Nebulozat e një akademiku

 (Përkitazi me deklaratat e Mitko Manxhukov lidhur me platformën e  partive shqiptare e cila, kinse, po e rrezikon Maqedoninë nga Shqiptarët dhe Islami)

Në kohën e krizës më të rëndë politike që ndonjëherë është përjetuar në Maqedoni, në kohët kur ajo gjendet ndoshta buzë konflikteve brendaetnike dhe ndëretnike që kanosen ta zhbëjnë fare, në opinion dëgjuam një “profeci”  ndjellakeqe të një kukuvajke e cila veten e quan akademik. ”Kur kukuvajka (qyqja) ndalet mbi pullaz, prite ndonjë vdekje”, thotë populli. Por, kjo qyqe, po tenton të bëjë folenë mbi pullazin e një shteti të tërë dhe po e shumëfishon rrezikun nga “profecia”.

Thënë troç, ato që i tha “akademiku”  Mitko Manxhukov janë gjëra të turpshme dhe vetëm se i përforcojnë thashethemnajat sipas të cilave në ASHAM, përskaj mendjeve të ndritura, mbijetojnë edhe dofarë destruktivë që akoma funksionojnë me mendjeboshësinë e do kohëve të perënduara

Mbeta pa fjalë nga deklarata e Manxhukovit lidhur me iniciativën fisnike dhe shumë demokratike të mazhorancës së re parlamentare në drejtim të avancimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni. Ky zotëri që do duhej të jetë njëri nga mendjendriturit e këtij vendi, dukshëm i ngarkuar me urrejtje ndaj çdo gjëje që është e ndryshme nga qenia e tij kombëtare dhe fetare, tha se ajo iniciativë shpie ”drejtë shkatërrimit të karakterit të krishterë dhe ortodoks të vendit tonë…”, duke këmbëngulur që shqiptarët të heqin dorë nga platforma e tyre politike.

Po ashtu, Manxhukov tha se tani qenka koha që shqiptarët të kërkojnë falje pse ju paska rënë ndërmend të formulojnë një platform të atillë, kurse “të huajtë” duheshka të distancohen nga ajo sepse me atë platformë shkatërrohet Maqedonia, në fakt ajo do bëhet Shqipëri dhe do shpie drejt projektit që quhet Shqipëria e Madhe.

Sinqerisht, nuk kisha dëgjuar deri tani ndonjë intelektual  aq shumë ta zhvlerësojë popullin e vet, shtetin, fenë. Po e pyes publikisht zotëriun “akademik”: Cfarë populli na qenka ky, çfarë shteti e çfarë religjioni, nëse po u shkatërruakan nga një iniciativë e thjeshtë për avancimin e të drejtave të një populli tjetër? Kaq mendim të ulët paskeni ju për popullin maqedonas, për shtetin e Maqedonisë dhe për krishterizmin dhe ortodoksinë, apo ndoshta jeni në dalalet në shpurthjet e juaja për të kryer edhe ndonjë detyrë që ua kanë ndarë mentorët e juaj që janë në ikje e sipër!

Për fat të mirë, unë kam mendim shumë më të lartë edhe për popullin maqedonas, edhe për Maqedoninë, edhe për krishterizmin. Unë besoj që populli maqedonas edhe di edhe mundet, se Maqedonia do bëhet shtet, se krishterizmi dhe ortodoksia do të mbijetojnë. Edhe pse, jam i bindur,këto që i përmenda janë dukshëm të rrezikuara pikërisht nga mendjet e ndryshkura siç është ajo e Manxhukovit, akademikut që nuk po mund të kuptojë se me nebulozat e veta aq shumë dëm po ju sjellë atyre për të cilët po thotë se i do.

Zotëriu Manxhukov dhe të ngjajshmit vetëm duhet të kuptojnë këto fakte: Maqedonia nuk është vetëm shtet i maqedonasëve, jemi të shumtë edhe ne Shqiptarët, por ka edhe të tjerë. Maqedonia nuk është “vend i krishterë dhe ortodoks”, dhe si të atillë askush nuk po përpiqet ta “islamizojë e ta shqiptarizojë”. Në Maqedoni, përveç të krishterëve ortodoksë, jetojnë edhe muslimanë, katolikë, protestantë, hebrenjë. Maqedonia është shtet shekullar dhe këtu nuk ekzistojnë popuj dhe fe “ të dorës së parë dhe të dorës së dytë”. Maqedonisë i nevoiten miq dhe fqinjë të mirë, maqedonasëve ju nevoiten shokë dhe komshinjë mbi të cilët mund të mbështeten.

Dhe, sa për të mos haruar, Maqedoninë do ta mbrojmë edhe ne Shqiptarët, sepse është edhe shteti ynë. Nuk ia dorëzojmë bandave të kriminalizuara e të korruptuara, nuk lejojmë që ata të na hasmërojnë me fqinjtë tanë, do e mbrojmë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare e ndëretnike, do insistojmë për të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha fetë. Do i mbrojmë të gjitha këto nga Manxhukov dhe nga ata sikur ai.

Krejtë në fund, më duhet të konstatoj edhe një gjë! Të gjithë ne që jetojmë në Maqedoni, presim që ASHAM të jetë burim i mendimit të avancuar shkencor dhe i ideve të reja e progresive. Deri sa aty do frymojnë ide retrograde e fashiste sikur ajo që kishte të bëjë me këmbimin e territoreve dhe të popujve, sikur enciklopedia e turpshme e stërmbushur me urrejtje, sikur nebulozat e Manxhukov, ky institucion do të konceptohet si një “ekspozitë fosilesh”. Unë jam i bindur se ASHAM nuk do i lejojë vetes një gjë të këtillë sepse aty ka akademikë shumë të urtë, Shqiptarë e Maqedonë, të vetëdijshëm se fjala e tyre ka peshë të veçantë në këto kohë të trazuara.

E Manxhukov le të vazhdojë të lëvizë në drejtimin në të cilin është nisur, le të hedhë vaj në zjarr, le t’i shërbejë politikës ditore e cila quhet “ditore” sepse tretet me të perënduar dielli.

Maqedonia vuan për një demokraci të vërtetë, atë e mbrojnë njerëzit e orientuar drejt evrointegrimeve dhe jo njerëzit që i urrejnë njerëzit e tjerë të cilët i takojnë një kombi a një feje tjetër. Dhe, të mos harojmë, “qyqja bën vezë në çerdhe të huaja”.

Autori është shef i kabinetit të Reisul Ulemas së BFI-së

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button