Poeti Daimi Miftari, një muaj në Rezidencën e Shkrimtarëve në Tiranë

Poeti Daim Miftari, krijues nga Maqedonia, hap sezonin e sivjeçëm në Rezidencën e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë”Poeteka Tirana in Between 2017″.

Daim Miftari( 1979) ka botuar disa libra me poezi, ndërsa arti i tij poetik është vlerësuar nga kritik dhe krijues si akademiku Ali Aliu, sipas të cilit Daimi është njëri ndër poetët më të talentuar në poezinë e sotme shqipe, Lindita Ahmeti, Shqiptar Oseku, Salajdin Salihu etj. Ai e quan fat dhe privilegj përzgjedhjen në Rezidencën e Tiranës: “Ç’mund të kërkoj më tepër një krijues se një hapësirë të tillë, ku do të mund të shkruajë në një atmosferë më të relaksuar, në një vend të bërë enkas për shkrimin, për t’iu përkushtuar me tërë vëmendjen, vetëm poezisë.

Është kënaqësi e veçantë të jesh edhe në mesin e stafit të Poetekës në krye me shkrimtarin Arian Leka, të njihesh për së afërmi me krijuesit dhe jetën letrare atje, me jetën në përgjithësi të Tiranës për një muaj rresht”, shprehet poeti Daim Miftari. Ai do të qëndrojë brenda shtëpisë së shkrimtarit gjatë muajit prill, dhe është shqiptari i dytë nga Maqedonia që përzgjidhet për Rezidencën e Tiranës, pas shkrimtarit Luan Starova në vitin 2014.

Shkrimtarë në Rezidencën e Tiranës nga Maqedonia deri më tani kanë qenë Bogomil Gjuzel, Nikolla Madzirov, Elena Prendjova. Rezidenca e Shkrimtarëve në Tiranë organizohet nga Poeteka në bashkëpunim me rrjetin evropian për letërsi Traduki dhe Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, ku çdo vit përzgjidhen për rezident, autorë nga Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button