Pasiguri në televizionin Alfa, s’ka para për rroga

Të punësuarit në televizionin Alfa dje janë informuar nga ana e udhëheqësisë se kompania nuk ka para që t’ua paguajë rrogat e janarit dhe shkurtit ndërsa janë paralajmëruar se nuk do të marrin rroga as për muajin mars mëson “NOVATV“, transmeton Portalb.mk.

Gjatë vitit paraprak të punësuarit në këtë televizion vazhdimisht janë përballur me vonesë të rrogës ku gjithashtu u është bërë me dije se nuk do të marrin as rrogat e vonuara ngaqë ndërmarrja ka borxhe.

Ka më shumë se një muaj që të punësuarit kërkojnë takim me pronarin Ivo Jankovski, i njohur në publik si themelues i produksionit “Treto Uvo”, por pas disa anulimeve, dje edhe zyrtarisht u njoftuan nga sekretarja e tij se nuk do të kenë takim me të.

Ivo Jankovski u bë pronar në Alfa kur në gusht të 2016-s bleu shumicën e aksioneve të kompanisë nga biznesmeni Veselin Jevrosimoviq.

Jevrosimoviq ishte pronar edhe në Media Print Maqedoni (MPM) botues i gazetës “Utrinski vesnik”, “Dnevnik”, “Vest” dhe portali “Telegraf” ku partner kishte Jordan Kamçev dhe Srgjan Kerim, por të njëjtin vit kur u tërhoq nga Alfa u largua edhe nga këto media.

Në publik, Jevrosimoviq njihet edhe si përdorues i tenderëve të projektit qeveritar “Kompjuter për çdo fëmijë” i cili shkaktoi dyshime për sa i përket transparencës.

Asnjëherë nuk u kuptua pse biznesmeni serb u largua nga Maqedonia, por pas tërheqjes së tij, si nga MPM-ja po ashtu edhe nga Alfa, filluan problemet financiare të këtyre mediave.

Në rastin e MPM-së, ajo rezultoi me grevë të punësuarve dhe paralajmërime për falimentim, deri sa në rastin e Alfas ende nuk ka indikatorë të qartë për ardhmërinë e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button