Domosdoshmëria e pastrimit me të kaluarën komuniste në shoqëritë demokratike

Synimi i sotëm kryesor strategjik i kombit shqiptar është ndërtimi i shoqërisë demokratike dhe shtetit ligjor, përmes filozofisë politike properëndimore, si dhe integrimit në strukturat euroatlantike, në bashkësinë e shteteve me vlera të dëshmuara qytetërimi, por problemi kryesor është se, pa pastruar me të kaluarën e diktaturës komuniste nuk mund të ndërtohet shoqëri e mirëfillta demokratike dhe shtet i qëndrueshëm bashkëkohor.

E kalauara komuniste ndër shqiptarët në Maqedoni

Subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni, sa herë që kanë ardhur në pushtet, në koalicion me subjektet joshqiptare (maqedonase dhe të tjera), një nga synimet parësore e kanë pasur qasjen e tyre në Arkivin shtetëror të Maqedonisë, me qëllim të ,,retushimit” të biografive të veta personale, klanore e familjare, të ndërlidhura me dosjet e personave të tjerë, meqë në këtë institucion kanë qenë të deponuara pjesa më e madhe e dosjeve për shqiptarët, jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Kosova e Diaspora, të përpiluara nga ish sigurimi jugosllav, UDB dhe Sigurimi i shtetit në Maqedoni, gjatë regjimit komunist dhe pas pavarësimit të këtij shteti, nga viti 1991 e deri më sot.

Stukturat e fshehta të regjimit komunist ende veprojnë në shumë segmente kyçe të pushtetit   

Qëllimi kryesor i disa udhëheqësve të subjekteve politike shqiptare, veçanërisht strukturave të tyre të afërta me ish sigurimin jugosllav dhe këtë maqedonas, ka qenë i shumëfishtë, si: fshirja e gjurmëve nga e kaluara e vet kriminale dhe të afërmve; shantazhimi i bashkëpunëtorëve në strukturat e subjekteve politike; poshtërimi, mbyllja e gojës, shantazhimi dhe kushtëzimi i shumë intelektualëve dhe biznesmenëve shqiptarë ,,të padëgjueshëm, të pabindur dhe të pakontrollueshëm” (kopjimi, fshehja dhe zhdukja e shumë dosjeve të veprimtarëve shqiptarë), si dhe retushimi i të kaluarës kriminale të regjimit komunist në përgjithësi, në të cilin edhe një pjesë e shqiptarëve kanë qenë bashkëpunëtorë dhe pjesëmarrës në krimet e organeve të pushtetit ndaj shqiptarëve.

Në këtë lojë me qëllime të shumëfishta, suksesin më të madh këto subjekte e kanë arritur përmes lidhjeve të ngushta me ministrat dhe drejtorët e organeve të sigurimit të shtetit, sidomos gjatë periudhës 1998-2000 dhe 2002-2004.

Krimet e djeshme e frenojnë zhvillimin e sotëm normal të shoqërisë

Një detyrë të përafërt këto subjekte e kanë pasur edhe me ,,pushtimin nga brenda” dhe më vonë shuarjen (zhdukjen, shkatërrimin dhe djegien në masë” të gazetës së parë në gjuhën shqipe ,,Flaka e vëllazërimit” dhe arkivave të disa radiostacioneve lokale, në të cilët ka pasur dëshmi të shumta për të kaluarën komuniste të shumë funksionarëve aktual shqiptarë, të familjarëve dhe të afërmve të tyre.

Kjo ka qenë njëra nga arsyet, jo edhe arsyeja e vetme, pse në Maqedoni nuk u zbatua siç duhet procesi i lustrimit dhe pastrimi me të kaluarën e diktaturës komuniste në këtë vend. Në kohën e zhvillimit të hovshëm teknik dhe teknologjik të kohës së sotme, çdo gjë mund të vonohet, shtyhet, zhagmitet dhe kamuflohet, por sipas parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, krimet nuk vjetrohen asnjëherë.

Krimet e periudhës së tranzicionit i kanë lënë nën hije krimet e komunizmit

Krimet e periudhës së tranzicionit, të kryera nga disa individë dhe institucione të pushtetit, për të cilat janë ngritur prokuroritë dhe gjykatat speciale nga faktori ndërkombëtar, në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, paksa e kanë lënë nën hije çështjen e pastrimit me krimet e diktaturës komuniste, por nuk duhet të harrojmë se proceset shoqërore janë si cikli jetësor i njeriut; pa përjetimin normal të adoleshencës, asnjë individ nuk mund ta arrijë pjekurinë normale; ngjashëm me këtë, as shoqëria nuk mund ta arrijë nivelin e domosdoshëm të zhvillimit pa pastruar me të kaluarën, e cila ka qenë frenuese e zhvillimit normal të saj në të kaluarën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button