Kasami: Tirana ishte paradë, që shfrytëzohet si alibi

Intervistë me Bilall Kasamin, kryetar i Lëvizjes BESAe “Civilalb

CIVIL Media: Si e vlerësoni gjendjen momentale në vend? Vallë ka dalje nga kriza dhe cilat janë propozimet tuaja për këtë?

Kasami: Vërtetë që Maqedonia është në një situatë të rëndë, ku kanë rënë të gjithë institucionet e shtetit, ku presidenti i shtetit, në vend që të luajë rolin të cilin ja kanë caktuar qytetarët, ai po bën anime jo vetëm politike, por po mundohet që të marrë anën e vetëm një etniteti. Dhe, kjo e rëndon më së shumti situatën, sepse në momentin në të cilin gjendet Maqedonia, presidenti i shtetit është ai, i cili mund të jetë, të themi, në anën e zgjidhjes së problemit apo në anën e thellimit të krizës institucionale, në të cilën gjendet Maqedonia.

Vërtetë që faktori ndërkombëtar, me vizitat e rregullta që i bën këtu në Maqedoni, po mundohet që të kontribuojë për dalje nga kriza në të cilën gjendemi, por, besoj se të gjitha partitë politike, edhe elitat intelektuale dhe politike, janë të vetëdijshme se ndihma e faktorit ndërkombëtar është vetëm për të lehtësuar proceset këtu, por përgjegjësia kryesore bie mbi ne dhe, ne duhet të reflektojmë dhe në duhet të marrim vendime të rëndësishme, vendime të guximshme, vendime, të cilat, para interesave tona personale dhe partiake, do t’i vendojnë interesat e qytetarëve dhe interesat e shtetit.

Fatkeqësisht, jo të gjithë politikanët po rezonojnë kështu, duke i pasur parasysh interesat e tyre klanore për të mbrojtur vetveten, duke e keqpërdorur pozitën, të cilën e kanë fituar në këto 10 vitet e fundit.  Besoj që me një presion të vazhdueshëm të miqve tanë nga Bashkimi Evropian edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këta liderë politik do ta kuptojnë se nëse ne si shtet dhe qytetarët e këtij vendi nuk jetojnë më mirë, nuk ju vlen nëse ata do të jetojnë më mirë. Prandaj, një ditë e më shpejt, të zgjidhet kriza, një ditë e më shpejt, të merren vendime të cilat janë në interes të qytetarëve. Besoj se kjo do të jetë më e mira, të cilën mund ta bëjë çdo politikan, për ardhmërinë e qytetarëve, të fëmijëve tanë dhe të shtetit.

CIVIL Media: Deklarata e përbashkët e partive shqiptare u bë shkas që presidenti Ivanov të mos e japë mandatin, duke e vlerësuar atë si përzierje të Shqipërisë në punë të brendshme të Maqedonisë. Ka shumë informata kundërthënëse lidhur me këtë deklaratë. Është nënshkruar ose jo, ku është nënshkruar, cili ka qenë roli i Tiranës në këtë dokument, si u hartua përmbajtja e tij, për çfarë konkretisht u morët vesh me partitë tjera që morën pjesë ? Mund të na thoni drejtpërsëdrejti se cila është e vërteta për këto dilema, ja, nga dora e parë, si pjesëmarrës në këtë proces?

Kasami: Jemi të vetëdijshëm se intenca e të gjithë kësaj, në të cilën gjendet Maqedonia sot, ka të bëjë me mbrojtjen e disa individëve nga përgjegjësia dhe llogaridhënia. Dhe, kur e ke këtë qëllim primar, se si të shpëtosh vetveten, atëherë do të gjesh gjithmonë arsyetime, që të mund të mobilizosh forca të caktuara, për të arritur në qëllimin, të cilin e ke.

Deklarata e partive parlamentare shqiptare – për të qenë më të saktë, jo të gjitha partitë parlamentare shqiptare e përkrahën këtë deklaratë, e nënshkruan këtë deklaratë – ka të bëjë me nevojat etnike, apo me kërkesat kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë, kërkesa të cilat janë grumbulluar si kërkesa permanente për këto 25 vjet të tranzicionit të sistemit nga ai monist në demokratik. Dhe, vërtetë që, të merret si alibi një deklaratë me kërkesa shumë legjitime, kërkesa të cilat janë në kuadër të Kushtetutës së Maqedonisë, por edhe ndryshimet të cilat kërkohen, kërkohen me procedura të cilat janë të parapara me Kushtetutë dhe me ligjet e Maqedonisë, vërtetë që nuk është e ndershme. Të kërkohet që të protestohet kundër të drejtave të bashkëqytetarëve me të cilët jetojmë, me të cilët mendojmë të jetojmë në të ardhmen, vërtetë që është e pandershme, nga ata politikanë të cilët po mundohen që qytetarët t’i keqpërdorin për të mbrojtur krimet e tyre.

Deklarata është harmonizuar dhe është përgatitur këtu në Shkup dhe është publikuar nga selitë e partive politike – përkrahëse të saj, këtu në Shkup më 7 janar. Ajo që ishte në Tiranë ishte thjeshtë një kërkesë, t’i themi, e disa liderëve politik shqiptarë këtu, të cilët, edhe pse ne i llogarisim si fajtorë, bashkëfajtorë për situatën në të cilën gjendet Maqedonia, ata, duke u munduar që të shpërlajnë veten nga korrupsioni dhe keqpërdorimet e pozitës, po mundoheshin që të gjejnë mënyra që, kushtimisht, të iniciojnë, të themi, aktivitete ku do të fotografoheshim bashkë, të themi, kryetari i Besës dhe kryetarët e këtyre partive, që pastaj të bëjnë propagandat e tyre se këta janë të njëjtë si ne dhe nuk ka nevojë që të kërkoni alternativa të reja politike.

Dhe, ne e kemi thënë botërisht që fajtor për situatën, në të cilën gjendet Maqedonia, po aq sa është VMRO dhe lideri i saj, po aq janë edhe lidershipi i Bashkimit Demokratik për Integrim.  Dhe, deri sa ata nuk japin argumente të besueshme se janë në anën e zgjidhjes së problemit, e jo në anën e thellimit të krizës, ne nuk jemi të gatshëm që të pranojmë çfarë do lloj iniciative nga ata për dalje nga kriza, sepse vlerësojmë se ende punojnë për mbrojtje të kriminelëve dhe të korruptuarve.

Prandaj, Deklarata, thjeshtë, apo parada që u bë në Tiranë, ishte si një kërkesë e këtyre elitave politike, të cilave ju duhej një fotografi me kryetarin e Lëvizjes Besa apo me Lëvizjen Besa, që pastaj ta keqpërdorin dhe, kjo u pa që pastaj u shfrytëzua si alibi nga presidenti i shtetit dhe nga VMRO-DPMNE. Për të qartësuar situatën: Lëvizja Besa as që ka kërkuar një, të themi,  deklaratë të tillë, as që ka kërkuar të shkohet në Tiranë dhe Lëvizja Besa nuk ka publikuar fotografitë, të cilat sot qarkullojnë dhe të cilat merren si shkas që presidenti i shtetit të jetë në anën e thellimit të krizës.

Ju e dini që, para se të shkohet në Tiranë, kishte një takim të partive politike shqiptare këtu në Shkup, në Aleksandar Palace. Prej atij doli një deklaratë  për harmonizimin e qëndrimeve dhe,. Pas asaj, ne gjithashtu dolëm si Lëvizje Besa me një qëndrim që thamë: Çdo qëndrim dhe çdo aktivitet që merret në interes të kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë, do të ketë përkrahjen e Lëvizjes Besa, por nuk është e nevojshme që të bëjmë parada të tilla, nuk është e nevojshme që të bëjmë fotografi vetëm për të mashtruar opinionin.  Por, si duket, kjo i duhej dikujt dhe kjo u arrit, e sot po e shohim rezultatin e një angazhimi të tillë, ku, para se të vlerësohet përmbajtja e Deklaratës, e cila, edhe njëherë po e them, është një përmbajtje me kërkesa legjitime të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilat kërkohet që të realizohen në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Maqedonisë.

CIVIL Media:  Siç thatë më parë, siç munda t’ju dëgjoj, ju e drejtoni gishtin kah disa elita, apo një elitë politike shqiptare, të cilat kanë kërkuar të fotografoheni në Tiranë, se nuk ishit vetëm aty?

Kasami: Po aty, të themi që ata, të cilëve u duhej më së shumti një fotografi me Lëvizjen Besa, si një parti e re politike e cila bëri vërtetë ndryshime të rëndësishme në skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ua ktheu shpresën shqiptarëve të Maqedonisë se mundet të ketë elita politike, të cilat futjen në politikë nuk e kanë vetëm për qëllime dhe interesa parësore për t’u korruptuar dhe për të përfituar personalisht dhe familjet e tyre, por e kanë interesin e shqiptarëve, interesin e qytetarëve të Maqedonisë…dhe, ju duhej një fotografi e tillë, që pastaj të mund të arsyetojnë korrupsionin e tyre. Dhe, këtu, e kemi të qartë se kush ka qenë në skenën politike 10 vite, kush ka bashkëqeverisur me Nikolla Gruevskin dhe VMRO-në, dhe e dimë që kujt i duhej një legjitimim i tillë.

CIVIL Media: Sipas jush, a i tejkalon Deklarata kornizat e Kushtetutës, shkurtë…?

Kasami: Jo, shkaku që kjo Deklaratë edhe ndryshimet kushtetuese për përmirësimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve – e kërkon në bazë të procedurave që i parasheh Kushtetuta e Maqedonisë.


CIVIL Media: Që nga dalja e Lëvizjes Besa në skenën politike, kundërshtarët politikë vazhdimisht ju sulmojnë për disa çështje.  Besën e përcjellin shumë spekulime, sidomos me lidhur me burimet e financimin dhe për profilin ideologjik. E dimë që jeni përgjigjur shumë herë në këtë pyetje, por ja, spekulimet nuk po ndalen. T’ju pyesim drejtpërsëdrejti për ato: Kush qëndron prapa Lëvizjes Besa? Turqia, Katari, ose Sasho Mijallkovi ju dërgon para përmes këtyre vendeve? Cili është profili ideologjik i Besës në spektrin politik, dhe lidhja e ideologjisë së partisë me idetë fetare?

Kasami: Vërtetë që këto spekulime që bëhen në vazhdimësi për Lëvizjen Besa, në njëfarë mënyre janë edhe një ndër shkaqet përse ne ishim të detyruar që të pranojmë një vizitë të tillë në Tiranë dhe ishim të detyruar që të bëjmë një fotografi të tillë ku do të shfrytëzohej pastaj ashtu siç po shfrytëzohet. Vërtetë që mosprezenca jonë në një takim të tillë të thirrur nga kryeministri i Shqipërisë vetëm se do të forconte këto akuza, të cilat i bëhen Lëvizjes Besa, se ja, Lëvizja Besa nuk është në interes të çështjes shqiptare këtu në Maqedoni dhe Lëvizja Besa ka një ‘bekgraund’ të tillë të dyshimtë, që nuk të bëjë me shqiptarinë.

Vërtetë që gjithë këto spekulime po duket se janë mirë të koordinuara, sepse këto spekulime, e kanë shumë të qartë, ata të cilët po i nxjerrin ato spekulime, e kanë shumë të qartë se…të themi se esenca, arsyeja e themelimit të Lëvizjes Besa qëndron në tre parimet, të cilët ne i kemi nxjerrë në skenën politike, që në fillim, e ato janë tre “A”-të: autonom, autokton dhe autentik. Dhe, duke u nisur nga ky parim, po mundohen që vazhdimisht të sulmojnë Lëvizjen Besa mbi atë, e cila është, të themi, shpirti i saj. Dhe, ne krenohemi që jemi subjekti i vetëm politik i shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët nuk jemi themeluar si shkëputje, si përçarje nga ndonjë subjekt tjetër, nuk jemi themeluar si degë e një partie tjetër, siç ka ndodhur fatkeqësisht, siç po ndodh me  partitë të cilat janë sot në skenën politike, të cilat janë me ‘bekgraund’ ideologjik të LPK-së apo të lëvizjeve tjera, të themi, të cilat nuk janë këtu nga Maqedonia.

Prandaj, në këto rrethana, ajo të cilën ne duam të potencojmë, që Lëvizja Besa ka lindur si nevojë, si kërkesë e shqiptarëve të Maqedonisë, mbështetet në potencialin, në resurset intelektuale por edhe materiale të shqiptarëve të Maqedonisë dhe interesohet që shqiptarët e Maqedonisë të jenë të barabartë, të kenë të drejtat e tyre, edhe individuale por edhe kolektive, t’i realizojnë këtu në Maqedoni, në një Maqedoni më të zhvilluar, në një Maqedoni më të drejtë, ku do të sundojë ligji për të gjithë barabartë dhe në një Maqedoni, e cila do të krijojë një mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe fetare.

Në asnjë mënyrë Lëvizja Besa nuk mbështetet në, të themi, apo nuk mundohet që të instrumentalizojë ndjenjat fetare të votuesve të saj, sepse vlerësojmë që ajo është e drejtë individuale e çdo qytetari të Maqedonisë. Ne e respektojmë si të tillë, por, ne edhe në këtë drejtim, po e themi në vazhdimësi, që në asnjë moment nuk do të keqpërdorim ndjenjat fetare të votuesve tanë për të fituar një votë më shumë, që nuk ka ndodhur fatkeqësisht në të kaluarën, sepse e dimë që liderë politik, edhe sot e kësaj dite  po keqpërdorin institucionet fetare për të mbështetur politikat e tyre. Ne e dimë që liderë politik, edhe në kampin shqiptar edhe në atë maqedonas, në të shumtën e rasteve para zgjedhjeve kanë keqpërdorur dhe kanë folur me një fjalor të themi fetar, me një fjalor ideologjik, vetëm e vetëm kur kanë vlerësuar që votuesit e tyre janë të një ‘bekgraundi’ të tillë dhe kur kanë vlerësuar se kjo do të ketë reflektim në rritjen e votave të tyre.

Ne këtë e kemi thënë që në fillim, që në asnjë moment ne nuk do të keqpërdorim ndjenjat fetare të votuesve tanë. Fundja, edhe nevojat dhe kërkesat e shqiptarëve janë kërkesa etnike, me të drejta të cilat janë të rrafshit etnik. Ne sot po e shohim që në rrugët e Maqedonisë po protestohet për një të drejtë dhe një kërkesë ka të bëjë me gjuhën shqipe, me legalizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, që të jetë e barabartë dhe çdo shqiptar, kudo që të jetojë në Maqedoni, të ketë mundësi ta përdorë gjuhën shqipe dhe kjo nuk është një kërkesë fetare, por është një kërkesë etnike.

Prandaj, vlerësoj që është një spekulim që ndërlidhet me të gjithë atë që po mundohen oponentët tanë t’ia veshin Lëvizjes Besa, në pamundësi për të pasur diçka konkrete për anëtarët tanë, se janë të korruptuar, se janë të inkriminuar në raste të ndryshme, se janë të dyshimtë në aspektin moral, etik e kështu me radhë. Mundohen që të na sulmojnë me disa çështje, të cilat janë vërtetë abstrakte dhe është vështirë që të verifikohen dhe është vështirë që të dëshmohen, prandaj po mundohen që të shfrytëzojnë këtë dhe të na sulmojnë në vazhdimësi.

Dhe, ne jemi të vetëdijshëm që ideja është shumë e thjeshtë: mundohen që të krijojnë ide te shqiptarët e Maqedonisë se më mirë që ne, apo këto elita politike që janë sot në pushtet të vazhdojnë të jenë në pushtet, edhe pse më të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se janë të inkriminuar, janë të korruptuar, janë, të them, me ‘bekgraund’ të dyshimtë etiko – moral, më mirë të jenë ata, sesa të vijë një parti politike, e cila nuk është me ‘bekgraund’ shqiptar. Por shqiptarët e Maqedonisë në zgjedhjet e 11 dhjetorit ua dhanë mesazhin se Lëvizja Besa është dhe do të jetë shpresa e tyre dhe ata do të vazhdojnë të përkrahin Lëvizjen Besa, edhe me vota, por edhe me financa, edhe me përkrahje tjera të cilat i duhen një subjekti politik.


CIVIL Media: Financimi i partive politike është një çështje për të cilën vazhdimisht ngre dyshime në opinion, ngase, në përgjithësi, shumë prej partive nuk kanë financim transparent dhe nuk dihet qartë se nga vijnë ato fonde për ato fushata mediatike, tubime madhështore etj… Ju e dorëzuat raportin tuaj financiar për zgjedhjet te organet kompetente, ai tregon se prej donacionave keni mbledhur mbi 6 milion denarë, ndërsa keni shpenzuar 2 milionë e gjysmë më tepër? Prej ku do ta mbuloni “minusin”?

Kasami: Do ta mbulojmë ashtu siç e kemi mbuluar edhe pjesën tjetër, duke kontaktuar me afaristë vendas, duke kontaktuar me mërgimtarë, sepse kemi përkrahje shumë të mirë edhe nga mërgata shqiptare në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian, jemi në kontakte të vazhdueshme edhe me ta edhe me biznesmenët vendas. Por, ajo që ka qenë me rëndësi, që relacionet tona me këta donatorë kanë qenë relacione shumë të sinqerta dhe në asnjë moment, po as që kemi ne mundësi që ata t’i shantazhojmë, t’i detyrojmë që të na përkrahin, por ka qenë një përkrahje e cila vërtetë mbështetet në atë që në skenën politike duhet të vijnë politikanë të rinj, politikanë të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve, në shërbim të biznesit.

Prandaj, vlerësojmë që Lëvizja Besa ka qenë partia më transparente edhe sa i përket financimit të kampanjës zgjedhore, sepse edhe përkundër faktit që ne e dimë, që BDI ka bërë një kampanjë dhjetëfish më të shtrenjtë se Lëvizja Besa, nëse i analizoni dhe i krahasoni raportet financiare të kampanjës zgjedhore, do të shihni se raporti financiar i Lëvizjes Besa është shumë i përafërt, sa i përket tërësisë së financave të shpenzuara në kampanjë me atë të Bashkimit Demokratik për Integrim. Dhe, kur këtë e krahason me atë në realitet, se çfarë kampanje ka bërë BDI dhe çfarë kampanje ka bërë Lëvizja Besa, qytetarët e shohin se cila parti është transparente në fakt, e cila nuk është.

Në anën tjetër, ju jeni dëshmitarë në opinion që ka procedura të hapura për partitë politike për financimin e kampanjës zgjedhore. Ne këto ditë kishim procedurë të hapur edhe ndaj një partie opozitare tjetër për financimin e kampanjës zgjedhore, dhe një gjë të tillë nuk ka për Lëvizjen Besa, edhe pse nuk kemi asnjë relacion me pushtetin që të mund të ndikojmë. Domethënë, vazhdimisht kjo po tregon se gjitha këto janë në sferën e spekulimeve, dhe se nuk ka argument edhe më të vogël se Lëvizja Besa ka ndonjë financë e cila është e dyshimtë, se po të kishte diçka të tillë, ne si sot do të kishim marrë përgjegjësi apo organet kompetente do të kishin kërkuar llogari, do të kishte pasur lëndë të hapura kundër Lëvizjes Besa për financimin e kampanjës së saj, por edhe të aktiviteteve të përditshme politike.
CIVIL Media: Maqedonia këtyre ditëve përsëri ballafaqohet me protesta masive, me një retorikë të ashpër dhe konfrontuese nacionaliste. Bile, po shfaqen edhe njerëz të cilët pretendojnë se janë pjesë e strukturave paramilitare. Çfarë keni për të thënë lidhur me këto informata, me porositë e tilla, për kërkesat e protestuesve dhe VMRO-së për heqje dorë nga e ashtuquajtura “Platformë e Tiranës”?

Kasami: Të gjithë qytetarët e Maqedonisë, veçanërisht të etnitetit maqedonas, duhet ta kuptojnë që duhet të jetojnë me shqiptarët bashkë. Frustracionet të cilët i kanë me fqinjët për kontestim të identitetit të tyre, si fetar, po ashtu etnik edhe gjuhësor, nuk guxon të vazhdojnë që këto frustracione t’i bartin në rrafshin e konfrontimit me etnitetin shqiptar, sepse duhet të llogarisin se shqiptarët i kanë bashkëqytetarë dhe duhet të mbështeten në përkrahjen e shqiptarëve, ashtu siç ka qenë në vazhdimësi.

Nuk është e mirë logjika që nëse dikush më i fortë se ti të sulmon dhe nuk ke mundësi që t’ia kthesh atij, që të sulmosh atë të cilin vlerëson se është më i dobët se ti, sepse në atë mënyrë nuk e zgjidh problemin. Me atë që maqedonasit në vazhdimësi për problemet që i kanë prej kontestimit të kishës së tyre, gjuhës apo edhe identitetit nga fqinjët, vazhdimisht të sulmojnë shqiptarët, vetëm e vetëm sepse shqiptarët ato të drejta, të cilat i kërkojnë edhe maqedonasit, domethënë të drejta të cilat u takojnë edhe atyre.

Prandaj, unë vlerësoj që elitat politike por edhe intelektuale njëherë e për gjithmonë duhet ta kuptojnë dhe ta ndërrojnë mendësinë politike që me shqiptarët duhet ta ndajnë këtë shtet dhe me shqiptarët duhet të jetojnë të barabartë në këtë shtet, dhe vetëm ashtu mund të garantojnë edhe ardhmërinë e tyre, edhe etnike por edhe të shtetit të përbashkët, të Maqedonisë.

CIVIL Media: Shoh në zyrën tuaj ka disa flamuj. Do të thotë, është flamuri kombëtar, është flamuri që e përfaqëson partinë, Lëvizjen Besa, është flamuri i BE-së dhe flamuri i SHBA-ve. Mirëpo, nuk shoh flamur të shtetit, në të cilin ju veproni si parti politike apo si faktor politik. Diçka…?

Kasami: Po…thjeshtë, kjo është edhe çështja, të cilën ne e kemi parashtruar si parti politike. Për të jetuar në një shtet dhe për ta ndjerë atë shtet të përbashkët, duhet të vendosësh për ardhmërinë e atij shteti. Duhet të vendosësh për identitetin e atij shteti. Nuk mundet që komunitetit shqiptar, të themi me këtë numër apo me këtë peshë demografike, por tani më edhe me dy universitete dhe nivelin e ngritjes intelektuale, që t’ju imponohen vendime vetëm duke shfrytëzuar diktatin e shumicës. Prandaj, vlerësoj që edhe në këtë drejtim, maqedonasit duhet të kuptojnë që me shqiptarët duhet të ndërtojnë një shtet të përbashkët.

Ne e dimë që më herët Maqedoni kishte një flamur tjetër, dhe për shkak se iu imponua nga vendet fqinje që të ndërrojë këtë flamur, duhej që të kemi një flamur të ri. Dhe, fatkeqësisht, në ato momente nuk u shfrytëzua që ky flamur të jetë flamur i pranueshëm edhe për shqiptarët, vetëm e vetëm pse ata po mundohen që shtetin e Maqedonisë ta ndërtojnë si shtet i maqedonasve, duke i larguar të gjithë të tjerët. Unë besoj që po të kishte një procedurë më transparente të përpilimit të flamurit të ri të Maqedonisë në ato rrethana, ku do të konsultoheshin edhe shqiptarët, besoj që shqiptarët sot do të ndjeheshin shumë më rehat që ta përdorin këtë flamur.

Në këtë frymë është edhe kërkesa e Lëvizjes Besa, që shqiptarët të jenë pjesë aktive e ndërtimit të identitetit të shtetit të Maqedonisë dhe, vetëm atëherë, ata do të kenë ndjenjën e shtetësisë apo ndjenjën e përkatësisë në këtë shtet, sepse, ashtu siç edhe me flamurin, ne nuk mund të ndjehemi kur këndohet himni i shtetit të Maqedonisë, himn i cili ju drejtohet ekskluzivisht maqedonasve. Në atë himn në asnjë pjesë nuk përmenden etnitetet tjera, nuk përmenden shqiptarët, turqit, romët apo etnitetet tjera. Prandaj, vlerësoj që çdo ridefinim i Maqedonisë në drejtim të inkluzivitetit edhe të komuniteteve tjera, do të jetë një ridefinim që do të përmirësojë jetën e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, dhe çdo qytetar i këtij vendi, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe fetare, do ta ndjejë Maqedoninë si një shtet i veti, dhe do të jetë rehat që të përfaqësohet me simbolet e atij shteti, të cilat do ti ndjejë edhe si të vetat.

CIVIL Media: Prisni të formohet qeveria e re së shpejti? Çfarë roli do të ketë Lëvizja Besa në këtë qeveri, keni marrë vendim përfundimtar vallë do të hyni drejtpërsëdrejti në ekzekutiv?

Kasami: Besojmë që elitat politike do të reflektojnë dhe që përfundimisht do ta kuptojnë që ky rrugëtim nuk është as interes i tyre, e as edhe interes partiak.  Në këtë drejtim, shpresoj në përkrahje më të madhe të faktorit ndërkombëtar, që t’ju ndihmojmë bashkërisht këtyre elitave politike që të marrin një vendim të tillë.

Lëvizja Besa, në vazhdimësi, edhe para 11 dhjetorit, por edhe pas 11 dhjetorit, ka qenë subjekti politik më konstruktiv në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve për dalje nga kriza e thellë, në të cilën gjendet Maqedonia. Ne thamë në fillim, menjëherë pas zgjedhjeve, që në asnjë mënyrë nuk do të bisedojmë për asnjë lloj kombinatorike qeverisëse me VMRO DPMNE-në, deri sa ky subjekt politik nuk pastrohet nga krimi dhe nga të gjithë rastet, të cilat e rëndojnë dhe të cilat janë të hapura nga Prokuroria Publike Speciale. Po ashtu, e kemi bërë të qartë që ne nuk kemi asgjë kundër partisë si subjekt politik, por derisa elitat e saj, lidershipi i saj nuk pastrohet nga të gjitha këto dyshime, të bazuara në përgjimet të cilat u publikuan, ne nuk jemi të gatshëm të bisedojmë për asnjë kombinatorike qeverisëse, për çfarë do oferte që të na bëjnë ata.

Më vonë, kur u pa që presidenti i shtetit nuk është i gatshëm që t’ia japë mandatin partisë së dytë dhe të vazhdojë procesin, ishte Lëvizja Besa ajo që ofroi pesë nënshkrimet, pesë mandatet e deputetëve të saj pa asnjë kusht, pa kërkesë dhe pa kalkulim se cila do të jetë hisja e Lëvizjes Besa në qeverinë e ardhshme. Edhe më tutje, ne si Lëvizje Besa po vazhdojmë të kontribuojmë që vendi të dalë nga kriza, pa llogaritur interesin e pastër partiak dhe duke u bazuar në interesin e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Në këtë drejtim, ne jemi të gatshëm që të kontribuojmë në një qeveri të ardhshme reformatore, por vetëm atëherë kur do të kemi garanci se vërtetë kjo qeveri prioritet do të ketë reforma rrënjësore të sistemit, të cilin e kemi tani, sistem i kapur nga partia apo i partizuar skajshmërisht, institucione të kapura nga partia dhe nga disa klane brenda partive politike. Vetëm atëherë kur do të jemi të bindur se një parti apo një program qeverisës është e gatshme që të bëjë reforma të tilla, ne jemi të gatshëm që të kontribuojmë në një qeveri të tillë. Në asnjë moment ne nuk jemi të gatshëm që të kalkulojmë për pozicione në një qeveri, e cila do të vazhdojë, vetëm do të ndërrohen personat të cilët janë në krye të saj dhe do të vazhdojë  me avazin e vjetër.

CIVIL Media: Mendoni se BDI-ja janë të gatshëm për ndryshime thelbësore në partinë e tyre, që të mund të bëhen ndryshimet…?

Kasami: Dyshimet tona, të themi, të bazuara në të kaluarën e tyre që janë të gatshëm për reforma të tilla, e bëjnë situatën të tillë që ne nuk jemi ende të gatshëm që të ulemi edhe me ata dhe të bisedojmë për variantet e daljes nga kriza. Dhe, këtë e vlerësojmë si një përgjegjësi e mandatarit të ardhshëm, i cili do të duhet të krijojë mekanizma të tillë që edhe BDI, po të jetë pjesë e një qeverie reformatore, të jetë në frymën e reformave të nevojshme për Maqedoninë. Deri tash, në bisedimet konsultative që kemi pasur, ka shpresë që BDI mund të reflektojë, jo edhe për aq nga vullneti i tyre, por duke u bazuar edhe në përgjigjen që morën në 11 dhjetor, në përgjysmimin edhe të mandateve, po edhe të votave.

Prandaj, presim që kjo të jetë një proces. Po të formohet një qeveri e tillë ku do të jetë edhe BDI,  ne në asnjë moment nuk jemi të gatshëm që apriori t’i pranojmë se ata janë reformuar, por Lëvizja Besa do të jetë ajo, e cila po të jetë në një qeveri të tillë, do të jetë zëri më i fuqishëm për reformimin e sistemit shtetëror në Maqedoni, që shteti të jetë në interes të qytetarëve, e jo të elitave politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button