Gazeta Di Cajt: Gruevski nuk dorëheqet nga sistemi prej gangsteri

Tensionet në Maqedoni mund të eskalojnë, paralajmëron gazeta Di Cajt duke akuzuar për të ish kryeministrin Nikolla Gruevksi dhe refuzimin e tij që të dorëheqet nga pushteti. Evropa duhet ta drejtojë shikimin kah Ballkani, transmeton DW, përcjell Portalb.mk.

“Kriza në Maqedoni, nacionalizimi në Kosovë, 180 ministrat e Bosnje Hercegovinës. Evropa ka kthyer kokën dhe rajonin ia lëshoi Rusisë”, përfundon në kolumnën e tij në gazetën Di Cajt, gazetari dhe kryeredaktori i mëhershëm i gazetës, Teo Zomer.

Duke i rikujtuar luftërat ballkanike si dhe ato të Jugollavisë në fund të shekullit të kaluar, Zomer konstaton se “Politika e lartë sërish e harroi Ballkanin”.

“Evropa para dy dekadave shkoi që të evropianizojë Ballkanin. Por ndodhi e kundërta: Evropa tash atakohet në gjendje të ballkanizimit. Dhe sërish e ktheu kokën dhe Ballkanin ia lëshoi historisë së saj problematike: nacionalizmit helmues, ambicies territoriale dhe çmendurisë entike”.

“(…) Tashmë tre vjet zihet në Maqedoni. Tensionet ndërmjet shumicës së bllokut maqedonas dhe pakicës së bllokut shqiptar arriti në pikën e saj kulmore pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Kryeministri Nikolla Gruevski edhe përskaj rezultatit zgjedhor refuzon ta jep pushtetin. Ai nuk do të dorëheqet nga sistemi prej gangsteri për ndarje të parave shtetërore. Disa vëzhgues vlerësojnë se kriza shtetërore mund të shndërrohet në luftë qytetare. “Mos luani me zjarr”, porositi eurokomesarja Federika Mogerini. Në paralajmërimin e saj theksohet edhe frika se mund të shkatërrohet edhe barriera kundër emigrantëve të cilët udhëtojnë drejt Evropës”, shkruan Zomer.

Në Ballkanin Perëndimor, gjeneralisht, demokracia shkon në regres në vend të përparimit, përfundon kolumnisti i Di Cajt. Por, trendi i dytë problematik, sipas analizës, është kthimi i gjeopolitikës, respektivisht “rivaliteti i fuqive të mëdha në pikën e dobët të Evropës”.

“Kryetari i Turqisë, Erdogan tenton që me anë te politikës së tij neo- osmanlike të rikthejë ndikimin në Lindjen e Afërt dhe në Azinë Qendrore, por edhe është mysafir nderi në vendet pushtuese të dikurshme të Ballkanit. Rusët nën udhëheqje të Putinit tentojnë të kthejnë ndikimin e mëhershëm në shtetet ortodokse. Në Serbi, me të cilën ka marrëveshje për partneritet strategjik, merr pjesë në luftërat manovre ndaj Kroacisë. Në Bullgari dhe Maqedoni është rritur dashamirësia ndaj Kremlinit”.

“(…) Por çfarë bën Evropa? Sërish shikon anësh. Në rendin e parë shikon verilindjen e Evropës Qendrore, Baltikun dhe Ukraninën. Ju jep miliarda shteteve ballkanike, tregtia e të cilave më së shumti zhvillohet drejt Bashkimit Evropian. Por duhet të veprojë më shumë, nëse nuk dëshiron që Ballkani të bëhet sërish një kovë baruti. Duhet përsëri të sheh, në vend se ti mbajë sytë mbyllur”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button