Maqedoni, kriza politike godet rëndë ekonominë e vendit

Sektori i biznesit për çdo ditë e më shumë merr goditje të rënda, si pasojë e zvarritjes së procesit të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni, theksojnë përfaqësuesit odave ekonomike të vendit.

Kryetari i Federatës së biznesit në Maqedoni, Mile Boshkov, për Radion Evropa e Lirë thotë se kriza politike në masë të madhe ndikon negativisht në sektorin e biznesit veçanërisht zhvillimin e ekonomisë.

Si më problematike, Boshkov fokuson bllokimin e operacioneve financiare në mes kompanive private dhe institucioneve të shtetit të cilat i kanë kompetencat e kufizuara përderisa nuk formohet qeveria e re e Maqedonisë.

“Zvarritja e procesit të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni, dhe funksionimi i qeverisë teknike me kompetenca të kufizuara, ndikon shumë negativisht në zhvillimin e ekonomisë. Kompanitë private ndodh që nuk arrijnë t’i realizojnë operacionet ekonomike, ngase institucionet e vendit funksionojnë me kompetenca të kufizuara”.

“Tani dhe zgjedhjet lokale shtyhen edhe në këtë drejtim do të marrë goditje sektori i biznesit veçanërisht ato kompani, të cilat janë të përfshira në realizimin e projekteve që i ka angazhuar pushteti vendor”, thotë Boshkov.

Ndërkaq, Fatmir Bytyçi, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se biznesmenët shprehen të shqetësuar nga vonesa e formimit të qeverisë, sepse kjo cenon realizimin e planeve të tyre sa i përket zhvillimit të biznesit.

“Situata e pasjes së një qeverie teknike me mandat të kufizuar për një kohë të gjatë në Maqedoni, dhe njëherësh shtyrja e procesit të zgjedhjes së një qeverie të re jo vetëm që cenon drejtpërdrejt funksionimin e biznesit, por në parim edhe vendimet që mund t`i marrë sipas tyre në funksion të zhvillimit ekonomik ose funksionimit të shtetit, në të shumtën e rasteve e vë në dilemë aspektin moral dhe teknik nëse duhet apo i lejohet ta bëjë. Këtu mendoj rritjen e borxhit publik dhe deficitit buxhetor”.

“Ndërkohë, shënojnë rritje problemet sa i përket likuiditetit të kompanive, ngase vazhdojnë mos paguhen borxhet e ndërsjella mes kompanive, por edhe detyrimet e shtetit që ka ndaj kompanive, për një kohë të gjatë ndikojnë në funksionimin e biznesit, përkatësisht duke i bllokuar vetë bizneset”, sqaron Bytyçi.

Kohë më parë edhe kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike, Danella Arsovska, bëri thirrje që të zgjidhet sa më parë kiza politike në Maqedoni, sepse siç ishte shprehur ajo, ekonomia e Maqedonisë mbijeton përmes aparaturës për “reanimimit”, ndërkohë që për zhvillimin e biznesit para së gjithash nevojitet stabilitet politik dhe institucione funksionale.

Arsovska e cilësoi viti 2017 nga më të vështirët në dhjetë vjetët e fundit sa i përket zhvillimit ekonomik, si rrjedhojë e ballafaqimit të sektorit të biznesit me shumë rreziqe dhe pasiguri të vazhdueshme për shkak të krizës politike

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP