Alfano: Retorikë nacionaliste e tensione progresive në Ballkan

Shefi i diplomacisë italiane, Angelino Alfano kërkoi nga Tirana, në krah të homologut Ditmir Bushati, një impenjim konkret nga ana e BE-së në Ballkanin Perëndimor, pasi situata, sipas tij, në këto vende është e tensionuar, e shoqëruar me një retorikë nacionaliste nga ana e disa liderëve politikë, transmeton Top Channel.

“Ballkani Perëndimor është një zonë që ka rëndësi strategjike për të gjithë Europën. Pavarësisht arritjeve të konsiderueshme në kuadër të procesit të integrimit, risqet për destabilizim në rajon po rriten, duke vënë në pikëpyetje edhe rezultatet pozitive të arritura deri tani. Jemi duke asistuar në një shfaqje progesive të tensioneve mes vendeve të rajonit dhe kjo rritje e tensioneve është e shoqëruar me rritje të përdorimit të retorikës nacionaliste nga ana e disa liderëve politikë në rajon. Pikërisht për shkak të kësaj situate, BE-ja duhet të riafirmojë rolin e vet si partner kryesor në të gjithë këtë rajon dhe të dërgojë një mesazh të fortë konkret impenjimi në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Alfano.

Bushati, i pyetur nëse mazhoranca e majtë ka ndonjë plan konkret për të kaluar në votime me konsensus komisionet e vetting-ut, rikujtoi votën unanime të 21 korrikut 2016 për reformën në drejtësi.

“Plani i miratuar së bashku në ndryshimet kushtetuese është aty dhe ne nuk kemi çfarë të rishkruajmë, pasi është shumë e qartë që të gjithë aktorët politikë duhet që të sillen në përputhje me pritshmëritë që kanë qytetarët shqiptarë, partnerët tanë ndërkombëtarë, por dhe në përputhje me atë angazhim të përkthyer në votë në mënyrë unanime më 21 korrik 2016”, tha Bushati.

Alfano ka zhvilluar takime edhe me Presidentin Bujar Nishani dhe kryeministrin Edi Rama, ku është biseduar në kuadër të Samitit të Triestes me vendet e rajonit, që mbahet më 12 korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button