Maqedoni, duhet të dënohen udhëheqësit arsimor që bëjnë agjitim politik

Në arsimin e Maqedonisë  ka nevojë serioze për sanksione ndaj udhëheqësve,  për shkak politizimit të nxënësve, thonë ekspertët. Ata janë kategorik se nuk mjafton vetëm zbardhja e problemit të dërgimit të porosive politike në shkolla, por sipas tyre, që politizimi të largohet nga shkollat duhet që nxitësit të dënohen, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Rrastin më të freskët të politizimit në arsim e gjejmë në Prilep, ku drejtori i gjimnazit, me fjalim politik i ka bindur nxënësit të dalin në protestë “Për Maqedoni të përbashkët”, por nxënësit e kanë inçizuar dhe e kanë publikuar bisedën në rrjetet sociale.

Ish ministri i Arsimit, Nenad Novkovski tha se drejtorët nuk guxojnë  as të mendojnë e as të veprojnë në mënyrë të organizuar me nxënësit. Sipas tij,  në këtë rast drejtori i ka shkelur dispozitat ligjore.

“Ekzistojnë detyrime ligjore, kjo absolutisht nuk duhet të ndodhë dhe organet kompetente duhet të kryen kontrolle në çdo moment, siç merren me shumë punë të cilat janë më pak të rëndësishme, të dërgojnë inspektorë vazhdimisht nëpër shkolla dhe fakultete. Kjo është punë e cila është e dukshme dhe duhet menjëherë të sanksionohet. Ministri gjithashtu e ka për detyrë që menjëherë t’i sanksionojë ata drejtorë të cilët i kanë ftuar nxënësit të marrin pjesë në aktivitete politike”, deklaroi Novkovski.

Ai shtoi se në këtë rast bëhet fjalë për shprehi të cilat janë rrënjosur nga sistemi i kaluar shtetëror.  Ai thekson se viteve të fundit kjo sjellje përsëri po zhvillohet.

Urania Pirovska nga Komiteti i Helsinkut duke folur për agjitimin politik nëpër shkolla tha se ata disa herë janë drejtuar deri te organet kompete për raste të indoktrimit të fëmijëve, por letrat e tyre kanë mbetur pa përgjigje serioze. Të rinjtë shumë shpesh keqpërdoren për qëllime politike gjatë kohës së zgjedhjeve, dhe pas zgjedhjeve, për momentin në protesta, tha Pirovska.

“Ne në të gjitha rastet jemi drejtuar edhe te Inspektorati  i Arsimit edhe te drejtorët. Shpesh ka ndodhur të ndërpritet me aktivitete e tilla po rezultati real, gjegjësisht, mbikëqyrje inspektuese që do të përfundonte me sanksione nuk kemi vërejtur deri tani. Për shkollat në Prilep tani i drejtohemi Inspektoratit të Arsimit. Nëse nuk ndërmerr masa mund të dorëzojmë padi penale. Por, ajo që është kyçe është se shteti faktikisht i inkurajon procedurat e tilla në vend se t’i ndalojë”, tha ajo.

Pirovska shtoi se ata që pësojnë nga ky mos-sanksionim janë të rinjtë.

“Më e rrezikshmja është se te ata  ky indoktrim politik në fund mbaron me incidente, lëndime trupore dhe dhunë. Indoktrimi është më shumë në bazë etnike. Problem i madh kanë qenë incidentet e vitit 2013 kur ka pasur incidente në autobusë, që ndodhën para zgjedhjeve të vitit 2014”, tha Pirovska.

Në Maqedoni shumë shpesh ka ndodhur që fëmijët të jenë pjesë e fushatës zgjedhore me paraqitjen e tyre nëpër billborde reklamuese të partive  politike. Ka pasur edhe mjaft ankesa të prindërve të cilët janë ankuar se në orë profesorët u kanë folur nxënësve për opsion të caktuar politik. Shumë shpesh agjitimi politik është kryer edhe para shkollave duke pasur parasysh se në vendet e vogla shkollat janë edhe vendvotime.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button