Trump nënshkroi dekretin për mjedisin: Kam ndërprerë luftën kundër qymyrit

Presidenti amerikan Donald Trump sot nënshkroi dekretin për mjedisit i cili do të rishikojë një nga masat kryesore të paraardhësit të tij, Barack Obama, raporton Anadolu Agency (AA).

Bëhet fjalë për planin e energjisë së pastër i cili kërkon nga termocentralet reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit.

Me rastin e nënshkrimit të dekretit për mjedisin në selinë e Agjencisë të Mbrojtjes së Mjedisit (EPA). Trump theksoi se ka për qëllim “të ndërpresë luftën kundër qymyrit” dhe asnjëherë nuk potencoi çështjen e ndryshimeve klimatike.

“Kjo rregullore do të heqë kontrollet e shumta të qeverisë federale, do të kthejë liritë ekonomike, do të lejojë, pas një kohe të gjatë, pasurimin e kompanive dhe punëtorëve në kushte të barabarta dhe do të ndihmojë konkurrencën dhe arritjen e suksesit”, ka thënë Trump.

Dekreti i ri kërkon rishikimin e planit të Obamës për energjinë e pastër që kufizon emetimet e gazeve serrë në centralet me qymyr. Masat e lartpërmendura parashohin reduktimin e emisioneve të dioksidit të karbonit me 32 për qind deri në vitin 2030, i cili në fund do të çojë në mbylljen e centraleve me qymyr.

Dekreti i fundit shfuqizon edhe moratoriumin 14-muajsh për marrje me qera të tokës federale për ekploatimin e qymyrit.

Trump më parë ngrohjen globale e ka quajtur një mashtrim të madh. Ai pati paralajmëruar edhe dekretin e miratuar, duke thënë se shfuqizimi i rregulloreve të lartpërmendura do të kontribuojë në përparimin e rëndësishëm të prodhimit të naftës, gazit dhe qymyrit dhe kështu të ndihmojë në hapjen e mijëra vendeve të reja të punës për amerikanët.

Kompani të shumta kanë përshëndetur hapin e administratës Trump, ndërsa aktivistët e mjedisit kanë dënuar dekretin e fundit.
Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit kanë njoftuar më parë se një rregullore e tillë është e rrezikshme, duke shtuar se do t’i drejtohen gjykatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button