Dhembja si metafizikë poetike

 

Daim Miftari: “Përtej mureve” (poezi), Shkup 2016

a) Vetmia rebeluese

Sipas filozofit të njohur Fridrih Niçe, atdheu i poetëve është vetmia. Megjithatë, fillimisht nevojitet të kuptojmë se kjo nuk është një botë aq absolute e cila mjaftohet vetëm me shtrirjen brenda vetes së saj, si një koncept tipik robinsokrusian, por medoemos i tejkalon kufijtë e mbylljes së ngushtë dhe shndërrohet në një univers më të gjerë. Pa dyshim i tillë është edhe Daim Miftari me librin poetik “Përtej mureve”, i cili ndonëse i ngulitur kryekëput në suaza të vetmisë së vet, prapëseprapë, mund të thuhet se lehtësisht i shpërthen muret e saj dhe bredh gjithandej me anë të përfytyrimit dhe shllimit poetik, duke arritur ta krijojë një komunikim të ndjeshëm artistik me lexuesin.

Në të vërtetë, brenda librit në fjalë vetmia e tij shfaqet në mënyrë rebeluese, kryeneçe, ngulmuese, shpërthyese, për arsye se vetëm ashtu mund t’i rrënojë të gjitha pengesat që e rrethojnë atë, duke mbërritur deri në pikat më të largëta dhe më të thella njëkohësisht; herë duke u ngjitur lart deri në qiell, e herë duke zbritur poshtë nën tokë, herë duke ecur horizontalisht nëpër hapësirën objektive, e herë duke u futur vertikalisht në qenien subjektive të njeriut. S’do mend, kjo është një lëvizje mjaft e natyrshme e cila realizohet me anë të një imagjinate të pasur. Dhe me anë të saj ndërton një vizion të caktuar, thjesht si një determinim estetik të asaj që e ndjen dhe që e përjeton në qenien e vet të trazuar.

Prania e tij në kohë dhe hapësirë është shfaqje ontologjike në kuptimin e fizikut dhe psikës, por njëherësh mund të cilësohet edhe si një abstragim i tyre në mënyrë të tërthortë. Përmes një gradacioni shtjellues e shohim duke krijuar një motërzim të ngjashëm ekzistencial, pra si një paralelizëm të mundshëm me vetveten, mbase si një lloj dytëshori i cili do të jetonte njëlloj brenda atij mjedisi ku tani gjallon dhe vepron:

nëse nuk do të isha unë

tjetërkush do të banonte

në apartamentin ku sot banoj unë

(fq. 13)

Fundazi, pikërisht me anë të kësaj filozofie ekzistencialiste, ai sikur përpiqet të bëjë relativizimin e konceptit fizik, ose pohimin dhe mohimin e tij, por edhe praninë substanciale të qenies shpirtërore. Ndaj filozofia e këtillë plekset me një ndjenjë të veçantë artistike, e cila bëhet pjesë aktive e përkapjes sonë, duke na provokuar që ta ndjejmë si një pjesë përbërëse, ose si një formë identifikuese të vetvetes. Sigurisht, kjo aq më tepër e zgjeron dhe e thellon semantikën metaforike të poezisë.

c) Dilemat e krijimit

Në librin “Përtej mureve” të Daim Miftarit që në fillim e vërejmë dilemën krijuese si një sprovë apo ballafaqim i vazhdueshëm dhe i natyrshëm. Sado që autori shkruan për gjëra që i ndjen thellë në shpirt, përsëri shfaqet një hamendje brenda qenies së tij, e cila e përplas midis të mundshmes dhe të pamundshmes, ose asaj që është dhe asaj që mund të jetë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për procesin e ndërlikuar të krijimtarisë, ai në radhë të parë e ngjall edhe ndjenjën e dyshimit ndaj saj. Dhe si rezultat i kësaj thotë:

mund të vijë një ditë kur thua

ashtu si me mllef

në djall vafshin të gjitha poezitë e mia

të shkruara e të pashkruara

sa shumë jam lodhur me to

(fq. 9)

Megjithatë, një dilemë e këtillë s’është asgjë tjetër, përveçse ndërgjegje e plotë krijuese, e cila e bën autorin më të vendosur në rrugën e kërkimit poetik. Shikuar në këtë aspekt, ai e ndjen aq thellë poezinë e tij, sa e paraqet atë si ndonjë qenie të gjallë, ose si ndonjë bashkëbiseduese të tij. Për këtë arsye flet në mënyrë të drejtpërdrejtë:

nisu poezia ime

përtej maleve shko

përtej fushave

udhëto siç udhëton një i syrgjynosur

e fortë qëndro

poezia ime

(fq. 23)

S’do mend, në këtë rast ai dëshmon qartë se poezia është një udhëtare e cila mbërrin në një pikë të caktuar, prandaj dëshiron që ajo të ecë vazhdimisht drejt cakut të saj. Tërthorazi na e bën me dije se ajo duhet të jetë në rrugën e saj drejt lexuesit.

Përballë dilemave krijuese, autori nganjëherë ndodhet edhe në ngërç. Pra poezia mbetet vetëm si një ndjenjë e mbyllur e cila nuk shfaqet dot nëpërmjet diskursit artistik. Mund të jenë shumë gjëra që vlojnë në shpirtin e tij, por që nuk arrijnë ta gjejnë rrugën e duhur për të dalë në formë të vargjeve. Dhe për sa i përket kësaj, autori shprehet kështu:

uturijnë në mua

gjëra që s’i shkruaj

(fq. 54)

Mbase është e nënkuptueshme se krijuesit i nevojitet një forcë e veçantë për t’i shprehur gjërat në mënyrë poetike. Në rastin konkret dëshmon se ai ndihet i pafuqishëm, por edhe tepër i kthjëllët për gjendjen. Kështu vetëdija e tij krijuese arrin në një shkallë të lakmueshme si një perceptim real për pjekurinë që i nevojitet një autori.

b) Dhembja si metafizikë

Duke menduar për gjërat që kanë ndodhur në një kohë dhe hapësirë të caktuar, autori gjithmonë ndjen një dhembje të thellë në shpirtin e tij, në radhë të parë duke u ballafaquar me mungesën e disa njerëzve të dashur, duke folur me mallëngjim të zjarrtë për ta, duke i përfytyruar gjithë kohën si të gjallë, duke i lartësuar emociaonalisht përmes vargut poetik etj. Sidomos këtu mbizotëron dashuria ndaj nënës e cila nuk jeton më fizikisht, por është shumë e pranishme shpirtërisht. Tërë dhembjen që ndjen për të e shndërron në një dialog të brendshëm lirik, duke i dhënë forcë emocionale e filozofike shprehjes dhe ligjërimit poetik.

Në këtë mënyrë mund të themi se dhembja e tij nuk është thjesht vetëm një diskurs spontan e shpërthyes, por edhe një metafizikë e cila kalon nëpër shtigjet e shumta të përjetimit, duke ndërtuar kështu një gjithnajë të veçantë artistike. Dhe kjo është një aftësi krijuese për t’i kuptimësuar gjërat që ndodhin brenda qenies shpirtërore të njeriut. Gjithçka vjen si një kujtim i fuqishëm për t’u formësuar brenda vargut të tij, ose si një riminishencë poetike me përmasa të gjera. Dhe kështu shllimi i tij rrjedh si një lëndë shumë e ngjeshur poetike, përplot variacione tekstuale e nëntekstuale, si vizion i mundshëm për atë që ka ndodhur dhe që mund të ndodhë në një moment të caktuar.

Përpjekja e pareshtur e këtij autori për ta përkufizuar dhembjen si një ode poetike, mbase është një synim parësor me të cilin identifikohet çdo përjetim personal përballë rrethanave jetësore. Në fund të fundit, dhembja nuk është aspak e huaj dhe e pakapshme në aspektin njerëzor, por, gjithsesi, është një ndjenjë e njohur plotësisht njerëzore dhe reale. Dhe, siç thotë poeti:

ngjitet shkallëve të apartamentit tim

sa herë që i bie ndër mend

(fq. 20)

Prandaj, nëpërmjet saj arrin ta shprehë gjendjen në të cilën ndodhet, duke u ballafaquar me peshën e rëndë të saj, e cila përplaset me hove të pandërprera, qoftë duke u shpalosur në formë të kujtimeve që i ruan brenda vetes, qoftë edhe në formë të përjetimeve të cilat paraqesin momente të theksuara jetësore.

Në të vërtetë, këto janë ndjenja dhe parandjenja të shpeshta që sillen midis reales dhe ireales, të mundshmes dhe të pamundshmes, përfytyrimit dhe realitetit. Rrjedhimisht kjo është një dialektikë ekzistenciale e cila zhvillohet vetvetiu. Pra, si e tillë është ndodhi reale, e cila pastaj manifestohet edhe si metafizikë poetike.

Me sa duket autorit sikur i mjafton ta parandjejë në vetvete, që pastaj ajo të ndodhë ashtu siç e ka përfytyruar, si motërzim të mundshëm poetik. Bie fjala, vdekja e nënës shfaqet a priori si një parandjenjë e cila një ditë do të ndodhë patjetër. Dhe teksa e sheh nënën e tij, ai thotë me ndjeshmëri:

vdekja i shkon vërdallë

ia vështron brazdat e ballit

flokët e bardha ia ledhaton

fije për fije

(fq. 35)

Në këtë mënyrë autori ec nëpër një vijë paralajmëruese e cila më vonë shndërrohet në një vijë të fuqishme metafizike për ta ndërtuar një vizion të plotë artistik. Dhe kjo bredhje nga i gjalli tek i vdekuri shembëllen si një shtegtim baladik, duke zhdukur kufijtë dhe pengesat objektive. Prandaj, në këtë kontekst, ai shprehet qartë:

do të vish ti prapë

te kjo shtëpi

që përmallshëm

vështron nga rruga

dhe të pret ty

 

paçka se zemra jote

do të jetë

si një guralec i ftohtë në shi

se nëna

nuk është më

 

paçka se si i ardhur nga një botë tjetër

do të vështrosh

(fq. 42)

E gjithë kjo dëshmon se autori jeton me barrën e dhembjes e cila shfaqet në forma të ndryshme, duke krijuar lidhjet e ngushta të njeriut të gjallë dhe të vdekur, përkatësisht bashkëbisedimin shpirtëror ndërmjet nënës dhe djalit.

ç) Diskursi i rrjedhshëm

Në fund vlen të theksojmë se të gjitha poezitë e vëllimit “Përtej mureve” të autorit Daim Miftari janë ndërtuar si një koncept lirik në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Autori i përmbahet kësaj në mënyrë shumë të përqëndruar, me një përkushtim maksimal, duke mos shkarë në asnjë rast në pozita deklarative e skematike.

Diskursi i tij poetik është shumë i rrjedhshëm dhe i natyrshëm, ai del si një materie e ngjeshur, përplot shpirt e ndjenjë, duke krijuar një identitet të plotë lirik.

Prandaj vendosmëria e tij për të hyrë me vetëdije të plotë në fushën e artit poetik, gjithsesi është një ambicje e shëndoshë e cila aq më tepër e lë të hapur rrugën e tij drejt krijimtarisë poetike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button