Çlirohet një rajon i rëndësishëm në perëndim të Mosulit

Forcat e bashkuara të armatosura irakiane kanë vazhduar operacionin për çlirimin e pjesës perëndimore të Mosulit nga terroristët e DEASH-it, ndërsa sot çliruan rajonin e rëndësishëm strategjik Al Jadide, raporton Anadolu Agency (AA).

Majori irakian Burgah Muzahim për AA tha se forcat irakiane të sigurisë pas përleshjeve të ashpra çliruan lagjen Al Jadide në të cilën gjendet edhe xhamia “Fatih Ali”, të cilën terroristët e përdornin si bazë ushtarake.

“Janë vrarë së paku 14 terroristë dhe është konfiskuar sasi e madhe e armëve. Operacioni ka vazhduar dhe momentalisht po zhvillojmë përleshje në lagjen Yermouk”, tha Muzahim.

Terroristët e DEASH-it nga vera e vitit 2014 kontrollojnë qytetin e dytë më të madh irakian, Mosulin. Pas tre muajsh të operacionit forcat e bashkuara irakiane me mbështetje të koalicionit ndërkombëtar në janar çliruan pjesën lindore të Mosulit, ndërsa më 19 shkurt filloi edhe operacioni për çlirimin e qendrës së qytetit që gjendet në pjesën perëndimore të lumit Tigër.

Operacionet janë në vazhdim dhe forcat irakiane shënojnë progres, por problemin më të madh në çlirimin e qytetit e paraqesin civilët të cilët terroristët i shfrytëzojnë si mburojë e gjallë, si dhe fushat e minuara dhe sulmet me bomba të cilat terroristët e DEASH-it i kryejnë si pjesë të strategjisë mbrojtëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button