Pa lejen e VMRO-DPMNE-së, Ahmeti nuk e ka ndërmend të pranojë seancë kuvendore (VIDEO)

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistë për TV21 theksoi se nuk duhet të thirret Kuvendi pa pasur marrëveshje paraprake mes partive më të mëdha maqedonase dhe shqiptare.

“Pa një marrëveshje të mirëfilltë mes palëve si përfaqësues të komuniteteve shumicë, LSDM-së, VMRO-së, BDI-së dhe partive tjera, ne nuk mund të bëjmë eksperimente dhe prova si në teatër, të shkojmë në parlament pa një marrëveshje paraprake. Dhe jo të shkojmë në parlament për të parë njëri tjetrin dhe për të shkëmbyer ca sharje dhe ofendime, por për të zhvilluar një seancë ku do të zgjidhet një komision për emërime, dhe të zgjidhet kryetari i Parlamentit”, tha Ahmeti.

Ahmeti nuk sheh tendenca proruse tek VMRO DPMNE, por thotë se Rusisë nuk i konvenon që Maqedonia të jetë e anëtarësuar në NATO dhe BE. Ai tha se po të kish vërejtur anësim drejt politikave pro ruse, nuk do të ishte pjesë e qeverisjes.

“Unë nuk kam vërejtur anësim, dhe nuk kam vërejtur implementim të politikave ndryshe nga ato perëndimore në këto hapësira, sepse po të kisha vërejtur një tendencë të tillë unë nuk do të isha në partneritet për organizim të qeverisë dhe të këtij shtetit”, shtoi ai.

Ahmeti komentoi reagimin e presidentit të Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, i cili nuk po pranon programin e LSDM-së, për shkak të platformës.

“Unë mendoj që presidenti më shumë e ka arsyetim, si pretekst çështjen e të ashtuquajturës platformë. Disa herë e kemi spjeguar që ajo nuk është një platformë, por një deklaratë nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, e hartuar mes partive politike. Mirëpo tani për çështje të politikave ditore keqpërdoret”, ka thënë Ahmeti.

hmeti nuk e la pa e përmendur se kërkesa e Lëvizjes Besa që kryeministri shqiptar, Edi Rama, ta pranojë autorësinë e Deklaratës së Përbashkët është përdorur nga Ivanovi dhe Gruevski maksimalisht.

“Mund që me keqardhje të them se në atë takim ku është hartuar, dhe jemi marrë vesh me partitë politike shqiptare që veprojnë këtu në Maqedoni, nuk ju është përgjigjur thirrjes një parti politike e quajtur Besa. Ata vazhduan edhe më tutje duke i bërë thirrje, letër të hapur kryeministrit të Shqipërisë, që ai të pranojë autorësinë. Një autorësi të paqenë, sepse ai nuk ka qenë autor, dhe unë në këtë rast nuk dua as ta arsyetoj e as ta amnistoj Shqipërinë, sepse Z.Rama bëri një akt vëllazëror”, u shpreh Ali Ahmeti.

“Mirëpo e keqja është se arsyet që i përdor Besa për të dalë me letër, që të pranojë autorësinë Zoti Edi Rama, këtu e ka shfrytëzuar edhe presidenti, edhe kryetari i VMRO DPMNE-së, Zoti Nikolla Gruevski, e kanë shfrytëzuar edhe analistë, duke thënë që ja një parti politike shqiptare po kërkon nga Edi Rama që të pranojë autorësinë”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Nje njeriu qe 16 vjet e ka manipulu miletin e vete,si mund ti zihet besè edhe per te ardhmen….
    Mjer mileti ,… ky eshte injorant dhe hipokrit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button