Analizë javore: Tre muaj pas zgjedhjeve, Maqedonia ende në limbo politike!

Tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat pas 11 dhjetorit duhej t’i japin fundin krizës politike dhe të hapin faqen e re në ardhmërinë demokratike të shtetit, Maqedonia ende po fundoset. Presidenti Gjorge Ivanov është me qëndrim të fortë se nuk janë plotësuar kushtet për dorëzimin e mandatit të shumicës së re parlamentare me 67 deputetë: LSDM -49, BDI – 10, Besa- 5 dhe Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë. Shteti edhe më tej mbetet i robëruar nga presionet e VMRO-DPMNE e cila fitoi 51 mandate për deputetë (eventualisht edhe dy nga PDSH), derisa anëtarësia dhe simpatizuesit i ftojnë qytetarët për çdo ditë në protesta të cilat mbahen në  shumë qytete në shtet, njofton “Civilab“.

Nën moton “Për Maqedoni të përbashkët”, ata kërkojnë që lideri i LSDM, Zoran Zaev ta refuzojë, siç e quajnë “Platformën e Tiranës”, të mos ketë ndryshime në Kushtetutë, të flamurit, himnit dhe parave, të mos ketë dygjuhësi dhe të formohet qeveria e pakicës me VMRO-DPMNE, deri në zbatimin e zgjedhjeve të reja.

Shumica parlamentare paralajmëroi negociata për zgjedhjen e presidentit të Kuvendit

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në selinë e partisë, me mbështetje të fuqishme nga udhëheqësia dhe anëtarët e partisë, para publikut e promovoi programin e ardhshëm të Qeverisës së re. Ai ishte i vendosur se në programin e ri nuk ka hapësirë për ndryshime të Kushtetutës, tha se nuk do të ketë as dygjuhësi në paratë, as do të ndryshohen simbolet shtetërore, as do të ketë dygjuhësi në uniformat partiake. Në pajtim me kushtetutën, në mjediset në të cilat jetojnë mbi 20% popullsi të etnive tjera, qytetarët do të kenë mundësinë që në institucionet shtetërore të drejtohen në gjuhën e tyre amtare.

Mirëpo, pavarësisht nga paraqitja kategorike e Zaevit, i cili në ekspozenë e tij i demantoi të gjitha akuzat e mediave pro-qeveritare për ndarje të shtetit, për kantonizim, për përfshirjen e interesave nacionale, protestat e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” – vazhdojnë. VMRO – DPMNE menjëherë pas ekspozesë i bëri thirrje Zaevit ta refuzojë të ashtuquajturën Platformë të Tiranës.

Nga Besa lajmëruan se programi të cilin e paraqiti LSDM është kornizë, e cila duhet të zgjerohet dhe të jetë gjithëpërfshirëse edhe për çështjet të cilat kanë të bëjnë me Shqiptarët. Në këtë fazë, thonë, do të përmbahen nga komentet për hollësirat nga programi i paraqitur nga LSDM, sepse ende nuk është zhbllokuar dorëzimi i mandatit për presidentin e LSDM. Mirëpo, pasi t’i dorëzohet mandati, do t’i prezantojnë vërejtjet dhe sugjerimet, që të arrihet një program gjithëpërfshirës i Qeverisë së ardhshme.

Zëdhënësi  Bujar Osmani, deklaroi që BDI nuk pajtohet  se uniformat dhe paratë dygjuhësore janë në kundërshtim me kushtetutën, përkundrazi, sipas partisë, ato janë plotësisht në kornizat e Kushtetutës, si dhe pasaportat dygjuhësore, të cilat shfrytëzohen nëpër gjithë territorin e Maqedonisë vite me radhë.

Vazhdojnë lojat politike në gjykatën e Maqedonisë

Prokuroria Speciale Publike ka kërkuar paraburgim për pronarin e TV Nova, Sead Koçan, i dyshuari kryesor në rastin “Trust”. Nga PSP e informuan opinionin se për vendimin e tillë të Gjykatës Penale, nuk janë të informuar zyrtarisht. Pas adresimit zyrtar të PSP, nga Këshilli Penal janë informuar se është arritur vendimi për ankesën e PSP, por se ajo do të dorëzohet në mënyrë plotësuese. Ndrëkohë që Ministria për Punë të Brendshme ka shpallur edhe urdhër arresti ndërkombëtar për Koçanin.

Mbrojtja dorëzoi edhe ankesë për vendimin, ndërsa nga Gjykata e Apelit thonë se nuk kanë pranuar një lëndë të tillë?! Avokati i Koçanit, Nikolla Dodevski, deklaroi për mediat se është relevante se ku gjendet dhe kur do të kthehet Sead Koçan, sepse vlerëson që vendimi i Këshillit Penal është kundërligjor.

“Ai është njeri i lirë dhe mund t’i realizojë të gjitha detyrat e tij të punës”, vlerëson mbrojtësi i Koçanit.

Kryeministri i mëparshëm Nikolla Gruevski dhe 13 të akuzuarit tjerë, nuk erdhën në dëgjimin e caktuar për rastin “Dhunë në Komunën Qendër”. Pa kërkuar shpjegim nga mbrojtja, për arsyet e mosardhjes së të akuzuarve në Gjykatë, gjykatësja Tatjana Mihajllova në mënyrë urgjente, për dhjetë minuta e prolongoi dëgjimin. Ajo e dërgoi lëndën në Gjykatën e Apelit, që të vendoset  për ankesat e PSP. Mbrojtja vlerëson se nuk ekzistojnë kushte për mbajtjen e dëgjimit, dhe për këtë arsye askush nga të akuzuarit nuk ka ardhur në Gjyq.

Sipas avokatit të Gruevskit, Nikolla Dodevski, “ derisa nuk vendos Këshilli, nuk ekzistojnë kushte për fillim të procesit”.

Opinioni  pro-demokratik edhe më tej në shënjestër

Protestat qytetare po shndërrohen në mjedis të sulmeve mbi gazetarë nga mediat me qasje kritike. Pas ekipit të portalit A1 On, u sulmua edhe ekipi i TV 24, ndërsa adresohen edhe kërcënime verbale ndaj gazetarëve dhe kameramanëve nga të gjitha mediat tjera të cilat nuk janë të “afërta” me VMRO –DPMNE. Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, Agjencia për Media Audio dhe Audio Vizuale dhe Këshilli për etikë reaguan për sjelljen e këtillë të pjesëmarrësve në protestat e organizuara nga iniciativa qytetare “ Për Maqedoni të përbashkët”. Përveç zbardhjes së rasteve nga MPB, ata kërkojnë urgjentisht të mundësohen kushtet për punën e ekipeve gazetare.

CIVIL – Qendra për Liri tregoi se sulmi i fundit mbi gazetarët nuk është incident i izoluar, por është dhunë, si pjesë e imazhit të protestave që nga fillimi i tyre.

“Rrihen gazetarë të cilët e kryejnë punën e tyre, ta informojnë opinionin për ngjarjet. Sulmohen aktivistë për të drejtat e njeriut, dhe persona publik. Kjo është e papranueshme dhe duhet menjëherë të ndërpritet!”, kërkoi Civili.

Nga ana tjetër, Policia e Financave për momentin i “kreh” dokumentet e 13 organizatave qytetare, nga të cilat janë marrë dokumente të cilat kanë të bëjnë me grante nga Agjencia për  zhvillim ndërkombëtar të SHBA – USAID. Nga fondacioni Shoqëria e Hapur Maqedoni, e Xhorxh Sorosit, deklaruan se bëhet fjalë për presion të fuqishëm mbi sektorin qytetar, për arsye se inspektorët nga Drejtoria  për të Ardhura Publike që nga muaji dhjetor kanë hyrë në rreth 20 organizata qytetare.

Bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Ivanovit ta dorëzojë mandatin

Për momentin po ushtrohet ofensivë e fuqishme diplomatike në drejtim të Presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, me qëllim ta “inkurajojë”, që në kornizat e Kushtetutës, t’ia jep mandatin shumicës parlamentare. Apelimet nga Bashkësia ndërkombëtare janë – Ivanovi urgjentisht ta rishikojë vendimin e tij.

Edhe pse, shefja e Diplomacisë Evropiane Federika Mogerini, pas turneut nëpër Ballkan, në mënyrë të hapur dhe të qyrtë e porositi: “Mos luani me zjarr!’’, Ivanov mbetet në qëndrimin se nuk janë ndryshuar kushtet dhe se ekzistojnë pengesa për dorëzimin e mandatit Zoran Zaevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button