Të paktën 16 persona humbën jetën në një sulm ajror në një burg sirian

Së paku 16 vetë janë vrarë gjatë sulmeve ajrore të mbrëmshme në një burg në Idlib të Sirisë, që është nën kontroll të kryengritësve, ka njoftuar sot Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri.

Ndër të vrarë ka persona të burgosur dhe anëtarë të personelit të burgut.

Forcat e qeverisë së Sirisë i kanë bombarduar fuqishëm kryengritësit në Idlib, që është njëra nga bazat më të rëndësishme të tyre. Kryengritësit synojnë përmbysjen e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, transmeton REL.

Pjesë të provincës Idlib janë nën kontroll të kryengritësve të mbështetur nga Turqia, përfshirë, Armatën e Lirë Siriane, derisa hapësirat e tjera dominohen nga grupe të linjës së fortë.

Kryeqyteti i kësaj province me të njëjtin emër, Idlib, kryesisht është nën kontroll të grupit Jabhet Fatah al-Sham, i ndërlidhur me al-Kaedën.

Idlibi rregullisht ishte në shënjestër të sulmeve ajrore nga Rusia dhe qeveria e Sirisë, ndërsa sulme ishin lançuar edhe nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që lufton kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Rusia, aleati kryesor i qeverisë së Sirisë, prej shtatorit të vitit 2015, ka ndërmarrë sulme ajrore në Siri.

Nga ky konflikt gjashtëvjeçar në Siri janë vrarë më se 320 mijë njerëz.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button