Rute: I kemi thënë stop populizmit të gabuar

Kryeministri i Holandës, Mark Rute, shënoi fitore kundrejt politikanit anti-islamik, Gert Uilders, në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

Ai pas fitores deklaroi para mbështetësve të tij të cilët u tubuan për ta festuar fitoren e tij, se me siguri partia e tyre për të tretën herë do të jetë më e madhja në Holandë.

“Holanda i tha ‘stop’ llojit të keq të populizmit. Duam t’i përmbahemi trendit që kemi: të sigurt, të qëndrueshëm dhe të begatë”, u tha Rute mbështetësve në Hagë.

Me më shumë se 90 përqind të votave të numëruara, Partia Popullore për Liri e Rutes ka fituar 33 vende në Parlamentin prej 150 vendesh.

Partia Liria e Uildersit ka dalë e dyta me 20 deputetë, ndërsa Demokristianët dhe partia e qendrës D66 kanë fituar nga 19 deputetë.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 81 përqind.

Liderët evropianë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, e uruan kryeministrin e Holandës për fitoren.

“Një votë për Evropën, një votë kundër ekstremistëve”, tha Junker.

Zgjedhjet në Holandë janë të parat prej tri palë zgjedhjeve që mbahen këtë vit në Evropë e që shihen si test për unitetin e Bashkimit Evropian, në kohën e rritjes së ndjenjave nacionaliste në kontinent.

Në Holandë dje u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në të cilat morën pjesë 28 parti, respektivisht 1.114 kandidatë, të cilët kanë luftuar për 150 vende deputetësh.

Të drejte vote kishin 12,9 milionë banorë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button