Aeroporti në Madeira merr emrin e Cristiano Ronaldos

Aeroporti në ishullin portugez Madeira, nga sot mban emrin e futbollistit “Cristiano Ronaldo”, i cili ka lindur në atë ishull, raporton Anadolu Agency (AA).

Përkundër kundërshtimeve të disa politikanëve lokalë, aeroporti në vendlindjen e Ronaldos mori emrin e tij, ndërsa në ceremoninë e riemërimit mori pjesë vet ylli portugez bashkë me nënën, djalin dhe të dashurën, Georgina Rodriguez.

Në mesin e të pranishmëve në ceremoninë në fjalë ishte edhe presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa, kryeministri Antonio Costa dhe zyrtarë të tjerë lokalë.

“Jam i lumtur dhe krenar”, tha Cristiano Ronaldo, i cili për kundërshtimet e politikanëve lokalë dhe disa organizatave joqeveritare tha se janë diçka e zakontë në demokraci.

“Të gjithë kanë të drejtë për mendim personal. Unë nuk kam kërkuar nga ndokush që të vendos emrin tim këtu. Nuk jam hipokrit. Jam i vetëdijshëm se nga sot kam më shumë përgjegjësi”, tha Ronaldo për të shtuar se është krenar që rrënjët i ka nga Madeira.

Presidenti i Portugalisë, De Sousa, nga ana e tij tha se Ronaldo është një personalitet të cilin e admiron e tërë bota, në mesin e të cilëve miliona portugezë.

Ai tha se të emërosh aeroportin sipas një 32 vjeçari është një veprim i rrezikshëm, por i guximshëm në të njëjëtën kohë.

“Ai është një sportist i madh dhe njeri, gjithmonë i lidhur me rrënjët. Ai gëzon besimin e Madeirës dhe Portugalisë”, tha ai, që më vonë bashkë me Ronaldon të shpalos pllakën me emrin e ri të aeroportit.

Nëna e futbollistit, Dolores Aveiro, tha se akti i sotëm është një nder i madh për familjen. Cristiano Ronaldo ka lindur në Funchal, që është kryeqyteti i Madeirës.

Ekonomia e ishullit varet kryesisht nga turizmi, ku Ronaldo ka investuar në projekte të ndryshme. Në këtë drejtim është hapur edhe muzeu i Cristiano Ronaldos. Ajo çfarë e bënë të dashur tek popullata lokale është ndihma e tij financiare për banorët gjatë zjarrit të madh i cili kaploi ishullin në vitin 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button