MACA E MUTFAKUT TONË

Gjatë jetës sime kurrë s’i kam dashur macat dhe qentë, e di se do më thoni i prapambetur, gjithë vendet e zhvilluara perëndimore jo vetëm që i duan e i ushqejnë, por edhe i mbajnë në dhomat e tyre  si fëmijët e vet.

Nëse mendojmë në këtë mënyrë se përparimi njerëzor qenka rruajtja e macave në dhomat e ndejeve, gabim e keni, atëherë edhe Lokja ime, apo si i thosha unë, Nëna Plakë e imja, paskërka qenë më pëparimtare se këta perëndimorët, pasi edhe ajo mbante një macë në mutfakun e shtëpisë së vjetër të asaj kohe të prapambetur, por të lezetshme, për të rruajtur, miellin, misrin, grurin e gjëra të tjera nga minjtë e shumtë që vërtiteshin rreth e përqark mutfakut. Ishte macë jo si këto të perëndimorëve të mbyllura e të robëruara nëpër dhoma, të pa dobishme, po kjo ishte shumë intelegjente, lara-lara dhe e bukur, që në moment i kapte minjtë e i faronte një nga një. Me një fjalë ishte roja 24 orëshe e tërë shtëpisë sonë të vjetër.

Shpesh herë maca e Nënës sime plakë ishte në zort të madh prej një maçokut korb të zi që sallakohej rreth e përqark shtëpisë e mutfakut tonë. E, Lokja ime e urrente shumë keq këtë maçok të zi, kur i afrohej macës, çfarë gjente përpara, këpucë, gur apo shkop, gjuante me inatë e me sa fuqi ndaj maçokut për ta shpëtuar macën tonë të gjorë, Nëna e ruante macën më shumë se  time motër të madhe. Ajo, shumë frikohej prej qenëve dhe macave të zeza. Kur e pyesja se pse frikohesh?

Nëna më thoshte, qentë dhe macat e zeza janë të krijuara nga djajtë. Kur ndonjëra prej tri motrave të mia largohej pa lejen e Nënës Plakë, ajo u thoshte, ku ishe moj macë? Kur motrat bënin ndonjë gjestë të mirë ose të hieshëm, nëna plakë e imja, përsëri ju thoshte, maca. Maca e mutfakut tonë ishte shumë interesante, kur i jepje diçka për të ngrënë, afrohej e nuk ikte, bëhej sikur të shoqërohej e  faleminderohej; kur tinëz,  bënte ndonjë dëm që neve s’na pëlqente, merrte ndonjë ushqim pa lejen e Nënës Plakë, ajo ikte me vrap dhe humbej, sikur e kuptonte dëmin e bërë.

Kur kthehej në shtëpi, shpesh e rrihnim dhe e qortonim për dëmin e bërë, e ajo, ulëte kokën teposhtë, mbyllte sytë, mblidhej galuc, mjaullinte, e më dukej mua sikur kërkonte falje për gabimin dhe dëmin e bërë. Atëherë pse shumica e njerëzve nuk kërkojnë falje ndaj dëmeve të bëra? A s’janë macat më të mençura se shumica e njerëzve të sotëm, të cilët bëjnë me mijëra dëme, e kurrë nuk kërkojnë falje sikurse maca e mutfakut tonë???

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button