërcënojnë themelet e bashkëjetesës demokratike dhe shtetin ligjor.

Sipas Europolit, raportit të Departamentit të Shtetit në javën e kaluar, dhe po ashtu raportet e autoriteteve italiane, sot Shqipëria është vendi i parë i prodhimit dhe furnizimit të marijuanës në Europë.

Vitin e kaluar, autoritetet italiane raportuan se kultivimi i drogës është rritur me 5 herë krahasuar me 2015. Vetëm në 17% të territorit që është monitoruar nga ajri nga autoritetet italiane në 2016, u identifikuan 2086 plantacione.

Mijëra njerëz punojnë në këto plantacione që ruhen nga qindra roje të armatosur të punësuar nga krimi i organizuar. Tashmë kjo industri, e cila mbrohet dhe ka lidhje direkte me qeverinë, sipas raporteve ndërkombëtare po prodhon qindra milion euro.

Për më shumë, sipas Europolit dhe raportit të Departamentit të Shtetit mbi narkotikët dhe pastrimin e parave, Shqipëria është kthyer në portën kyçe të shpërndarjes së heroinës kudo në Europë si dhe bazë për operacionet e krimit të organizuar në rajon e në veçanti për pastrimin e parave.

Kjo situatë dramatike është pasojë direkte e veprimeve nga qeveria aktuale socialiste që ka promovuar trafikantë droge dhe njerëz të dënuar në Europën perendimore për akuza të rënda për krim të organizuar, të cilët janë bërë deputetë, kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë publikë.

Ligji për dekriminalizimin i imponuar me vullnetin e Partisë Demokratike dhe Partisë Popullore Europiane, nuk është zbatuar”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button