Londër, në sulmin e sotëm terrorist 4 të vdekur 20 të plagosur, ja momenti i sulmit (VIDEO)

Në sulmin e sotëm terrorist në Londër kanë vdekur 4 persona, në mesin e të cilëve edhe një polic dhe janë plagosur 20 të tjerë, konfirmon policia.

Agresori me thikë, i përshkruar si një aziatik rreth të 40-ave, arriti të futej në kopshtin e Parlamentit dhe ka gjuajtur me thikë një oficer policie, përpara se të qëllohej për vdekje. Oficeri, sipas një gazetari të huaj që raporton përmes “Twitter”-it, dyshohet të ketë humbur jetën, pasi trupi i tij është mbuluar.

Të paktën 4 persona humbën jetën në këtë ngjarje, ndërsa më shumë se 10 persona thuhet se janë goditur me automjet “4×4” në urën “Westminster”, që raportohet se drejtohej drejt turmës së këmbësorëve dhe çiklistëve. Tri trupa dukeshin qartë të shtrirë jashtë Parlamentit, ndërsa ndërtesa është rrethuar dhe mbyllur me urgjencë, transmeton Top Channel.

Kryeministrja Theresa raportohet të jetë futur në një makinë nga një oficer policie i veshur jo me uniformë dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Agresori thuhet se ka qenë i vetëm teksa drejtonte automjetin gjatë urës “Westminster”, përpara se të përplasej me gardhin e Dhomës së Parlamentit dhe të futej në kopsht. Punimet e Dhomës së Përfaqësuesve janë pezulluar nga nënkryetarja Lindsay Hoyle. Deputetët janë urdhëruar të qëndrojnë brenda e të mos dalin jashtë.

Njerëzit jashtë pallatit shiheshin teksa vraponin, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë helikopterë të ndihmës së shpejtë mjekësore, ndërsa të pranishme janë edhe 12 makina policie dhe furgonë.

Incidenti dramatik vjen pak javë pasi u mësua se shërbimet sekrete britanike kanë bërë të dështojnë 13 sulme potenciale në më pak se 4 javë, ndërsa njësitë e Antiterrorizmit janë duke funksionuar me më shumë se 500 hetues në terren.

Niveli zyrtar i kërcënimit nga terrorizmi ndërkombëtar ka mbetur në të njëjtin nivel, “i rëndë”, duke nënkuptuar se një sulm “është tejet i mundshëm”, një situatë që vijon prej mbi dy vitesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button