Lamtumirë, profesor i nderuar!

Xhepçisht! Ditë zie! Kufoma e të ndjerit ishte vendosur në kopshtin e tij të bukur. Përreth arkivolit, lulet ngjyra-ngjyra simbolizonin ardhjen e pranverës. Turma të shumta njerëzish, në mesin e tyre, bujq, mësues, profesorë, mjekë, juristë, inxhinierë, artistë, politikanë, filozofë, …, nxitonin për t´i dhënë lamtumirën e fundit, fizikanit të shquar, titanit të shkencës, njeriut gojëmbël – profesor Ruzhdiut.

Qielli ishte plot mjegulla, dukej i mrrolur. Natyra kishte pamjen e egër! Ndoshta kishin të drejtë! Nuk pajtoheshin me këtë vdekje! Po ndaheshin përgjithmonë nga njeriu, i cili, atyre u kishte kushtuar shumë ligje, aksioma, teorema dhe i cili, për ata, kishte folur shumë.

Turmat gjithnjë e më tepër shtoheshin. Kopshti, shumë i gjerë, dukej se po zvogëlohej nga kjo masë e madhe njerëzish! Askush nuk fliste, ndoshta kishin arsye, të gjithë i kishte tronditur kjo vdekje. Ishte kjo vdekje e madhe.

Po, po, gjithçka ishte e vogël, në krahasim me këtë vdekje! Edhe gjigantët ekonomik të fshatit si: Renova, Alpi, Ballkani, Green Product, …, në krahasim me profesorin e madh, dukeshin të zbehtë.

Për një moment një heshtje e rëndë. Pas kësaj një fjalim shumë i shkurtër, por shumë domethënës, për profesorin e ndjerë, nga ana e  Imamit të fshatit. Pasoi ceremonia mortore!

Gjatë funeralit askush nuk fliste! Ndoshta kishin të drejtë! Dhimbja ishte e madhe! Nxënësit kishin humbur profesorin e tyre të palodhshëm, profesorët – kolegun e tyre besnik, …., familjarët – njeriun e tyre më të dashur, …!

Megjithatë, ndoshta edhe ne kemi arsye që të jemi krenarë –  jetuam në epokën e tij!

Profesor, mbetsh i përjetshëm!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button