Na hutoi krejtve, digjitalizimi i Maqedonisë

Inovacioni, eliksiri i përparimit, përgjatë historisë ka shkurtuar vende pune. Gjatë Revolucionit Industrial punët artizanale u zëvendësuan me mekanizma të motorizuara. Në revolucionin e tashëm digjital të 30 viteve të fundit shumë vende pune e humbën kuptimin ekonomik. Sa prej miqve tuaj punojnë si daktilografë sot për shembull?

Për ata që si puna ime besojnë se progresi teknologjik ka krijuar një botë më të mirë, këto kontraindikacione janë të pranueshme si pjesë natyrore e procesit. Edhe pse risitë teknologjike zhdukin disa vende punësh, ato në parim krijojnë punë të reja dhe më të mira, me atë që një shoqëri më produktive bëhet më e pasur dhe me këtë edhe më kërkuese. Po të krahasohet ndarja e punës në Maqedoni por edhe në rajon, vërehet një zhvendosje e fuqisë punëtore nga bujqësia dhe puna manifakturale në punë intelektuale. Përqindja e bujqve është ulur, por prodhimi bujqësor nuk ka pësuar, ndërkaq rritje ka te numri i të shkolluarve në shkenca të tilla si shkencat teknologjike, ekonomike, shoqërore.

Por a ka vend për shqetësim? Nga aspekti social, ndryshimet në dhjetëvjecarët e ardhshëm do të jenë të mëdha. Një studim nga Univerzitetit te Oksfordit parashikon që në 20 vjetët e ardhshme, do të zhduken 47% e profesioneve të tashme. Revolucioni digjital po transformon procesin inovativ në vete. Mjafton të shikohet efekti i platformave të internetit që kanë digjitalizuar profesione të tilla si shitjen (Amazon) dhe marketingun (Facebook). Të dyjat këto kanë nisur si “biznese garazhesh” në fjalorin origjinal amerikan, për t’u transformuar në supergjigandë. Shembulli më I mirë që spjegon zvogëlimin e nevojave për fuqi punëtore është rasti i Instagram: kur Facebook e bleu për më shumë se 1 bilion dollarë, Instagram kishte 13 punëtorë dhe 30 milion shfrytëzues. Ndërkaq Kodak që në kohën e saj më të mirë numëronte më shumë se 140.000 punëtorë, vetëm pak muaj pas kësaj blerjeje spektakolare bankrotoi. 

Aspekti tjetër i analizueshëm është efekti mbi kapitalin social. Falë disponueshmërisë të begatë të resurseve liria e e-bizneseve nuk është e kufizuar vetëm për ata që kanë kapitalin. Por mënyra se si ndahet kapitali nga ata që krijojnë zhvillimin është e padrejtë. Në kuptimin që pasuria tenton të anojë nga ata që janë bartës të këtyre ndryshimeve, në kurriz të klasës së mesme. Hendeku mes klasës së pasur dhe asaj të mesme në vitet në vijim do të shtohet akoma më shumë. Ndryshimet e këtilla krijojnë paqartësi dhe rrjedhimisht trazira sociale, aq të fuqishme sa mund të ndryshojnë sisteme politike. Si shembull po marr revolucionet marksiste-socialiste të fillimit të shekullit XX që erdhën si pasojë e kësaj mosbarazie në ndarje të pasurisë që pasuan revolucionin industrial dhe politikat kolonialiste. 

Ajo që Marksi megjithë gjenialitetin e vet nuk arriti të zbulojë si mënyrë për të përmirësuar mirëqenien e shoqërisë në kohën e tij, është shumë e thjeshtë. Sekreti, parë nga pikëpamja e të sotshmes është rritja e nivelit të sistemeve edukative. Një nga arsyet e përmirësimit të fotografisë sociale gjatë Revolucionit industrial ishte hapja e gjeneralizuar e shkollave – një hap I madh për kohën kur shkollimi nuk ishte privilegj i masave. Në një botë si e jona që sa vjen e po kompjuterizohet dhe me perspektivën e të ashtuquajturës intelegjencë artificiale, sistemet edukative duhet të pësojnë ndryshime dramatike për formën dhe mënyrën në të cilën ushqejnë kreativitetin e studentit. Shkollat e të sotmes duhet t’i sigurojnë njerëzimit epërsinë e mendjes njerëzore duke ndryshuar sistemin mësimor nga ai I të mësuarit nga të tjerët në një sistem që do të krijonte mendje që mund të mendojnë vetë në mënyrë kritike.

Në realitetin tonë vendor, qeveria pohon se ka investuar shumë në rritjen e nivelit arsimor, duke masivizuar shkollimin dhe duke u munduar të afrojë teknologjinë në shkolla por edhe nëpërmjet investimeve të huaja që të shërbejnë si motiv për studentët e tashëm dhe të ardhshëm të shkencave cfarëdoqofshin ato. I përgëzoj këto përpjekje si shumë “forward-thinking” – para kohës së vet, kuptohet nëse do të ishin bërë në formën dhe mënyrën në të cilën mendoj unë që janë idejuar si politika arsimore dhe e cila më duket e drejtë. Po përmend rastin e librave të shumtë akademikë të përkthyer e të financuara me fonde publike kryesisht nga anglishja për univerzitetet e shumta vendase. Po citoj një fjali të nxjerrë nga një libër studimi të fakulteteve të ekonomisë të cilën shpresoj që dikush nga ju do të mund ta deshifrojë – ju them me sinqeritet se nuk ka gabime drejtëshkrimore të qëllimshme nga ana ime: “të drejtave pronësore aftësinë e individëve për të veta dhe të kontrollit të burimeve të kufizuara”. Mendoj që qëllimi është të spjegohet pronësia intelektuale, por nuk jam i sigurtë.

Me një sistem edukativ të papërshtatshëm për kohën, edhe shoqëria jonë do të zbehet para sfidave të erës digjitale. Mendoj që është koha e fundit që t’u qasemi këtyre problematikave me seriozitetin dhe kritikën më të madhe. Në një botë ku ndarja bëhet sa vjen e më shumë nëpërmjet parimeve të meritokracisë, lindën pyetja se sa jemi të përgatitur t’i bëjmë ballë kësaj vale të re revolucionare që kanos kaq shumë?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button