“Deponia e egër” po mbushet, ndërsa Institucionet premtojnë se deri në maj do të pastrohet

Në vend se të zvogëlohet “deponia e egër” në Tetovë ajo vazhdimisht përhapet. Në fotografitë dhe në videot të cilat janë publikuar dje nga Organizata Joqeveritare e Ekologjisë “Eco Guerilla”, mund të vërehet se me grumbullin e mbeturinave është mbushur edhe ura në hyrje të qytetit, që deri tani nuk ishte, shkruan Radiomof.mk, përcjell Portalb.mk.

Arianit Xhaferi nga “Eco Guerilla” duke komentuar për situatën tha se Tetova viteve të fundit e bën pritjen më të shëmtuar.

“Është e turpshme të kemi “deponi të egër” në hyrje të qytetit dhe pas katër viteve të administrimit të komunës aktuale, dhe sigurisht mbeturinat në urë janë mirëseardhja më e shëmtuar në Tetovë për gjithë ne”, konsideron Xhaferi.

Drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Tetovës, Xhelal Ceka, në një deklaratë telefonike njoftoi se mbeturinat nuk janë hedhur nga Shërbimet Komunale të Tetovës, por nga kamionë të panjohur të komunave tjera. Në lidhje me “deponinë e egër”, ai informoi se do të formohet stacion për mbledhjen e mbeturinave dhe beson se deri në fund të prillit më në fund do të zhduken.

“Besoj se deri me 15 prill, maksimum deri me 20 prill do ta vëmë në përdorim stacionin e mbeturinave. Punimet janë nga fundi. Pastaj do na duhen 5 deri 10 ditë që plotësisht t’i pastrojmë mbeturinat, të cilat dal ngadal kemi filluar që t’i zhdukim, jam i sigurte se deri në fund të prillit do ta zhdukim komplet deponinë”, tha Ceka në deklaratën për Radio MOF.

Edhe përkundër asaj se qytetarët e Tetovës marrin premtime të pafund se do të sigurohet stacion për ngarkesë të mbeturinave, situata me “deponinë e egër” mbetet e njëjtë.

Nga komuna, vitin e kaluar në gusht deklaruan se stacioni për ngarkesën e mbeturinave, ku në vend të mbyllur do të mblidhen para se të transportohen në deponitë rajonale do të jetë gati për tri muaj.

“Kemi arsye të pafund që të jemi skeptik dhe të mos besojmë se deponia do të pastrohet, por njëkohësisht duhet të mos e humbim edhe atë fije shpresë që e kemi, se për shkak zgjedhjeve lokale të cilat duhet të mbahen këtë vit do të ndërmerret diçka konkrete dhe se më në fund Tetova do të jetë qytet pa deponi në hyrje”, shtoi Xhaferi.

“Deponia e egër” përhap erë të keqe dhe shkakton rrezik në shëndetin e njerëzve sepse mbeturinat shpesh digjen. Vitin e kaluar ka pasur edhe protesta nga qytetarët të cilët jetojnë afër ku kanë thënë se deponia paraqet turp për qytetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button