Ivanov u përgjigjet thirrjeve të LSDM-së për dhënien e mandatit

“Pengesat për dhënien e mandatin ende nuk janë tejkaluar”, kështu u përgjigjet presidenti Gjorge Ivanov, thirrjeve të LSDM-së, që i njëjti menjëherë t’ia japë mandatin për formim të Qeverisë, liderit të partisë së tyre, Zoran Zaev, njofton Portalb.mk.

“Presidenti Ivanov ende është në qëndrimin e dhënë përpara qytetarëve të Maqedonisë më 1 mars të vitit 2017. Pengesat për ndarje të mandatit për formim të Qeverisë ende nuk janë larguar”, thuhet nga Kabineti i presidentit Ivanov për “Press24“.

LEXO: LSDM me kundërpërgjigje ndaj Ivanovit

Sipas LSDM-së Ivanov është i detyruar t’ia japë mandatin Zaevit, pasi që “Programi i Qeverisë së re reformuese e garanton unitaritetin e shtetit dhe siguron zhvillim dhe përparim të vendit”. Për këtë arsye, shtojnë nga LSDM, Ivanov është i detyruar ta respektojë Kushtetutën, t’ia japë mandatin kryetarit Zaev, i cili siguroi 67 nënshkrime për formim të Qeverisë.

Zaev të premten para qytetarëve e prezantoi programin e ri të Qeverisë së ardhshme, me qëllim që “Ivanov ta heqë alibinë për Platformat e huaja”.

Më 1 mars, Ivanov nuk ia dha mandatin Zaevit, pasi që sipas presidentit, “LSDM e ka pranuar Platformën Shqiptare e cila është e përgatitur në vend të huaj”.

Ivanov Gruevski
Gruevski – Ivanov

Ivanov thotë se me Platformën e Shqiptarëve, Maqedonia është shantazhuar dhe është peng i platformës së shtetit të huaj.

“Në vend që ta hedhin poshtë, disa menjëherë filluan që me atë të tregtojnë. Për të ardhmen e shtetit nuk mund të diskutohet. Pranimi i platformës së huaj është e dënueshme. Nga faktori ndërkombëtarë pres që ta dënojë të njëjtën”, tha Ivanov, duke shtuar që “qytetarët le të flenë rehat pasi që ai nuk do t’ia jep mandatin Zaevit”, transmeton Portalb.mk.

Ivanov njoftoi se shumica parlamentare është arritur, por sipas ekspertëve juridik, të rëndësishme janë afat dhe të respektohet neni 90 i Kushtetutës, sipas tij, është e patjetërsueshme që pushteti të jet legal dhe legjitim.

Portali “Plusinfo”, ka publikuar një informacion që sipas burimeve të tyre Ivanov pritet që të shkojë për vizitë në Australi pas 24 marsit deri më 4 prill që të takohet me diasporën maqedonase.

Sipas tyre Ivanov nuk do të ketë takim me rang të lartë, përveç ndoshta me guvernatorin e shtetit.

“Takimi  Ivanovit në Australi, mund të jetë i qëllimshëm që të mos jetë në periudhën kur duhet ta japë mandatin dhe kur do të jetë nën trysni të madhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ka dyshime se është e mundshme që Ivanov ta japë mandatin përpara shkuarjes në Australi, ndërkaq gjatë protestave eventuale përpara rezidencës së tij, ai të mos jetë prezent  në shtet”, shkruan portali.

Përndryshe, Ivanov është me një linjë me bashkëpartiakun e tij, Nikolla Gruevski i cili për gjërat e njëjta ka diskutuar me Ahmetin dhe pas mossuksesit që të arrijë marrëveshje, porositi se uniteti i shtetit ka rënë dhe se, siç tha, populli duhet të mbrohet.

Tensionet politike përcillen edhe nëpër rrugë ku simpatizantë të VMRO-së protestojnë, kundër Platformës Shqiptare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button