Partitë shqiptare kërkojnë mbledhjen e Parlamentit të Maqedonisë

Partitë politike shqiptare në Maqedoni konsiderojnë se rruga e vetme për dalje nga ngërçi politik është mbledhja e Parlamentit dhe formimi i Qeverisë së re.

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare për Radion Evropa e Lirë thonë se platforma e partive politike shqiptare në asnjë mënyrë nuk duhet parë si dokument që avancon vetëm të drejtat e shqiptarëve, por ajo garanton funksionimin e shtetit juridik dhe vendos shtetin në binarët e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike.

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti, për Radion Evropa e Lirë thotë se qytetarët e Maqedonisë e kanë kuptuar se pas protestave kundër avancimit të të drejtave të shqiptarëve synohet destabilizimi i vendit për të shpëtuar veten. Sipas tij, situata e sigurisë nuk mund të destabilizohet dhe as të nxiten incidente gjatë konstituimi të Parlamentit që pritet të ndodh gjatë kësaj jave.

“Jam i bindur se qytetarët e Maqedonisë e kanë kuptuar se organizimi i protestave kundër gjuhës shqipe bëhet për politikë ditore dhe nuk bëhet fjalë aspak për atë se forca të caktuara politike dëshirojnë ta ruajnë Maqedoninë dhe dikush tjetër dëshiron ta rrënojë atë. Pas protestave fshihen qëllime të tjera që të destabilizojë Maqedoninë për të shpëtuar veten. Mendoj se këtë porosi tanimë qartë e kanë kuptuar qytetarët e Maqedonisë. Prandaj pres që këto ditë të reflektojë me arsyeshmëri presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe Nikolla Gruevski dhe të lejojnë të zbatohet Kushtetuta, vullneti i qytetarëve për t’u formuar organet e Parlamentit. Pas kësaj, konstituohet Parlamenti i Maqedonisë”, vlerëson Izet Mexhiti.

Sipas tij ‘nxitja e urrejtjes ndëretnike’ përmes gjuhës së urrejtjes, më së shumti do ta dëmtojë vetë VMRO-DPMNE, e cila do të shkojë kah izolimi, thotë ai, sepse “realiteti në Maqedoni është i tillë që pa shqiptarët nuk mund të formohet Qeveria e re e Maqedonisë”.

Por deputeti Zeqiria Ibrahimi, njëherësh dhe nënkryetar i Lëvizjes Besa, për Radion Evropa e Lirë thotë edhe pse është më se e qartë se kriza në Maqedoni është politike dhe jo ndëretnike, ai druan se mund të inskenohen skenare për t’i përfshirë shqiptarët në një konflikt për të penguar transferimin e pushtetit.

“VMRO-DPMNE tanimë po jep sinjale se mund të ketë trazira nëse mbetet jashtë Qeverisë. Do të kishim dashur që shqiptarët të mos përfshihen në eskalimin e situatës sepse realisht kjo krizë në Maqedoni është krizë politike dhe jo ndëretnike. Andaj nuk ka se përse të përfshihen shqiptarët në trazirat eventuale në vend. Por nuk mund të parashikohen skenarët ku mund të përfshihen shqiptarët si pjesë e problemit”, thotë Zeqiria Ibrahimi.

Ndërkohë social demokratët edhe sot i kanë bërë thirrje VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit si drejtues i kësaj partie, që të mundësojnë transferimin e qetë të pushtetit duke e mbështetur programin për Qeverinë e re, Prokurorinë Speciale dhe njëherësh të pranojë faktin se do të shkojë në opozitë.

Përderisa VMRO-DPMNE e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, përmes një komunikate për media ka përsëritur dhe njëherë qëndrimin e partisë se do ta mbështesë Zaevin që të formojë Qeverinë, vetëm nëse ai në mënyrë të prerë e hedh poshtë platformën shqiptare. Në të kundërtën mund shfaqet revoltë e pa kontrolluar e qytetarëve, tha VMRO.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button