FBI dhe NSA: Nuk ka konfirmim për pohimet e Trampit për përgjim

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) Xhejms Komi, konfirmoi se agjencia e tij ka hetuar në mënyrë aktive përpjekjet ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, përfshirë ndonjë koordinim të mundshëm me fushatën e Donald Trampit, transmeton MIA.

Komi po ashtu tha se nuk ka informacione që mbështesin akuzat e Presidentit Donald Tramp se ish-presidenti Barak Obama kishte përgjuar zyrat në “Trump Tower” (Kulla Tramp) vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale nëntorin e kaluar.

“Nuk kemi informacione që të mbështesin sa është thënë në postimin e presidentit Trump”, ka thënë Komi duke iu referuar akuzave të miliarderit se, Obama kishte përgjuar rezidencën e tij, “Trump Tower”.

Shefi i FBI-së ka bërë gjithashtu me dije se, zyra e tij po heton edhe për lidhje të mundshme të stafit elektoral të Donald Trump me Rusinë, gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Qëndrimin e njëjtë, sipas pohimeve të Komit, e ka edhe Ministria amerikane e Drejtësisë që i mbikëqyr FBI-n dhe agjencitë tjera.

Ndërkohë, kryetari i komisionit, republikani Dejvid Nunes ka ritheksuar se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se nuk ka pasur përgjime “fizike” pranë “Tramp Tower”.

Megjithatë, ai ka shtuar se, është e mundur që aktivitete të tjera përgjimi të jenë kryer ndaj Tramp dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ndërsa demokrati Adam Shif, bashkëkryetar i komisionit, ka thënë se, Komi tashmë është në gjendje “të mbyllë përfundimisht” diskutimet në lidhje me akuzat për përgjimet.

Komi dëshmoi sot para Komisionit për Shërbimet e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve së bashku me shefin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Admiralin, Majkëll Roxhers, i cili e hodhi poshtë sugjestionin e administratës së Tramp se NSA ka kërkuar nga agjencitë britanike të inteligjencës që ta spiunojnë presidentin e SHBA-së.

Ai shtoi se qëndron tërësisht prapa raportit të shërbimeve të inteligjencës, kur bëhet fjalë për implikimin e Rusisë në fushatën parazgjedhore të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button