Parlamenti Studentor i UT-së organizon Natën e Filmit

Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës, tanimë gati një muaj organizon Natën e Filmit. Sipas kryetares së Parlamentit Studentor, Donika Kamberi, ky aktivitet ka për qëllim shfaqjen e filmave të ndryshëm, çdo të hënë në mbrëmje, dhe do të zgjasë deri në përfundimin e semestrit veror, për të vazhduar më pas në semestrin dimëror, në po të njëjtën ditë. ..Qëllimi ynë është që kjo iniciativë të vazhdojë në mënyrë tradicionale. Është një aktivitet që e kanë pranuar mirë studentët dhe deri më tani në çdo film që e kemi shfaqur, interesimi i studentëve edhe i profesorëve për t’i ndjekur ka qenë i jashtëzakonshëm. Struktura e Parlamentit Studentor që unë e drejtoj mbetet e përkushtuar në realizimin e iniciativave dhe ne do të mbështesim çdo iniciativë që është në interesin madhor të studentëve”, tha Donika Kamberi, kryetare e Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës.

Ajo, po ashtu u shpreh se Nata e Filmit ndikon shumë në emancipimin dhe përparimin e shoqërisë. ,,Për këtë arsye, ne mundohemi të zgjedhim filma motivues, inspirues dhe edukativ për studentët që në hapësirat e Universitetit të Tetovës, për rreth dy orë të mund të argëtohen dhe të shijojnë ndjesinë e të pasurit kinema në qytet”, shtoi mes tjerash kryetarja e Parlamentit Studentor të UT-së, Donika Kamberi.

Nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës njoftojnë se në të ardhmen do të realizohen edhe shumë aktivitete të tjera studentore, bashkë me organet e Parlamentit Studentor që funksionojnë në të gjitha fakultetet e UT-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button