Skandali me mishin në Brazil, bie eksporti për 19 për qind

Pas skandalit me mishin që ndodhi në Brazil, eksporti i mishit është zvogëluar për 19 për qind, ndërsa edhe dy fabrikave të tjera u është ndaluar prodhimi i mishit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga Ministria e Industrisë, Tregtisë së Jashtme dhe Shërbimeve, eksporti i mishit që kapte vlerën ditore prej 62.2 milionë dollarë, theksohet të ketë rënë në 50.5 milionë dollarë pas operacioneve kundër “mishit të prishur”. Në njoftim thuhet se kjo humbje përkon me normën 19 për qind.

Ndërkaq, në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë bëhet e ditur se edhe në dy fabrika të tjera është ndaluar prodhimi i mishit si rezultat i inspektimeve, me ç’rast është rritur në gjashtë numri i fabrikave të cilave u ndalohet prodhimi i mishit me ndalesën e fundit.

– Efekti i Kinës dhe Hong Kongut në rënien e eksportit brazilian

Kina dhe Hong Kongu, importuesit më të mëdhenj të mishit të prodhuar në Brazil, kanë luajtur rol të madh në rënien e eksportit të Brazilit me vendimet e marra për kufizimin e importit pas operacioneve në Brazil.

Kufizimi i Kinës mbi importin e mishit të prodhuar në Brazil kufizohet vetëm në kompanitë e përfshira në operacion, ndërsa Hong Kongu vazhdon me ndalesën e përgjithshme të importit.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian do t’i rishqyrtojë vendimet për kufizim pas takimeve që do të realizojë në vend Komisioneri Evropian për Shëndetësi dhe Siguri ushqimore i cili këtë javë do të dërgohet në Brazil.

Ndryshe, Policia Federale e Brazilit më 17 mars nisi operacion, me ç’rast u konstatua se inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë kanë pranuar ryshfet për t’u lejuar prodhimin fabrikave të papërshtatshme dhe se shumë kompani kanë shitur brenda dhe jashtë vendit mish të prishur apo me afat të skaduar duke u shtuar substanca kimike.

Ndërkaq, hetimi në Brazil, që njihet si një nga eksportuesit më të mëdhenj të mishit në botë, nisi ndaj 21 kompanive nën akuzat se kanë ndryshuar datën e skadimit të afatit dhe se mishit i kanë shtuar substanca kimike dhe ujë.

Pas daljes në pah të skandalit, shumë shtete sollën kufizime të importit të mishit nga vendi, teksa Bashkimi Evropian dhe disa shtete ndaluan importin përkohësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button