Vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare

Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” e mbështetur nga mijëra qytetarë, edhe sonte vazhduan me protestat e tyre të cilat filluan që nga data 27 e muajit të kaluar kundër platformës shqiptare, si dhe në mbështetje të presidentit Gjorge Ivanov, i cili refuzoi të mandatojë kreun e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM) për të formuar qeverinë e re të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ata në shenjë proteste u tubuan para godinës së Qeverisë së Maqedonisë, për të marshuar drejt Kuvendit të Maqedonisë nga ku organizatorët apeluan që të mos pranohet platforma shqiptare, e cila sipas tyre “është përgatitur nga Tirana zyrtare dhe synon të dëmtojë karakterin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë”. Protesta përfundoi në mënyrë paqësore, ndërkohë organizatorët paralajmëruan se do të protestojnë edhe ditëve të ardhshme.

Protestuesit të cilët platformën shqiptare e konsiderojnë si pengesë për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin, thonë se “nuk do të pranojnë kryetarin e ri të Kuvendit nëse ai pranon kërkesat në platformën shqiptare”.

Protesta me kërkesa të njëjta mbahen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë. Një ndër kërkesat kyçe është refuzimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonise, sepse sipas tyre, “përdorimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin e do të çojë vendin drejt ridefinimit”. Siç thonë organizatorët, “Maqedonia duhet të angazhohet në përgatitjen e një platforme të re dhe të mos pranohet platforma shqiptare”.

Protestat e inicuara nga kjo iniciativë filluan nga 27 shkurti i këtij viti, kur kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ia dorëzoi presidentit Ivanov dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, ndërsa presidenti Ivanov pas dy ditëve të njëjtën e refuzoi duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocionon për platforma të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënohet shteti unitar, sovraniteti dhe pavarësia”.

Paraditen e sotme, LSDM-ja e mbështetur nga deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët, dorëzoi iniciativën për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Iniciativa e mazhorancës së re parlamentare e dorëzuar në Kuvend numëron 67 deputetë prej gjithsej 120 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. E njëjta u pranua nga kryetari në largim i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski, i cili do të kryesojë seancën konstituive të përbërjes së nëntë parlamentare.

Veljanoski njoftoi se mesditën e të martës do të mbahet takim koordinues i grupeve parlamentare, ku do të vërtetohet përbërja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, që do të shërbejë si bazë për caktimin e vazhdimit të seancës konstituive.

Kjo iniciativë e LSDM-së është rezultat i konsultimeve disaditore mes partive parlamentare, pas pothuasje 80 ditë nga verifikimi i mandateve të deputetëve. Përbërja e nëntë e Kuvendit të Maqedonisë u konstituua më 30 dhjetor të vitit të kaluar me verifikimin e mandateve të 120 deputetëve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, mirëpo u ndërpre për shkak të mos sigurimit të një shumice parlamentare për të zgjedhur kryetar të ri të Kuvendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button