“Udhërrëfyesi” i Gruevskit, i papranueshëm për partitë parlamentare shqiptare

Udhërrëfyesi  i publikuar dje nga partia e Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, si mënyre për dalje nga kriza politike, është i pa pranueshëm për partitë parlamentare shqiptare. Ata vlerësojnë se Gruevski nuk ka kredibilitet për të ofruar zgjidhje, ndërkaq pranimi i një dokumenti të tillë, do ta thellonte edhe më shumë krizën, njofton Portalb.mk.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), zbatimin e të njëjtës e vlerëson si izolim të Maqedonisë, si në aspekt politik, por edhe atë ekonomik.

“Kjo mënyre e zgjidhje së krizës politike e propozuar nga VMRO-DPMNE aspak nuk ka të bëjë me zgjidhje të saj, përkundrazi ajo do ta thellojë edhe më shumë atë. Udhërrëfyesi nuk paraqet asgjë tjetër më shumë se sa tërheqje e vëmendjes drejt VMRO-DPMNE-së”, tha anëtari i kryesisë qëndrore e BDI-së, Rafiz Aliti.

Lëvizja BESA vlerëson se ky “dokument” nuk duhet të shqyrohet pasi që partia nuk është e denjë që të ofrojë zgjidhje për dalje nga kriza politike.

“Dokumentin që e publikoi dje VMRO-DPMNE-ja nuk duhet të shqyrtohet ngaqë ajo si parti nuk është e denjë të ofrojë zgjidhje për dalje nga kriza. Bashkë me partnerin e tyre shqiptar janë faktori dhe fajtori kryesor që shteti sot gjendet në këtë krizë. Gjithçka çfarë kanë pasur për të propozuar e kanë bërë gjatë viteve në pushtet, pasojat e së cilës po i vuajmë edhe sot e kësaj dite”, tha  zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani.

Edhe për Aleancën për Shqiptarët, VMRO-DPMNE-ja nuk paraqet ndonjë faktor që të ofrojë “udhërrëfyes” për Maqedoninë, dhe se sipas saj me rëndësi parësore është që kjo parti të pranojë fillimisht Platformën Shqiptare.

“VMRO-DPMNE-ja nuk është në gjendje që të ofrojë udhërrëfyes për vendin. Është mirë që ato kanë filluar të reflektojnë, por së pari mirë do të ishte sikur ta pranonin Platformën Shqiptare”, tha për Portalb, Vesel Memedi.

Edhe pse deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Bardhyl Dauti dhe zëdhënësi, Luan Tresi, ishin i pakapshëm për Portalb, Dauti në një deklaratë për TV 21 bëri të ditur se retorika që zhvillohet kohëve të fundit nga blloku politik maqedonas ka për synim keqbërjen ndaj shqiptarëve dhe kjo sipas tyre duhet të ndalet.

“Konstatimi im është se politik bërja maqedonase varet tërësisht nga keqbërja ndaj shqiptarëve, d.m.th. debati zhvillohet mbi bazë të kësaj hipoteze. Kjo duhet definitivisht të ndalet në emër të kultivimit të kulturës institucionale në kampin politik maqedonas, dhe në anën tjetër në emër të kultivimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve në kampin politik shqiptarë”, u shpreh Bardhyl Dauti.

Përndryshe, “udhërrëfyesi” i VMRO-DPMNE-së i përmban pesë pika:

E para ka të bëjë me praktikën “fituesi me fituesin” si faktor stabiliteti në Maqedoni.
E dyta  se si pranohen agjendat e huaja në çështjet e brendshme politike.
E treta është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë e cila sipas tyre duhet t’i takojë koalicionit apo partisë politike që ka fituar në zgjedhje.
E katërta është çështja e barabartësisë etnike për të cilën, sipas VMRO-DPMNE-së duhet të pajtohen të gjithë aktorët politik me qëllim të mbajtjes së modelit multi-kulturor.
E pesta ka të bëjë me atë se, a është për momentin prioritet kryesor stabilizimi i shtetit, institucioneve, ekonomisë dhe reformave evropiane për euro- integrime si fuqi e bashkuar për të gjithë qytetarët apo të gjithë këto prioritete duhet të ndërrohen me ridefinim të raporteve mes komuniteteve dhe rregullimin e Republikës së Maqedonisë?.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button