Djali që ndjente vuajtjen

 

Fatmiri ishte tashmë 22 vjeç Kishte mbaruar një shkollë në Institut të Tiranës. Edhe pse mësonte, padrejtësia aty ishte kaq e madhe, sa mezi mori diplomën e 3-vjeçarit, që në këtë fshatin tonë të madh ka nisur të thirret si në Perëndim “Bachelor”. Ndërkaq, kishte punuar gjithmonë dhe përpiqej e vetëm përpiqej. Kushtet familjare ishin të rënda, Kishte debatuar shumë herë me familjarët, sepse atë gjendje më nuk e duronte dot, i kishte ardhur në majë të hundës. Pasi ishte menduar thuajse tërë paraditen në lulishte, kur binte diell i fortë, mbaroi turnin e punës si kamerier aty pranë orës 23.30 minuta dhe mbërriti në shtëpi. Sërish e njëjta pamje që nuk e donte, që thellë në shpirt e urrente dhe do të donte vetëm ndryshimin, atë shpresonte.

Por ndryshimin Fatmiri, pjesëtar i një familjeje pukjane, ardhur në Tiranë, e shihte vetëm te puna, duke punuar, ai dhe anëtarë të tjerë të familjes. Me inat ndër dhëmbë iu afrua shtratit të rregulluar më së miri nga nëna e tij. Mirëpo, kokën e kishte të turbullt nga mendimet, e goditi fort pjesën e hekurt të shtratit, sa u dëgjua zhurma në dhomën tjetër, ku flinin prindërit. Babai i tij Avniu, u ngrit nga ajo dhomë, që vetëm një shtrat kishte, një televizor të vjetër, shto ca pajisje si tavolina, e me hap të rënduar shkoi te dhoma e djalit: “Çfarë ke more djalë. S’të pëlqen shtëpia ty. Ik e puno.Moshatarët e tu kapërcejnë malet, detet, ti këtu po të mbajmë e prapë ke pretendime”, tha Avniu, një baba nga ata që fliste shumë, me pak etikë e zhurmëmadh që hiç thuajse nuk pyeste për ndjenjat e të tjerëve, por me një narcizëm malinj e udhëhiqte familjen.

Kishte punuar rrallë, aty-këtu e tani që Avniu nuk kishte as forcë, nuk punonte.

“Përse nuk punon ti. Ti duhet të punosh. Çfarë të bëj unë më përpara, hë më thuaj, çfarë”, ia brofi Fatmiri në moment, që sërish kuptonte se aq faj babai nuk kishte sesa sistemi i ndyrë politik, gjyqësor, administrativ, padrejtësi që Fatmirin “e hanin”, e nxinin përditë. Fatmiri më tej largoi gjithçka e të gjithë dhe qëndroi vetëm në dhomë. Nëna iu lut që të qetësohej e në rast se dëshironte, mund të qëndronte së bashku me të. Por Fatmiri i largoi të gjithë, edhe nënën.

Nuk gjente më dot zgjidhje për situatën, pasi merrte me vështirësi 200 mijë lekë të vjetra e se shpenzimet ishin shumë më shumë. Po i merrej fryma si atij zogut që e çan dhe e çan ajrin e në fund bie në tokë, pa ndjenja. Nën dyshek, mori pushkën që mbante familja aty. Këtë pushkë familja e mbante më tepër për forcë të zakonit, se kush do të vidhte aty, fundja nuk kishe as se çfarë të vidhje xhanëm. Në dhomë, pas pak u dëgjua e shtëna. Familjarët gjejnë Fatmirin të larë në gjak. Nëna ia dha ulërimës. Menduan familjarët e shkretë se Fatmiri kishte vdekur tashmë. Por se kur e çuan nga vendi, panë se nuk ishte kështu. Për shkak të frikës ndoshta, por edhe sepse kurrë s’kishte përdorur armë në jetën e tij, pikërisht pushka nuk ishte drejtuar për në ndonjë organ jetësor të Fatmirit, por në krahahor. Me makinë të fqinjit, Fatmirin e dërguan në Spitalin e Traumës në Tiranë. Aty erdhi policia. Policia?

Kur policia mbërriti në spital e në dhomë, u çudit vetë Fatmiri në radhë të parë që ishte ashtu kulluar në gjak dhe sigurisht familjarët e tij. Policët mbajtën shënime. Ata pyetën mjekun përgjegjës: “Si ka ndodhur rasti? Vrasje, tentativë vrasjeje, tentativë vetëvrasjeje apo çfarë ishte? Edhe mjetet na thoni, rrethanat”. Mjeku përgjegjës vënë si në hetuesi, ktheu përgjigjen: “Domethënë, ja duket edhe në plagë, tentativë vetëvrasjeje me armë, që sa duket pa leje”, ishte përgjigja e njeriut me jakë të bardhë, duke përtypur edhe pështymën. I menjëhershëm ishte reagimi i policit më trupmadh, që sa duket ishte shefi policor: “Pasi të marrë kurimin, djali do të paraqitet në komisariat e prej andej do të vuajë dënimin për armëmbajtje pa leje”. Fatmiri, pasi dëgjoi këtë frazë u habit jashtë mase, një tjetër plagë sikur iu shtua në trup. Nëna e tij, që po qante, e shtoi ngashërimin e lëshoi një mallkim: “Marre e turp iu kjoftë. Shtet që të vret, të rrjep, e punë s’të jep. Heu ju policë, puna pra, shteti juaj ishte shkaku pse nisi konflikti në familje e pse po na pllakos kjo mortje. Marre iu kjoftë. Kufoma të veshur me uniformë policësh. Marre”.

Por nënës mendja i rrinte vetëm t’i shpëtonte gjallë djali. Pas operacionit, Fatmiri vuajti dy vite burg, nuk u bë palë me askënd në atë burg dhe as shoqëri nuk mbajti me askënd, pasi ishte i vetëdijshëm se kishte përfunduar atje për burrokraci e jo se e meritonte prej vërteti. Edhe mjekë i shkonin në spital e në burg u shërua. Doli prej burgu, tashmë shëruar, murmëriste me vete se  shteti ishte kriminel, se shumë e donte atdhenë e tij e se njerëzit e atdheut atë hiç nuk e donin, Iku kështu jashtë vendit, ku duke u sjellë mirë, fitoi respekt në komunitetin ku jeonte, duke krijuar edhe familjen e vet. Por dhimbjen e nënës kurrsesi nuk e harroi. Në pleqëri, kur nëna i kishte dalë në pension, e mori me vete në Itali, e atje e shëtiti, e pavarësisht se në dhe të huaj, plotësoi dëshirën Fatmiri: pa nënën e tij të buzëqeshur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button