Krizën politike, Maqedonia po e paguan me krizë ekonomike

Kriza politike e stërzgjatur me vite shkaktoi rritjen e  borxhit publik, zhvilloi në vlera minimale ekonominë saqë e dërgoi atë në regres, ndërsa në vitin 2016 uli edhe investime e huaja e që kjo do të shkaktojë krizë ekonomike më të madhe gjatë vitit 2017, kështu vlerësuan për Portalb eksperti i ekonomisë Abdulmenaf Bexheti dhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, Milaim Ameti.

“Stabiliteti politik është parakusht për zhvillimin dhe rritjen ekonomike dhe pa një parakusht të tillë as që mund të pritet plotësimi i kushteve të tjera. Në këto rrethana se çfarë cilësimi mund të bëhet në kuptimin e matjes së madhësisë, se sa ka ndikuar kriza politike në zhvillimin e ekonomisë, mund të marrim parametrat bazike ekonomike të cilat mund të shohim se kemi norma më të ulëta të rritjes ekonomike, kjo rritje ekonomike është gjithnjë dhe më pak cilësore pa i llogaritur këtu edhe kostot që i ka kriza politike”, tha Abdulmenaf Bexheti.

Sipas tij, kriza politike dërgoi edhe në rritjen e borxhit publik e cila ka tejkaluar përmasat e kapaciteti qoftë fiskal por edhe të brutoprodhimit vendor e që të gjitha bashkërisht ndikojnë edhe në nivelin e borxhit publik e që sipas kriterit të Mastriktit ajo duhet të jetë 61%, kurse Maqedonia përfshihet me 51%.

“Borxhi publik ka tejkaluar përmasat e normalitetit në krahasim me kapacitetin fiskal që e posedon Maqedonia. Pavarësisht se normat normale akoma janë të ulëta, ku sipas kriterit të Traktatit të Mastriktit ato duhet të jetë 61% ndërsa Maqedonia është në vlerën prej 51%, sërish themi kjo përqindje përfshin borxhin e padukshëm dhe se edhe nëse 51% paraqet vlerë përfundimtare, sërish ai është borxh shumë i lartë nëse marrim parasysh kapacitetin akumulues dhe fiskal që e posedon Maqedonia. Gjithmonë duhet të merret parasysh sa ka aftësi gjeneruese që të përballojë atë. Tjetër element i përfshirë në borxh janë edhe kostot fiskale të cilët përkapin shumën prej 140-150 milion euro në vit. Nëse 1,5 përqind e brutoprodhimit vendor shkon për borxhin publik, kjo paraqet një moment tensionues dhe paraqet një shenjë se situata me borxhin e Maqedonisë, me këtë edhe ekonominë në përgjithësi është alarmante kohës së fundit”, tha Abdulmenaf Bexheti.

Shkupi, foto nga Robert Atanasovski
Shkupi, foto nga Robert Atanasovski

Milaim Ameti nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore për Portalb tregon të dhëna sa i përket përqindjes së brutopordhimit vendor, e cila gjatë vitit 2016 ka arritur 2.5 përqind (ndërsa nga Qeveria ishte paraparë që ajo të arrijë vlerën prej 3.7 përqind) dhe që tërë kjo ka ndikuar edhe në pengesën e qarkullimit të mallrave dhe parave duke bërë kështu që edhe ekonomia të zhvillohet në vlera minimale apo edhe negative.

“Kriza e stërzgjatur politike në Maqedoni ndikon negativisht edhe në zhvillimin ekonomik. Kjo mund të shihet qartë edhe nëpërmjet statistikave të fundit ku rritja ekonomike nuk është më e lartë se 2.5 përqind e brutoprodhimit vendor edhe pse qeveria në ikje parashikoi rritje të ekonomisë për 3.7 përqind. Viti 2017 parashihet të jetë edhe më i vështirë në pikëpamje të zhvillimit ekonomik në krahasim me vitin 2015 dhe 2016. Ngecja në zhvillimin ekonomik mund të kuptohet edhe nëpërmjet qarkullimit të lirë të mallrave dhe parave e të cilat kohëve të fundit kanë pësuar ulje të dukshme si pasojë e së cilës kompanitë hezitojnë të investojnë, ku kemi edhe ulje të konsumit në vend. Tërë kjo rritje minimale ose edhe negative ka ardhur si rezultat i krizës politike të garniturës së deritanishme qeverisëse, pasi që bazamenti i zhvillimit ekonomik është zhvillimi politik”, tha Ameti.

Nga OEMPV-ja bëjnë thirrje në emër të kompanive bashkëpunëtore që sa më shpejtë të kemi formim të Qeverisë, që të kenë orientim të qartë se kah ti drejtojnë pyetjet për problemet me të cilat përballet ndërmarrësia nga ku biznesi do të zhvillohej si në shtetet normale.

Para disa ditëve Enti Shtetëror i Statistikës ka dalë me të dhëna se kemi rritje të numri të ndërmarrjeve private për 1.9% por se në të nuk ka të dhëna se sa ndërmarrje kanë pësuar humbje dhe sa prej tyre janë ende aktive edhe pse figurojnë në listën e ndërmarrjeve. Por kjo sipas Ametit nuk paraqet ndonjë tregues se ekonomia po shkon në drejtimin e duhur.

Ndërsa në një analizë të borxheve shtetërore të rajonit, Maqedonia u paraqit me borxh në vlerë prej 3.4 miliardë eurosh deri në vitin 2016, që i bie 38 përqind e bruto-prodhimit vendor.

Borxhi publik dhe shtetëror përfshinë mjetet të cilat shteti i huazon për të zvogëluar deficitin shtetëror.

Bëhet fjalë për mjet financiar i cili përkap elemente të të ardhurave dhe shpenzimeve publike, meqë në momentin e ndërprerjes së marrëveshjes për kredi ajo paraqet e hyrë, në momentin e shlyerjes së borxhit paraqet shpenzim për shtetin.

LEXO: Investimet e huaja në Maqedoni – premtime shumë realizime pak

LEXO: OEMVP: Zgjedhjet e reja do ta shkatërrojnë ekonominë e Maqedonisë

LEXO: OEMVP: Vit i zymtë ekonomik, Qeveria disa herë ka refuzuar lehtësim të tregtisë me Kosovën

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button