7 marsi-Dita e Mësuesit, a është vërtet arsye për të festuar?!

Shkoi edhe kjo ditë festive, si çdo festë tjetër ish-proletare në Ballkan, kur vetëm po festohet, dhe nuk protestohet si gjithandej nëpër botë. Por vallë vërtet ishte kjo një festë për të përkujtuar dhe respektuar Mësuesin, si pishtarin e vetëm të përhapjes së diturisë, apo edhe kjo ishte një ditë tjetër e zymtë nën nënqiellin tonë të errët ballkanik?

Me kujtohen ditët e mia të rinisë, kur te mësuesi shihnim prindin tonë të dytë, dhe e dëgjonim gojëhapur çdo fjalë që ai nxirrte nga goja, sikur të ishin florinj të çmueshëm. Tek ai shihnim udhërrëfyesin e jetës dhe fenerin e dritës që do të na nxirrte nga errësira e tunelit, ndërsa qortimet e tij bashkë me ‘flakareshat’ qëllimmira nuk na dëshpëronin aspak por përkundrazi na motivonin dhe na dukeshin më se të dobishme në rrugëtimin e ndërtimit të personalitetit tonë, dhe të ngritjes kulturore dhe kombëtare të popullit tonë të përvuajtur.

Shumë prej nesh u frymëzuam nga ky vokacion fisnik dhe me krenari zgjodhëm rrugën e njëjtë të jetës te cilën e shihnim jo vetëm si një mision humanist dhe bujar, por edhe si një obligim kombëtar, për të çuar më tej rrugën tonë drejt iluminizmit shkencor dhe kombëtar, sikur të ishte kjo ëndrra jonë e vetme e jetës, për të cilën ishim të gatshëm të flijonim çdo gjë tonën, pa e kursyer jo vetëm jetën, por edhe mirëqenien tonë ekonomike familjare.

Ishin atëherë kohëra të turbullta dhe të rrezikshme, kur vetëm pse mbanje libra në çantë, ose nëse lexoje ndonjë literaturë të “ndaluar” ideologjikisht, mund të përfundoje në burg, si armik i popullit, dhe studimet ishin një privilegj i rrezikshëm, dhe jo secili kishte mundësi dhe ishte i gatshëm të shkonte deri në fund të kësaj rruge përplot peripecish dhe grackash të padukshme.

Megjithatë çdo ditë e kaluar dhe e përjetuar në këto kohëra transformimesh shoqërore ia vlente barra qirranë dhe do të na bënte më të fuqishëm intelektualisht dhe më të formuar kombëtarisht, sepse Libri ishte diçka e shenjtë si për studentët ashtu edhe për profesorët, si diçka që do të sillte lirinë dhe demokracinë për brezat e ardhshëm!

Studentët bashkë me mësimdhënësit e tyre u vunë në ballë të proceseve demokratike dhe liridashëse pa u hamendur fare që për këtë të sakrifikonin edhe jetën, sepse me këtë e trasonin rrugën për brezat e ardhshëm, për fëmijët e tyre, por dhe për prindërit që sakrifikonin edhe bukën e gojës për arsimimin e fëmijëve të tyre, pasi vetë kishin qenë të privuar pa dashjen e tyre, nga kjo e drejtë themelore njerëzore.

Kur e kthejmë kokën pas, për të rekapituluar ambicien tonë jetësore për të zëvendësuar me dinjitet mësimdhënësit tanë “heronj”, dhe kur gjykojmë dhe pyesim veten me kokë të ftohtë, vallë a ia vlejti, dhe a ia vlen akoma të hapërojme ballëlartë në këtë rrugëtim tonë idealist? A ndjehemi tani të përmbushur shpirtërisht dhe a mund të ndjehemi krenarë dhe fitimtarë në realizimin e objektivave tona jetësore dhe nacionale?!

Sa vlerësohet sot arsimtari në mjedisin tonë të ri demokratik, kur tashmë jemi të shkarkuar pjesërisht nga droja e ndalesës dhe rrezikut potencial që deri dje na sillte leximi i literaturës së ndaluar? A mund të pushojmë pakëz në qetësi tani kur nuk i kemi këto peripeci, kur e kemi fituar edhe të drejtën tonë për shkollim në të gjitha nivelet?

A i shohim tani studentet dhe nxënësit tanë të lexojnë dhe mësojnë me elanin dhe entuziazmin e njëjtë, siç bënin gjeneratat e mëparshme, tani kur kjo nuk u ndalohet por përkundrazi librat i gjejnë me bollëk, edhe nëpërmjet mediumeve elektronike?

Po ne mësuesit dhe arsimtarët, a jemi të njëjtët si “heronjtë” tanë që ishin aq të respektuar dhe të nderuar për profesionin e tyre fisnik dhe bujar, si nga nxënësit ashtu edhe nga prindërit e tyre, apo sistemi dhe kohërat kanë ndryshuar?

Vërtet tani a është festa e mësuesit, arsye për të festuar? A i shohin gjeneratat e reja mësuesit dhe arsimtarët e tyre, me sy të njëjtë siç i shihnim dhe nderonim ne dikur? Diçka megjithatë ka ndryshuar, por çka? A kanë ndryshuar njerëzit apo sistemi e ka fajin? Sa shumë pyetje na koklaviten në kokë, tani kur duhet të jemi të kënaqur me misionin tonë të suksesshëm?

Të jesh idealist është vërtet motivuese por të jesh edhe realist dhe të shohësh anën tjetër të realitetit është nganjëherë edhe dëshpëruese, por vetëkriticismi intelektual është edhe i shëndoshë dhe shtytës për të kundërshtuar padrejtësitë shoqërore. Dhe nëse këtë nuk e bën mësuesi dhe intelektuali, kujt tjetri i mbetet ta bëjë këtë? Mu prej tij pritet ta thotë zëshëm të vërtetën, sado që e hidhur dhe frustruese që të tingëllojë ajo për veshët e të tjerëve?

Jehona e të vërtetës ka hasur përherë në veshë qe s’kanë dashur të dëgjojnë, në sy që s’kanë dashur të lexojnë dhe në mendje që s’kanë dashur të kuptojnë! Por kjo nuk ka qenë dhe nuk është edhe sot arsye për të heshtur, sepse heshtja është dorëzim dhe pranim i dështimit. Edhe heshtja për standardin jetësor të mësuesit, i cili ballafaqohet me pamundësinë ekonomike për të ‘arsimuar; fëmijët e vet, kur njëkohësisht po arsimon dhe edukon për ditë fëmijët e botës, është bërë tashmë më e zëshme se kurrë!

Prandaj, mësuesit dhe nxënësit e tyre kanë arsye jo vetëm për të festuar dhe për të kujtuar kontributin e tyre shoqëror, por kanë edhe arsye për të protestuar për trajtimin e tyre ekonomik që atyre ua bën sistemi dhe shoqëria.

Kjo për shkakun se sistemi i ka katandisur ata që të detyrohen të bëjnë një punë të dytë madje edhe fizike që nganjëhere s’duket aq dinjitoze, por është i detyruar ta bëjë këtë, sepse këtë ua kërkojnë fëmijët e tyre, të cilët gjithashtu duan të kenë “ajfona” prej më të shtrenjtëve si shokët e tyre, të cilet duan të vishen dhe duken bukur, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre, sepse edhe fëmijët e tyre duan njëlloj si fëmijët e afaristëve dhe ‘politikanëve’ të suksesshëm dhe të afërt me pushtetin, të shkojnë ne universitet me vetura te shtrenjta dhe luksoze!

Si mund t’ia sigurojë mësuesi fëmijës së vet, një jetë së paku mesatare dhe modeste me një rrogë të afërt me rrogën minimale të punëtorit të krahut, dhe njëkohësisht të mos protestojë zëshem për këtë derexhe në të cilën e kanë sjellur mu nxënësit e tyre të deridjeshëm por jo edhe aq të shkëlqyeshëm, të cilët mangesinë e profesionalizmit të tyre, e kanë zëvendësuar me shkathtësinë e dallaverizimit dhe të servilizmit për të depërtuar në jetë, përkrah pushtetarëve të “mëdhenj”, por të pangopur, të cilët po kujdesen vetëm për mirëqenien e rrethit të tyre të ngushtë, dhe aq u bën për standardin e klasës së mesme.

Klasën e mesme në fakt e kanë detyruar të struket në një qoshe, të merret me vetveten, dhe të mos bëzaj për dështimet e tyre politike, sepse mund t’u ndodhi edhe më keq, sepse nëse e çon shumë “kokën” mund ta humbi edhe atë standard të vogel dhe modest që ia siguron rroga e një arsimtari, dhe moz o ma keq, të përfundojë rrugëve, i përulur dhe i nënçmuar nga po ata të cilët kishte “guximin” vetëm t’i këshillonte dhe t’i qortonte nga pozita e tij e mësuesit të popullit.

Pastaj ata ta i dijnë vetë punët e tyre, dhe çdo këshillë dhe qortim i mësuesit, mund të konsiderohet si ‘sfidim’ i pushtetit, kur dihet se pushteti i ka duart e gjata, dhe secili që e sfidon atë mund ta pësojë keqas.

Çfarë paradoksi, mësuesi që deri dje s’kishte frikë aspak nga “pushtetarët” sllavë, tani duhet te ketë kujdes çka flet nga pushtetarët shqiptarë, edhe atë jo për mirëqenien e të tjerëve, por për mirëqenien e tij familjare.

Quo vadis, o magister vitae?

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button