ANALIZË: TVSH-ja për persona fizikë – zgjidhje jokushtetuese?

Krijohen obligues të vegjël tatimorë – mirëpo me ngarkesë shumë të madhe. Nuk ndalen reagimet pas hapit për tatimimin e personave fizikë me TVSH, të cilët në bazë të punëve plotësuese kanë realizuar të ardhura më të mëdha se 16.000 еuro. Me qëndrimet e tyre u paraqitën edhe ekonomistët dhe ekspertët tatimorë. Vlerësimi është se kjo zgjidhje është e gabuar për disa aspekte, e një pjesë madje konsiderojnë se është edhe jokushtetuese, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Ngarkesë e madhe – efekte të vogla financiare…

Sipas informatave të “Portalb”-it, këto ditë në adresë të personave fizikë tashmë kanë ardhur vendimet për pagesën e TVSH-së në bazë të të ardhurave të realizuara plotësuese në vlerë më të madhe se 2 milionë denarë. Tani pragu për tatimim në bazë të TVSH-së u zvogëlua në 1 milionë denarë. Gabim është ajo që të ardhurat për të cilat paguhet tatim personal, tani të tatimohen edhe me TVSH, konsiderojnë ekonomistët.

“Zgjidhja ligjore me të cilën personat fizikë që realizojnë të ardhura mbi 1 milionë denarë bëhen obligues tatimor të TVSH-së është e gabuar, për shkak se kjo është në kundërshtim me konceptin e TVSH-së, e poashtu edhe me konceptin e tatimit personal për të ardhurat. Tatimi i vlerës së shtuar dhe tatimi personal i të ardhurave  (TPA) janë dy tatime të ndryshme dhe dy koncepte të ndryshme. Njëri nuk mund të plotësohet me tjetrin për shkak se TVSH-ja është tatim indirekt që paguhet në tregti, ndërsa TPA është tatim i drejtpërdrejtë që paguhet nga të ardhurat. Më konkretisht, çdo tregti me mallra ose shërbime tatimohet me TVSH. Pastaj, personat juridikë që janë korporata, në profitin që e kanë realizuar paguajnë tatim në fitim (ky është tatimi i personit juridik), ndërsa të gjithë personat e tjerë fizikë paguajnë tatim personal të të ardhurave nga të ardhurat e realizuara në bazë të pronësisë dhe faktorëve të prodhimtarisë. Ndarja e këtillë është shumë e qartë dhe e kuptueshme.” – thotë profesori universitar, Predrag Tërpeski.

Reagime të mëdha pati edhe nga ekspertët tatimorë. Nuk është mirë kur zgjidhet prag i ulët për obliguesit tatimorë – persona fizikë, për shkak se ata ngarkohen edhe në aspekt administrativ edhe me shpenzime të reja – ndërsa efektet në fund megjithatë janë kontestuese, konsiderojnë një pjesë e ekspertëve.

“Tani kemi rast të shumë obliguesve të vegjël tatimorë, e ata do të duhet të plotësojnë fletëparaqitje tatimore, të paguajnë këshilltarë tatimorë, ndërsa të ardhurat që mblidhen në arkën shtetërore janë të vogla. Gjithsesi, çdo denar në arkën shtetërore është i rëndësishëm, mirëpo duhet të merret parasysh edhe shpenzimi për t’u realizuar kjo e ardhur. Duhet të bëhet analizë se sa janë të ardhurat dhe sa janë shpenzimet” – thotë eksperti tatimor, Trajan Nikollovski.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe kolegu i tij, Pavle Gacov, i cili për “Portalb”-in sqaroi se në esencë ligjet nuk kanë ndryshuar, mirëpo ka ndryshuar definicioni për “veprimtari ekonomike” që praktikisht krijoi mundësi që edhe personat fizikë – qytetarët që fitojnë më shumë se 1 milionë denarë në vit nga kontratat autoriale, kontratat në vepër dhe anëtarësitë në këshillat drejtues të përfshihen në këtë definicion, vlerësojnë ekonomistët.

“Për pastrimin e “mjegullës” se pikërisht pragu i regjistrimit është shkaku kryesor për përfshirjen e qytetarëve në sistemin e TVSH-së, potencojmë se në të kaluarën, kur ky prag ishte 2 milionë denarë, e pastaj 1,3 milionë, edhe atëherë ai u tejkalua nga ana e disa qytetarëve, mirëpo ata nuk ishin të përfshirë në sistemin e TVSH-së. A ka qenë atëherë organi tatimor i paditur apo qëllimisht i ka shkaktuar dëm buxhetit të RM-së? A do të ketë pasoja për të mëparshmit që e kanë lexuar “keq” ligjin? Potencojmë se definicioni i kategorisë “i obliguar tatimor” për qëllimet e TVSH-së nuk është ndryshuar që nga dita e parë e zbatimit të Ligjit për TVSH (1 prilli i vitit 2000) deri më sot” – thotë ekonomisti Pavle Gacov, kryetar i Shoqatës së ekspertëve tatimorë.

Përderisa shteti përpiqet të gjejë “burim” të ri për mbushjen e arkës shtetërore, ekonomistët theksojnë se me këtë veprim shkelen parimet themelore tatimore.

“Me ndryshimet ligjore prishen kufizimet e këtilla dhe paraqiten paqartësi, e kjo është në kundërshtim me njërin nga parimet themelore tatimore. Në fakt, obliguesi tatimor duhet t’i ketë të qarta dispozitat ligjore dhe ai duhet ta dijë se çka paguan. Tani kemi situatë kur personat fizikë marrin vendime nga DHP-ja me të cilat njoftohen se janë të obliguar me TVSH dhe se duhet të paguajnë TVSH. Në vitin 2017 duhet të paguajnë TVSH për vitin 2015, për të ardhurat për të cilat kanë paguar TPA. Ata si të obliguar me TVSH nuk kanë mundësi t’i shfrytëzojnë dispozitat e tjera të Ligjit për TVSH. Nuk është kontestuese se personat fizikë që janë të regjistruar për të kryer veprimtari ekonomike dhe të cilët kanë realizuar mbi 1 milionë denarë mund të jenë të obliguar me TVSH, për shkak se ata janë në situatë që të mund ta zbatojnë gjithë konceptin e TVSH-së” – thotë profesori Tërpeski dhe shton:

“Nga ana tjetër, përsëri parashtrohet pyetja për kushtetutshmërinë e kësaj zgjidhjeje ligjore. Të ardhurat të cila tashmë janë tatimuar me PDA, tatimohen edhe me TVSH. Edhe pse Gjykata Kushtetuese e refuzoi iniciativën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së kësaj zgjidhjeje ligjore, megjithatë, ajo duhet të shqyrtohet edhe një herë. Pa marrë parasysh faktin se ligjdhënësi, që të mundësojë zbatueshmëri të kësaj zgjidhjeje ligjore, ka bërë përpjekje të definojë se çka është tregti, megjithatë zgjidhja ka shkuar në drejtim të gabuar dhe duhet të ndryshohet”.

Edhe një rrezik për të cilin paralajmërojnë ekspertët tatimorë është “kundër-efekti” i hapit të këtillë. Në fakt, në vend që të rriten të ardhurat në buxhet mbi këtë bazë, tani do të mund të zvogëloheshin si pasojë e një evazioni tatimor. Personat fizikë, që t’i shmangen pagesës së TVSH-së ka mundësi që të ardhurat t’i adresojnë në pranues të tjerë, që do të shkaktojë efekt krejtësisht të kundërt nga ai që është dëshiruar. TVSH-ja është njëri nga tatimet kryesore nga i cili sigurohet edhe pjesa më e madhe e të ardhurave tatimore. Kështu, vitin e kaluar, si rezultat i TVSH-së, në arkën shtetërore janë derdhur 770.000 еuro që paraqet pothuajse 50% të të ardhurave të përgjithshme tatimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button