Përtej politikës së vjetër

Pavarësisht politizimit të tmerrshëm, ka një pikë që i bashkon të rinjtë në Shqipëri. Të gjithë biem dakord që modeli i politikës së vjetër prevalon mbi modelin e një politike të orientuar kah perëndimi, duke u bërë pengesë që vendi të dalë nga ky tranzicion i tejzgjatur. Kriza politike artificiale ku është futur vendi, në këtë moment kyç reformash, të cilat do vendosin edhe për fatin e të paktën 20 viteve të ardhshme, e konfirmon më së miri këtë gjë. Në zhargonin publik të politikanëve shqiptarë dominon gjuha e konfliktit dhe akuzave monstruoze, që ka në fokus përbaltjen e kundërshtarit, shpesh edhe me akuza të fabrikuara, të cilat më pas riciklohen në media si lajme të vërteta.

Qytetarët e zakonshëm, kryesisht të rinjtë, e shohin me shqetësim një situatë të tillë, por shpesh dorëzohen përballë kësaj të keqe, me pretendimin se ndihen të pafuqishëm për ta ndryshuar atë. Shpesh herë, edhe pse e dinë se po bëjnë gjënë e gabuar, bëhen palë pasi e shohin vetën të dobët për të dalë nga ky rreth vicioz, i cili po thith në vorbullën e tij të gjithë ata që i dalin përpara. Por të rinjtë kanë një shans të artë, ata mund ta përmirësojnë politikën duke u futur në strukturat e saj, jo duke u bërë një me të, por duke bërë presion pozitiv që të përqafoje modele të reja. Të rinjtë që janë pjesë e partive politikë u është dhënë një mundësi e jashtëzakonshme dhe duhet të japin kontributin e tyre. Ata duhet të tregojnë modelin e duhur, të një politike që sheh përtej kolltukut, kur bëhet fjalë për reforma që përcaktojnë fatet e vendit. Fatkeqësisht, shohim se shumë prej tyre, pak ndryshojnë nga liderët e vjetër. Përdorin të njëjtin diskurs politik duke u bërë pjesë e formave të shëmtuara të artikulimit publik dhe kjo nuk i nderon aspak. Mendojmë se jemi të dobët, pasi nuk kuptojmë fuqinë e jashtëzakonshmë që na është dhënë për ndryshim . Po çfarë mund të bëjnë të rinjtë? Mendoj se opozitarizmin më të madh duhet t’a bëjnë ndaj atyre që votojnë pikë së pari dhe ndaj organizatës politike ku bëjnë pjesë, nëse ndodhen në një të tillë. E kemi për detyrë të pastrojmë veten, familjen, grupin ku bëjmë pjesë, pastaj të tentojmë të përmirësojmë tjetrin, por kurrësesi ta sulmojmë. E di ku qëndron problemi ynë?

Krahasohemi me të keqen dhe themi se ajo e keqja e madhe që bënë ata na legjitimon të keqen tonë, që sipas nesh është më e vogël. Themi që meqë njëra palë shkaktoi Gërdecin, pala tjetër mund të sjellë vrasës në parlament. Po a kemi të bëjmë me të njëjtët vrasës? Po ku ndryshon një vrasës nga një tjetër? Nga numri, nga metoda apo nga shkalla e makabritetit? Pse duhet të mbroj njërin, në vend që të mos pajtohem me asnjërin? Themi që meqë njëra palë ka në parlament trafikantë femrash edhe pjesës tjetër i falen firmat piramidale. Themi që meqë njëri nuk bëri asgjë në bashki edhe atij tjetrit i falet betonizimi i qytetit, zhdukja e trashëgimisë kulturore dhe hapësirave publike. Themi që nëse ata vodhen, mund të vjedhim edhe ne. Nëse ata rropën, mund të rrjepim edhe ne. Kjo nuk mund të jetë gjuha e të rinjve! Nuk ka të këqinj dhe pak të këqinj. A mund të pranoj unë që të artikulohen thirrje për dhunë dhe destabilitet? A mund të pranoj unë një kriminel në parlament apo në krye të bashkisë? A mund t’a duartrokas unë dike kur thotë marrëzira, vetëm sepse ai rastis të jetë eprori im, deputeti im, apo kryebashkiaku im? A mund t’i rrah shpatullat një analfabeti hipokrit, meqë edhe rivali i tij në politikë është po aq idiot, njëlloj si ky? A mund të pranoj unë që një i pashkollë t’i zëre vendin një të shkolluari? Kurrë! Unë i refuzoj të dyja këto modele. Sepse janë modele të shëmtuara, të dala boje, që mbahen në këmbë vetëm nga pak njerëz, sepse ne ose ia mbathim, ose kemi frikë të flasim. Dhe kjo na bën fajtor, madje bashkëpunëtorë në krim. Nuk mund t’i pranoj këto modele sepse dua të jetoj si gjithë shokët e mi në perendim. Dua të ec përpara me meritokraci, me punë, me djersë. Dua të lodhem, të coptohem, të rri zgjuar, të studioj fort, të marr sa më shumë kualifikime e çertifika, me shpresën që do të shpërblehem. Dua të ngrihem në detyre falë punës, jo sepse bëj “share” në facebook atë që shkruan kryetari i partisë, bashkisë, drejtori apo edhe punëdhënësi privat. Dua të shpërblehem për mundin, jo për praktika servile dhe puthadore.

Dua që kryeministri im, deputetët e vendit tim dhe opozita, të mos përdorin fjalorin më të ulët njerëzor, por dua që në tempullin e demokracisë të shkojnë vlerat me të larta humane, njerëz të punës dhe shembuj frymëzues. Me beso, edhe mësuesi më i pashkollë dhe pijanec do i kishte përjashtuar nëse do i kishte nxënës. Po ne a duhet t’i mbajmë, apo duhet t’u themi se janë gabim? A duhet që ne të rinjtë, vetëm për një vend pune, të shkelim me të dyja këmbët dinjitetin tonë? A duhet t’i lejojmë vetes që të përdorim fjalorin dhe zhargonin e politikanëve që na qeverisin këto 25 vjet? A mund të jem aq naiv që për situatën e rëndë ku ndodhet ky vend, të bëj fajtor vetëm një person, vetëm një palë? Por edhe nëse një person mban mbi shpatulla të gjitha mëkatet, a jam unë fajtor që nuk reagova? A kam unë përgjegjësi? A jam unë fajtor që ula kokën nga frika? A jam unë fajtor që nuk fola, që nuk protestova? Fatkeqësisht, ndonjëherë mendoj se edhe në diktature ka patur më shumë desidentë.
Por, a duhet të pranojmë edhe gjerat që janë bërë mirë? A duhet të largohemi njëherë e përgjithmonë nga sindroma “zero”? Njerëzit që përpiqen, që kanë kontribut pozitiv, a duhet t’i vlerësojmë apo të kënaqemi teksa shohim sesi shkelmohen nga puna? A duhet të pranojmë se janë bërë edhe disa investime, se janë ndërmarrë edhe disa nisma të mira ligjore? A duhet të pranojmë se nuk janë të gjithë njëlloj, por me mijëra, nga të dyja kampet, punojnë ndershmërisht, me përkushtim, shpesh edhe nën presion. E megjithatë, edhe pse të gjithë biem dakord se është bërë shumë pak, ne vazhdojmë t’i duam, t’i puthim, t’i vëmë në ballë, edhe pse nën zë shpesh i mallkojmë për situatën në të cilën na kanë sjellë.
Kemi humbur thelbin, por jo shpresën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button