LSDM e dorëzoi iniciativën, ja çfarë thonë nga Kuvendi

“Tani është sjellë iniciativa në Kuvend, ashtu siç tha edhe Oliver Spasovski, pritet që të ketë koordinim, pas koordinimit se si do vijojnë punët nuk e di”. Kështu deklarohet për Portalb.mk, këshilltari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për marrëdhënie me opinionin, Todor Pendarov, pas dorëzimit të iniciativës për vazhdimin e seancës konstituive në Kuvend, në të cilën duhet të zgjidhet kryetari i ri i shtëpisë legjislative.

Iniciativën me nënshkrimet e 67 deputetëve të partive LSDM, BDI, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, e dorëzoi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski i cili tha se, tani pret që të thirret seancë koordinative me të gjitha partitë për t’i shqyrtuar opsionet për kryetar të ardhshëm të Kuvendit.

Në pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse Veljanovski nuk e thirr seancën, Spasovski tha se “çdokush duhet të jetë në shërbim të detyrës, të ketë përgjegjësi dhe të mos i mbajë peng institucionet”.

Deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, në emisionin e mbrëmshëm “Rruga Drejt” në  Alsat M deklaroi se beson që Veljanovski nuk do ta pengojë procesin sepse kjo sipas Xhaferit, për të do të nënkuptonte përgjegjësi penale.

“Ka afat kohor që është dhënë për t’u përmbyllur këto sende dhe ne presim këto ditë që kjo të përmbyllet, nesër, pasnesër, besojmë që duhet të përmbyllet. Mendoj se Trajko Veljanovski do të reflektojë kundrejt kërkesës së 67 deputetëve që të vazhdojë me seancën sepse besoj se nuk do të pranojë edhe ai personalisht të bëhet pjesëmarrës i një vepre penale, për pengimin e sistemit juridik të vendosur këtu me kushtetutë”, deklaroi mbrëmë Xhaferri.

Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit filloi me 30 dhjetor dhe atëherë vetëm u verifikuan mandatet e deputetëve. Mbetet që të zgjidhet kryetari i Kuvendit, i cili sipas spekulimeve mediale, pritet të jetë nga radhët e BDI-së.

Sipas procedurës, kryetari i Kuvendit  zyrtarisht do të deklarojë se ka shumicë parlamentare dhe do të kërkojë mandat nga presidenti për programin e Qeverisë së re.

Në ndërkohë, kryetari Gjorgje Ivanov i cili mbetet në qëndrimin e tij që të mos ia jep mandatin liderit të LSDM-së, Zaevit, pas vizitës dy ditore në Azerbejxhan do të kthehet në Maqedoni. Bëhet e ditur se e ka anuluar vizitën në Australi që e kishte planifikuar të shkojë kah fundi i majit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button