Brukseli e përsëriti mbështetjen, “sulmi i pushtetit ndaj OJQ-ve është sulm ndaj qytetarëve”

Porosia e Johanes Han drejtuar pushtetit në Maqedoni për ndryshim të qëndrimit dhe raportit ndaj organizatave joqeveritare, paraqet edhe një dëshmi se Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm pas punës, veprimtarisë dhe financimit të sektorit civil. Ai po ashtu bëri të ditur se aktivitetet e realizuara nga OJQ-të paraqesin një mundësi progresive dhe se qëndrimi negativ ndaj tyre tregon mungesë të orientimit demokratik dhe pro-evropian të Maqedonisë.

Kështu vlerësojnë për Portalb, Fani Karanfillova Panovska drejtoreshë e Fondacionit për Shoqëri të Hapur dhe Dona Kosturanova nga Forumi Rinor Arsimor.

“Porositë e Johanes Han paraqesin përkrahje serioze të Bashkimit Evropian ndaj organizatave joqeveritare, duke paraqitur një moment serioz për Maqedoninë dhe dëshmi se tërë këto vite BE-ja ka dhuruar mjete për zhvillim të demokracisë në shoqërinë tonë, duke treguar se posedon njohuri dhe kapacitet për të qenë një element progresiv në shoqërinë tonë. Deklarata e Johanes Han për ndryshim të raportit me sektorin civil paraqet dëshmi se BE qëndron fuqishëm pas përcaktimeve dhe veprimtarisë së sektorit civil, pasi që ato paraqesin themel i vlerave evropiane”, u shpreh Fani Karanfillova Panovska nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

Dona Kosturanova, përfshirjen e veprimtarisë së OJQ-ve në deklaratën e Johanes Han e sheh si “shenjë serioze” dhe kështu ajo bën të ditur se përkrahja e ndërkombëtarëve nuk paraqet cenim për sovranitetin e Maqedonisë, por se ajo është ndihmesë për të.

“Sektori civil si një pikë kyçe e atakuar në deklaratën e Johanes Han për situatën kritike në Maqedoni paraqet një shenjë serioze. Edhe përskaj asaj se shpërndan propagandë të pabazë, pushteti duhet të sqarojë para publikut se përkrahja ndërkombëtare nuk paraqet cenim i sovranitetit të Maqedonisë, por ndihmesë e parezervë, kurse organizatat joqeveritare nuk janë trup anësor, por qytetarë të organizuar të cilët ndihmojnë. Sulmet verbale dhe institucionale ndaj sektorit civil krahas asaj se e dëmtojnë reputacionin e shtetit ato gjithashtu paraqesin indikatorë të mungesës së orientimit demokratik dhe pro-evropian. Ndihmesa ndërkombëtare dhe puna vullnetare e shoqatave qytetare ka qenë ndihmë për qytetarët”, tha Dona Kosturanova nga Forumi Rinor Arsimor.

Kosturanova shton për Portalb se “secili pushtet i cili do të hiqte dorë nga përkrahja e OJQ-ve, është kundër interesave të qytetarëve të saj”.

Përndryshe, Johanes Han pas takimeve me krerët politik në Maqedoni dërgoi një kumtesë në të cilën krahas çështjeve tjera, porositi që të ndryshohet edhe qëndrimi dhe raporti ndaj organizatave jo qeveritare.

“Retorika negative kundër komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave jo-qeveritare është plotësisht kundër-produktive. Kjo dëmton imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare, dhe kredibilitetin e atyre që e përdorin atë”, u tha në kumtesën e Johanes Han dhe tre eurodeputetëve, Ivo Vajgël, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan.

Partia e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, u shpalli luftë të hapur OJQ-ve në Maqedoni me procesin siç e quan ai “desorosoizëm”, pasi që sipas tij, të njëjtat punojnë “për interesat e huaja”.

Menjëherë pas këtij paralajmërimi nga Gruevski, OJQ-të kanë qenë cak i sulmeve të shumta dhe të shpeshta si nga Drejtoria e të Ardhurave Publike po ashtu edhe nga Policia Financiare. Së fundmi, 13 prej tyre u kontrolluan nga Policia Financiare për të kuptuar se sa para kanë marrë nga USAID-i gjatë realizimit të aktiviteteve të tyre.

Me një linjë me Gruevskin është edhe bashkëpartiaku dhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili gjatë qëndrimit të tij në Hungari, shtet i cili gjithashtu i sulmon OJQ-të, tha se “patjetër të përforcohet kontrolli dhe transparenca në financimin e punës së OJQ-ve, patjetër të hiqen të gjitha dyshimet dhe të bëhet dallimi mes organizatave që me të vërtetë punojnë në interes të popullit dhe ata që fshihen pas emrit OJQ”.

LEXO: OJQ-të: Sulmet ndaj nesh, janë sulme ndaj mediave dhe shtetit të Maqedonisë

LEXO: Policia financiare hulumton se cilat OJQ marrin para nga USAID-i

LEXO: Ideja e Gruevskit për financim të OJQ-ve që nuk i ka nën kontroll, shqetësuese dhe jo e shëndoshë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button