Durim i pafund

Kaluan më tepër se tre muaj nga zgjedhjet ndërsa ne nuk gjetëm zgjidhje të krizës sonë politike, institucionale, juridke dhe mbi të gjitha, reale. Shumë popull i durueshëm paskemi qenë, kjo po që është e qartë! Fillimisht e duruam sundimin e Gruevskit për 10 vite të tëra. Heroikisht e duruam, zërin nuk e ngritëm. Për politikanët tanë dhe durimin e tyre të pafund, të mos flas fare, njerëz më të qetë nuk kishte pasur në tërë globin. Me vite të tëra të gjitha votat e fituara nga populli që rishtazi e rishtazi u jepte shansin e përsëritur të udhëheqin me shpresë se kësaj rradhe do të mbushen me mend, ata ia dhurnonin me fiongo të kuqe sundimtarit të pakontestuar i cili i mbante nën kontrollë në atë që më vonë u bë i njohur si “koalicioni i tenderëve”. Derisa populli një ditë të bukur dhjetori u mërzit më nga pritja dhe nga shansat e dhëna e të pashfrytëzuara të politikanëve “patriotë” dhe tha “Mjaft!” dhe votoi për ndryshim. Votoi që t’i jepet fund krizës institucionale, arbitrarizmit të pushtetit, sundimit të forcës dhe kidnapimit të institucioneve shtetërore. Votoi për kthim në rrugën drejt perëndimit, drejt procesit të integrimeve euro-atlantike, tash më të harruar e të kthyer prapa me vite të tëra. Votoi për një të ardhme më të mire për fëmijët e vetë, duke kapur momentine fundit kur ende nuk kanë fluturuar të gjithë zogjtë në destinacionet e ndryshme të botës perëndimore, atje kur gjuha shqipe nuk është zyrtare e ku flamuri shqiptar nuk valëvitet pranë institucioneve shtetërore, por ku mjeku i ri shqiptar e sheh qartë perspektivën e vetë të ndritur ndërsa ekonomistja e re shqiptare është e qetë se fëmijët e saj do të kenë një jetë më të lumtur se ajo.

Thenia popullore se durimi sjell shpëtimin (apo sabri sjell selametin) nuk duket te jetë e saktë për nënqiellin ballkanik. Njerëz të durueshëm këta ballkanasit, edhe pse në botë njihen si gjaknxehtë dhe pjesëmarrës në konflikte të përgjakshme traumat nga të cilat jehojnë ende ndër vite dhe kërcënojnë me kthimin e tyre sa here që situatat “nxehen” e veçanërisht kur kriminaliteti mbush kupën dhe fillon të rrjedhë.

Prag të lartë të tolerancës paskemi pasur për shumë gjëra negative: për abuzimin me pushtetin dhe për vjedhjet e mëdha, për ndotjen marramendase të ambientit që të zë frymën, për korrupsionin që lulëzon në çdo sferë të shoqërisë, për kualitetin jo-eksistues në arsim… Njerëz të durueshëm paskemi qene!

Dhe akoma vazhdojmë me durimin tone të pafund. Bartësit e funksioneve të larta shtetërore tallen paturpësisht me këtë durim. Paturpësisht dhe në mënyrë të hapur kryejnë krime, ngjallin urrejtje, thërrasin në luftë nga mediumet që i kontrollojnë, dhe shkojnë lirshëm në shtëpi pa bartur kokrën e përgjegjësisë për të gjitha pasojat e veprimeve të tyre. E çfarë populli i durueshëm e zgjedh dhe e mban në krye të vendit për dy mandate rend si shef shteti Gjorge Ivanovin që është i gatshëm mandatin t’ua jape kangurëve të Australisë por assesi Zaevit i cili ka guximin të mendojë të bëjë qeveri me “shqiptarët e mallkuar”?! Papritur, pas 25 vitesh pavarësi të këtij shteti, koalicionimi me partitë shqiptare u bë krim dhe u shpall si i dëmshëm për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e vendit. Dhe ne si qytetarë të durueshëm e shikojmë në mënyrë pasive Ivanovin si tallet me vullnetin tonë, si shkel paturpësisht mbi Kushtetutën dhe mbi ligjet e vendit, si e han për mëngjes Kodin penal dhe pastaj niset fluturimthi në udhëtimet e tij rreth botës, Azerbajxhan, Australi, e kushedi ku tjetër, derisa vendi mbetet bosh, pa asnjë institucion shtetëror funksional, dhe pa mandatin e dhënë për formimin e një qeverie të re. Popull i durueshëm se jo mahi!

Të durueshëm jemi. Të trajnuar për tolerance ndaj kriminalitetit. Derisa Sead Koçan me ose pa Ibizza-n e tij ka ikur poashtu jashtë shtetit, ndërsa avokati i tij, dhe jo vetëm i tij, por njëherit i gjithë familjes kriminale që sundon me Maqedoninë për 10 vjet, e interpreton në mënyra të ndryshme kreative Ligjin për procedure panale duke treguar se kur vendimi për paraburgim bëhet i ekzekutueshëm dhe duke elaboruar që klienti i tij na qenka njeri i lirë që ka shkuar në udhëtim zyrtar, dhe që nuk ka fare rendësi se ku tamam gjendet në këtë moment! A ka arrogancë më të madhe se kjo, a ka tallje më të madhe me inteligjencën e njeriut se kjo?!

Dhe krejt kjo shikohet në mënyrë pasive nga qytetarët e durueshëm të cilët e ndrojnë kanalin e lajmeve dhe shohin ndonjë debat ku flitet për të drejtat e kahmotshme të shqiptarëve që doemos pikërisht në këtë moment duhet të realizohen, pikërisht tani, kur shumica e shqiptarëve të këtij vendi nuk votuan as për gjuhën as për flamurin por votuan për demokracinë dhe për dhënien fund të paprekshmërisë së personave bartës të funksioneve publike, votuan që paratë e vjedhura të kthehen dhe dikush të bartë përgjegjësi për keqpërdorimin e tyre. E tani pikërisht në këtë moment, u kujtuan partitë shqiptare që me ngulm të kërkojnë ralizimin e gjithë asaj që me ngulm nuk e kanë realizuar deri më tani dhe tani me durim të madh, dhe elokuencë të pashoqe sqarojnë se pse e kanë shumë të vështirë ta bëjnë qeverinë e t’i japing fund krizës, sepse ne nuk i kuptojmë, por ata qenkan në hall të madh dhe kësaj rradhe e paskan vendosur të mos lëshojnë pe.

Të durueshëm jemi dhe me durim e shikojmë urrejtjen që përhapet rreth nesh si murtajë e që rrezikon të na gllabërojë të gjithëve e të na bëjë pjesë të saj. Me durim presim që dikush të vetëdijësohet, që të huajt të na ndihmojnë që disi, çuditërisht ose në mënyrë magjike të dalim nga ky vorbull ku na solli pikërisht durimi yn i pafund e i pashoq.

Në kohën e Ciceronit, një senator romak i quajtur Catilina, ka komplotuar në mënyrë të fshehur për të bërë grushtshtet, ashtu si që në mënyrë të hapur institucionet tona shtetërore luftojnë kundër rrendit juridiko-kushtetues të këtij vendi. Fjalimi i CIceronit me të cilin ai para senatit romak i ka shpalosur qëllimet e Catilinës ka mbetur i njohur në histori. Ai fjalim fillon me pyetjet: “Quo usque tandem abutere, Catilina, patientia nostra? Quam diu etiam furor iste tuus nos eludet? Quem ad finem sese effrenata iactabit audacia?” që në shqip përkthehen: “Deri kur do të abuzosh me durimin tone, o Catilina? Deri kur do të vazhdosh të na tallësh me çmendurinë tënde? A thua kur do të përfundojë kjo arroganca yte e shfrenuar që përhapet paturpësisht rreth nesh?”. Grushtshteti i Catilinës ka dështuar, por ky grushteti që po na ndodh neve assesi të dështojë!

E në ndërkohë, Prokuroria special del me raportin e saj ku tregon për materialet e reja të dëgjuara dhe për një sërë veprash të reja të zbuluara. Ndërsa afati i saj për të ngritur aktakuza po skadon, e ne me durim presim që kjo të ndodhë.

Popull i durueshëm kishim qenë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button