Tillerson në Japoni: Koreja e Veriut të heqë dorë nga programi bërthamor

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson u takua me homologun e tij japonez Fumio Kishida, raporton Anadolu Agency (AA).

Tillerson i cili në kuadër të turneut të tij në Azi, vizitën e parë e realizoi në Japoni, në konferencën për media të organizuar me homologun e tij japonez Kishida, theksoi se bashkëpunimi me aleatët e SHBA-ve, Japoninë dhe Korenë e Jugut kundër kërcënimit të Koresë së Veriut është “shumë i rëndësishëm”.

“Bashkëpunimi trepalësh SHBA, Japoni dhe Kore e Jugut është tejet i rëndësishëm veçanërisht nëse konsiderohen programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut”, tha Tillerson.

Tillerson i bëri thirrje Koresë së Veriut që të heqë dorë nga programet e saj bërthamore dhe raketat balistike. Ai tha se Koreja e Veriut nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga SHBA-të.

Ai gjithashtu tha se përpjekjet diplomatike dhe të tjera të SHBA-ve për pastrimin e Koresë së Veriut nga armët bërthamore nuk kanë dhënë rezultate. Tillerson nuk dha detaje me atë se çfarë politike do të ndjekë administrata e Donald Trump-it në lidhje me këtë çështje.

Tillerson dhe Kishida i bënë thirrje Kinës që t’i bëjë presion qeverisë në Phenian për ndryshime.

Nga ana tjetër ministri i Jashtëm i Japonisë, Kishida tha se fakti që vizita e parë në këtë turne të Tillerson-it është në Japoni nënkupton që Washingtoni i jep rëndësi marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Mes SHBA-ve dhe Japonisë ka një lidhje të palëkundur”, tha Kishida.

Sekretari amerikan i Shtetit Tillerson pritet të takohet me kryeministrin japonez Shinzo Abe. Në kuadër të turneut në Azi do ti vizitojë Korenë e Jugut dhe Kinën.

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, më 7 mars zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin japonez Shinzo Abe dhe Zëvendës Presidentin e Koresë së Jugut Hwang Kyo-ahn, për të cilët kishte dhënë garanci kundër testeve raketore balistike të Koresë së Veriut më 5 mars.

Qeveria e Phenianit nëpërmjet një deklarate për agjencinë zyrtare të lajmeve KCNA, ka thënë se Koreja e Veriut është e shqetësuar nga stërvitja e përbashkët mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut më 1 mars dhe se ishte kërcënuar me sulm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button