Krijimi i forcave të armatosura të Kosovës është edhe qëllimi i SHBA-ve

Organizata jo-qeveritare Lëvizja FOL organizoi diskutimin në Forumin FOL Hapur, ku i ftuar ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Greg Delawie, ku për çështjen e transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri tha se “vendimmarrësit në Kosovë duhen të ngadalësohen sa i përket këtij ndryshimi të mundshëm legjislativ”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie gjatë fjalimit të tij tha se SHBA-të kanë investuar kohë, përpjekje, resurse amerikane në ndërtimin e Forcës së Sigurimit të Kosovës. Ai po ashtu nënvizoi faktin se këshilltarët amerikan kanë punuar ngushtë me planifikuesit kosovar për rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë që do të thotë sipas tij që Kosova do të duhej që t’i krijoj edhe forcat e veta të armatosura.

“Krijimi i forcave të armatosura është qëllimi ynë siç është edhe qëllimi i kosovarëve. Por mendojmë se ky krijim duhet të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme në pajtim me rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë dhe në pajtim me këtë udhërrëfyes që është vënë atëherë përmes ndryshimit të kushtetutës pos konsultimeve me të gjitha komunitetet kosovare”, tha ambasadori Delawie.

Ai po ashtu bëri të ditur se i ka nxitur publikisht të gjithë vendimmarrësit në Kosovë që të “marrin pak frymë dhe të ngadalësohen sa i përket këtij ndryshimi të mundshëm legjislativ për transformimin e FSK-së me përkrahjen e komuniteteve dhe aspekteve të shoqërisë kosovare.”

“Mendojmë se qeveria duhet t’i koordinoj hapat për transformimin e FSK-së me SHBA-të, me partnerët e Kosovës në NATO dhe me aleatët e saj, si dhe me shtetet e tjera të Evropës të cilat janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës”, tha Delawie.

Një tjetër prioritetet i SHBA-ve në Kosovë që ambasadori Delawie ka theksuar është forcimi i sundimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit. Sipas tij korrupsioni pengon zhvillimet ekonomike dhe i shmang të gjitha ato investime që janë shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të reja të punës.

Në pyetjen sa i përket marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Delawie në përgjigjen e tij tha se është një marrëveshje e drejtë. Ai po ashtu theksoi se vija kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi e cila është konstatuar nga komisionet shtetërore të Kosovës dhe Malit të Zi ka ekzistuar edhe më herët.

“Ne besojmë se kjo marrëveshje duhet të kalojë dhe të miratohet. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm që ta ndihmojë Kosovën për të ushtruar autoritetin në tërë territorin e saj, por edhe për të ruajtur marrëdhëniet e shkëlqyera me Malin e Zi “, tha ambasadori Delawie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button