MOS LUANI MAJTAP!

Në rrethana mesjete si këto të vendit të çudirave, kur turma njerëzish të dëshpëruar mjerimesh kërkojnë lirinë e tyre, duke uzurpuar lirinë dhe të drejtat e tjetrit, poeti shkruajti:

Askush mos të harrojë se asht njeri:
ju le nuk keni për t’gjallue si shtazë,
po për të ndjekë virtyt e dituni…

Pa dyshim, kjo klithmë prometeike zhvesh dhe sot fqinjin tim dhe rrënon iluzionin e të ardhmes së përbashkët me të.

Ç’pamje makabre!

Akademikë, klerikë, aktorë, shkrimtarë, filozofë, mjekë, piromanë luftënxitës, jevgjitë me daulle zhurmëmëdha dhe këngë mbi kletite shiptari!

Ku e ka burimin gjithë ky mllef, Perëndi?! Kulti mbi sëpatat, zjarret dhe komorat e gazit?! Kush i orkestron britmat e paartikuluara të mjerimit, fashizmin akademik, fiksidetë donkishoteske, ëndrrat e qelbura prehistorike?!

Keq, për Zotin!, sepse askush nuk e di sa do të zgjasë gërdia dhe si do të përfundojë groteska në regjinë e mbretit sharlatan? Sa do të jetojë makoastma e quajtur albanofobi dhe polifemi shqiptar që ia prish gjumin miletit antik?

Për ata që akoma s’janë goditur nga damllaja e syve, Platoni i urtë tha: Për njeriun është më i dashur shteti që ofron më shumë të drejta, liri dhe të mira të tjera… Së këndejmi, edhe laraskat e kanë të qartë se shqiptarët nuk mund të jenë lojalë (në fakt: nuk u lejohet) ndaj shtetit i cili i gudulis xhelatët e tyre potencialë – tifozët e komorave të gazit. Prandaj, nëse projektet për zhbërjen e të mallkuarve dhe marshet e rikomponuara të luftës do të vazhdojnë të trajtohen si lodra fëmijësh, atëherë dihet: do ta detyrojnë edhe shqiptarin më të fjetur nga ninullat e vëllazërimbashkimit të ecë rrugës së tij, sepse, dorën në zemër: në stinën e gjuetisë legale të indianëve, më shumë josh kalldërma e keqe se sa udha fluide e parajsës…

Ekziston një dallim ndërmjet dy bashkësive të vendit të çudirave, të cilin shqiptari i thjeshtë e shpjegon troç: ne nuk i duam – ata na urrejnë. Dakord: mbase kjo është karakteristikë e akujve mentalë të Ballkanit, ama ndërmjet të mos e duash dhe ta uresh, ka koxha dallim, ashtu siç ka dallim ndërmjet betejës politike për të drejtat e mohuara padrejtë­sisht dhe ulërimave histerike kundër gjuhës, kulturës dhe ekzistencës fizike të tjetrit, bashkëqytetarit, bashkëvendësit.

Dikush duhet të vajtohet me gajde, apo?!

Paramendoni! Të urtit, që në shekullin e IX, arritën t’i bindin bizantinët, latinët dhe hebrenjtë për budallallëkun e përmbledhur në idenë e tri gjuhëve hyjnore të Zotit, ndaj çfarë t’u thuhet sot kokëkrisurve që e ruakan gjuhën e tyre ­hyj­nore duke bërë zap gjuhën shqipe – njërën ndër më të lashtat dhe më të veçantat e kontinentit evropian?!

Do ma lejoni supozimin: mos luani majtap!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button