Presidenti Thaçi: Ushtria do të bëhet, s’ka kthim prapa

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Kolegjit UBT dhe ka bashkëbiseduar me ta për shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat është duke kaluar shteti ynë.

Në ligjëratën e tij në UBT, presidenti Thaçi ka thënë se si shtet po kalojmë nëntë vjet të themelimit dhe gradualisht kemi arritur që të konsolidohemi dhe forcohemi.

“Kemi arritur t’i kemi 114 njohje ndërkombëtare. Presim  njohje të reja në ditët e ardhshme. Kemi arritur të anëtarësohemi në shumë organizata ndërkombëtare. Në veçanti ka qenë vit i jashtëzakonshëm ky i kaluari sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat sportive ndërkombëtare si UEFA, FIFA”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti ka thënë se synimi dhe qëllimi, por edhe vizioni ynë, është që të jemi sa më shpejtë pjesë e familjes evropiane dhe pjesë e NATO-s.

Ai është ndalur me theks të veçantë edhe tek krijimi i ushtrisë së Kosovës, si dhe tek Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin ndëretnik në Kosovë.

“Duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi, të drejtën e një vendi të pavarur dhe sovran, unë kam iniciuar këto ditë projektligjin në përputhje të plotë me procedurat, rregulloren e punës së Kuvendit, pra projektligjin për themelimin e ushtrisë së Kosovës apo transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga misioni civil në atë ushtarak”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ky propozim e ka edhe parahistorinë e vet, sipas presidentit Thaçi, sepse FSK-ja është një forcë që e kemi krijuar nga zero, në kuadër të transformimeve apo shpërbërjes së TMK-së dhe pastaj fillimit të ndërtimit të FSK-së, në pjesën e dytë të vitit 2008 dhe fillimit të vitit 2009.

“Ka qenë një proces krejt i mbikëqyrur, i trajnuar prej faktorit ndërkombëtar, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, me të drejtë të plotë në vitin 2014 kemi marrë vendim dhe kemi pasur mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar, të SHBA-së dhe NATO-s, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. S’ka më kthim, ushtria do të bëhet”, ka thënë ai.

Për shkak të zhvillimeve të brendshme politike, presidenti Thaçi ka thënë se asokohe spektri politik ka hezituar që të votojë në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura.

“Në atë kohë kemi humbur një shans, të cilin jemi munduar ta përmirësojmë gjatë tërë këtyre tri vjetëve, mirëpo pas zgjedhjeve 2014, ngërçit politik që ka ndodhur dhe ardhjes së Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës është krijuar një realitet krejt tjetër”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se Lista Serbe e ka dhënë përgjigjen e saj për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe serbët e Kosovës po shfrytëzohen vetëm si karta për nacionalizmin e autoriteteve në Beograd.

“Pas kësaj përgjigje shumë të qartë, për fat të keq u krijua një realitet që në vend që të shkojmë me ndryshime kushtetuese, duhet të lëvizim me ligj, gjë që lejon edhe Kushtetuta edhe e drejta jonë ligjore si shtet sovran”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti ka thënë se nuk mund të anëtarësohemi as në NATO dhe në asnjë mekanizëm tjetër, madje as të fillojmë procesin e partneritetit për paqe, pa e themeluar ushtrinë.

“Do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë faktorin relevant politik. Do të vazhdojmë të punojmë me shoqërinë civile. Do të vazhdojmë të punojmë me mediat, me të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ky proces të ketë sukses të plotë”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Kemi pasur 109 nënshkrime për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Besoj se do t’i kemi 110 deputetë të Kuvendit të Kosovës që do ta mbështesin plotësisht themelimin e ushtrisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Kurse, për iniciativën e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ndëretnik në Kosovë, presidenti Thaçi ka thënë se ai komision do të jetë i pavarur, i paanshëm dhe do të udhëhiqet prej përfaqësuesve të dy komuniteteve, shqiptare dhe serbe.

“Jam shumë i vetëdijshëm se këto projekte nuk fitojnë ndonjë duartrokitje apo nuk paraqesin ndonjë entuziazëm në kuptimin populist, por edhe jam shumë i bindur se janë projekte dhe qëndrime të drejta për vendin tonë dhe të ardhmen euroatlantike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun, presidenti ka konfirmuar se do të respektohet plotësisht ajo rezolutë.

Në bashkëbisedë me studentët e Kolegjit UBT, presidenti Thaçi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button