Nga Stalingradi tek Iraku: Luftërat e naftës që përfunduan në katasfrofë

Në 100 vitet e fundit, nafta ka qenë një shkak kryesor luftërash. Kombet kanë zhvilluar luftëra, ose formësuar strategjitë e tyre ushtarake gjatë një lufte për të pushtuar fushat e naftës, ose për të parandaluar rivalët nga kontrolli i këtij produkti, që është limfa e ekonomive industriale dhe ushtrive moderne. Por, çfarë të mire sjell pushtimi i një fushë naftëmbajtëse, kur vendi katandiset në rrënoja? Disa kombe kanë mësuar, se kostoja për vënien nën kontroll të burimeve të naftës, mund të jetë shumë më e madhe sesa vlera e saj. Ja 5 konfliktet më të spikatura për këtë motiv.

Lufta e Paqësorit

Vendimi i Japonisë, për të shkuar në luftë me Amerikën në dhjetor të vitit 1941 ka pasur shumë shkaqe, nga militarizmi japonez, mosmarrëveshjet mbi kontrollin e një Kine të dobët, dhe deri tek çështja përfundimtare se cila do të ishte fuqia dominuese në Paqësor.

Por katalizatori i menjëhershëm ishte gushti i vitit 1941 dhe embargoja e naftës që SHBA-ja dhe Evropa vendosën ndaj Japonisë, për shkak të pushtimit të Kinës, por dhe pushtimi francez i Indokinës. Japonia nuk kishte mundësi të prodhonte naftë në vend për shkak të mungesës thuajse totale të rezervave, por ajo gjithësesi ia kishte dalë të kishte një ekonomi industrial, një flotë të madhe detare dhe forcë të fuqishme ajrore, që kishte nevojë jetike për naftë.

Udhëheqësit japonezë u ndjenë të bllokuar ndërmjet dy zgjedhjesh:të ulnin kokën përballë embargos dhe hiqnin dorë nga ambiciet e tyre perandorake, apo të përfitonin nga pushtimi i Evropës Perëndimore nga ana e Hitlerit, për të pushtuar fushat e naftës në Indinë Lindore Holandeze dhe kolonitë britanike të Azisë Juglindore.

Megjithatë, ndërsa evropianët ishin shumë të dobët për të mbrojtur zotërimet e tyre, Shtetet e Bashkuara kishin një flotë të fuqishme në Paqësor, që mund të ndërhynte nëse nuk neutralizohej paraprakisht. Shkatërrimi i flotës amerikane të Paqësorit në Pearl Harbor, nuk e zgjidhi problemin që Japonia kishte me naftën.

Pushtimi i fushave aziatike të naftës rezultoi diçka e lehtë, por ngarkimi i saj në anije dhe kthimi në Japoni nuk qe i tillë. Nga vitin 1945, bllokada e nëndetëseve nga SHBA, si dhe bombardimi nga ajri i ujërave japoneze, kishte asgjësuar flotën cisternë të Japonisë, aq sa japonezët prenë pyjet për të prodhuar karburant të papërpunuar për aviacionin. Sulmi ndaj Amerikës mendohej t’i garantonte Japonisë një sasi të pakufizuar nafte, por në vend të kësaj ajo çoi në shkatërrimin e perandorisë.

Stalingrad

Nëse kishte ndonjë lider të fiksuar pas naftës, ky qe Hitleri, i cili ankohej shpesh se “gjeneralët e mi nuk dinë asgjë për aspektet ekonomike të luftës”. Por ndryshe nga Fyhreri i tyre, ata do të kishin preferuar diçka tjetër më të mirë, sesa të dërgonin pancerat e tyre në një betejë të çmendur për të pushtuar fushat e naftës.

Përpjekja gjermane për të mposhtur Bashkimin Sovjetik në një fushatë të vetme “Blitzkrieg-u” dështoi në verën e vitit 1941. Deri në qershor të vitit 1942, ushtritë e dobësuara gjermane ishin të forta vetëm sa për të filluar një offensive të re në vetëm një sektor të frontit të madh rus. Hitleri i përqendroi dizivionet e tij më të mira në jug të Rusisë, për të vënë në kontroll fushat e pasura me naftë të Kaukazit.

Edhe pse “Operacioni Blu” nisi mirë dhe në gusht thuajse arritën në Stalingrad, gjermanët u përballën shumë shpejt me një dilemë:të gruponin forcat e tyre dhe të drejtoheshin për në jug për të pushtuar fushat e naftës, apo të vazhdonin drejt perëndimit për të pushtuar Stalingradin, që cilësohej si një gardh mbrojtës kundër forcave sovjetike të grumbulluara në brendësi të Rusisë.

Në mënyrë tipike Hitleri u përpoq që t’i rrëmbente të gjitha.

Ushtritë gjermane u ndanë, një pjesë përparoi drejt Kaukazit, dhe pjesa tjetër drejt Stalingradit. Në të dyja frontet ata qenë pranë suksesit, por s’kishin trupa apo furnizime të mjaftueshme për të përmbushur misionin e tyre. Nazistët s’mundën të pushtonin qendrat e nxjerrjes së naftës në Grozni dhe Baku, edhe pse ata mund të mburreshin se kishin ngulur flamurin e tyre në Elbrus, malin më të lartë në Kaukaz.

Ndërkohë, në veri, sovjetikët marshuan në heshtje me forcat e tyre për një kundërgoditje në Stalingrad. Brenda 6 muajsh, ekspedita gjermane në Kaukaz qe në tërheqje të plotë, ndërsa më shumë se 100.000 gjermanë u dorëzuan në Stalingrad, duke shënuar një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore. Ëndrrat me naftë, përfunduan me shpartalimin e endrrës së hekurt të Hitlerit.

Lufta e Çisternave Iran-Irak

Lufta Iran-Irak vazhdoi për 8 vite me rradhë, 1980-1988, duke shkaktuar qindra mijëra të vrarë. Të frustruar nga ngërçi në terren, të dyja palët kërkonin të godisnin armikun e tyre përmes naftës. Iraku filloi luftën kundër çisternave të naftës në vitin 1984, duke sulmuar industrinë dhe anijet tregtare të Iranit.

Teherani u kundërpërgjigj me sulme ajrore dhe detare kundër anijeve të Irakut dhe fushave naftë-nxjerrëse, më e rëndësishmja, vendosi mina detare në Gjirin Persik. Pavarësisht sulmeve mbi 450 anije, asnjëra palë nuk qe në gjendje të rrënonte tjetrën ose ta detyronte të dorëzohej.

Por Lufta e Çisternave prodhoi një rezultat të madh:ajo nxiti Shtetet e Bashkuara të përfshiheshin në luftime të drejtpërdrejta me Iranin, pasi luftanijet amerikane filluan të patrullojnë trafikun tregtar në Gjirin Persik. Pasi minat dhe raketat iraniane dëmtuan anijet civile dhe një destrojer amerikan, luftanijet, avionët dhe komandot amerikane shkatërruan anijet dhe objektet detare iraniane.

Pushtimi i Kuvajtit nga Sadam Huseini

Në vitin 1991, Iraku pushtoi Kuvajtin fqinj për shkak të mosmarrëveshjeve rreth borxheve të luftës nga Bagdadi, mbiprodhimin e naftës nga Kuvajti, dhe pretendimet irakiane se Kuvajti ishte me të drejtë pjesë e Irakut, dhe ndoshta me dëshirën për të shtënë nën kontroll rezervat e naftës. Ushtria irakiane pati pak probleme në mposhtjen e fqinjit të saj të vogël, por shumë shpejt ky pushtim e futi në mosmarrëveshje me Shtetet e Bashkuara, të cilat faktikisht kishin mbështetur pikërisht Irakun gjatë luftës Iran-Irak.

Pavarësisht një ultimatumi të OKB-së për t’u tërhequr nga Kuvajti, Sadam Huseini refuzoi të bindej. Rezultati ishte 500.000 trupa amerikane në Arabinë Saudite, një luftë-rrufe e SHBA-së në kuadër të operacionit “Desert Storm” dhe shkatërrimi i fuqisë ushtarake të Irakut. Ky i fundit kishte qenë më parë një prej fuqive të mëdha në botën arabe; etja për më shumë naftë e la Sadam Huseinin të rrënuar dhe izoluar.

Luftërat e SHBA-së në Irak

Nëse ishin dhe në çfarë shkalle qenë luftërat amerikane në Irak në vitin 1991 dhe 2003 të motivuara nga nafta, kjo është diçka mbi të cilën do të debatohet për vite me rradhë. Por edhe nëse në njëfarë mase ka pasur arsye të tjera për ndërhyrje masive ushtarake në Gjirin Persik, është e vështirë të besohet se Amerika do të kishte dërguar gjysmë milionë trupa, nëse Nigeria do pushtonte Kamerunin.

Prania e trupave amerikane në Arabinë Saudite, ndihmoi në rritjen e Osama bin Laden, Al-Kaedës dhe përfundimisht çoi tek sulmet e 11 Shtatorit. Kostoja e plotë e pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, do të paguhet nga taksapaguesit amerikanë për dekada të tëra. Për udhëheqësit amerikanë, dhe shumë të tjerëve gjatë gjithë historisë, çmimi i naftës është provuar në fakt të jetë më i lartë, sesa çdokush mund ta imagjinojë. / National Interest – Përgatiti: bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button