NJË MËSUES SI AI!

Një ditë e ftohtë janari, dimër i vërtetë, me dhëmbë, në Prishtinë. Kafeneja që mban emrin e një personi revolucionar, një majtisti që dëshironte të krijojë vetëdijen e njeriut të ri, të shtytur më shumë nga vlerat morale sesa nga cytjet materiale, “Che” (Guevara), lokal ky i frekuentuar më së tepërmi nga mësimdhënësit e kolegjit universitar “Iliria” dhe studentët. Kafe me një profesor gjakovar, Ngadhnjimin, dhe një shkupjane të martuar në Prishtinë, Arditën, për të cilën, pas ca minutash bisedë mësova se ishte mbesë e mësuesit tim të parë, Jakup Musa, tanimë i ndjerë, njeri në plotkuptimin fjalës, prind e mësimdhënës, misionar i dijes, i palodhshëm në detyrën e vet, shkollar tej-tipik i kohës së vet. Lavazza-n, gazetën dhe miqtë përpara, i shikoj, dhe mundohem që ta kthej shiritin mbrapa, të bëj një udhëtim mendor në histori, të përkujtoj çaste nga orët e tij plot dinamizëm, disiplinë, me plot pedanteri, përpikëri dhe përpjekje mbinjeriu për të na mbjellur dashurinë ndaj dijes, për në kultivuar. “Gjyshi juaj” – i them – “ishte vërtet mësues, me plotëkuptimin e fjalës… është figurë që ka mbjellë tek unë vlerat, së pari shkronjat, aktivizmin e dyshes laps-fletore, dashurinë ndaj librit dhe mësimit, pasionin për mësim, ka hapur horizontet e jetës, na e ka shenjtëruar diturinë”. Ishte i butë kur duhej, i sertë herë-herë, gjithashtu kur duhej, i përkushtuar maksimalisht që ta përcjellë atë që ishte paraparë me plan-program, i palodhshëm, prind tej prindit. Mësues Jakupi kishte një shkrim të veçantë, mbresëlënës, një bukurshkrim që në fakt fliste për mirësinë e tij si njeri. Dhe kishte para së gjithash energji dhe sinergji, motiv të veçantë “për të na bërë njerëz”. Atëbotë thuajse i gjithë rrethi i këtij profili ishte i njëjtë, i përafërt: mësuesi Shukri, mësuesi Zylfi, mësuesja Ilmije… I përkujtoj me pietet.

Dhe tani, natyrisht mendja shkon te imazhi i mësimdhënësit të sotëm, që është në krizë, një gjeneratë ku gjen edhe “dhaskallë” që vijnë në klasë me telefona të shtrenjtë e pa konspekt, pa vullnet, pa gazetë në dorë (dikur leximi i “Flakës” ishte ritual i obligueshëm me çka dalloheshin shkollarët), pa përgatitje, me komunikacion facebooku të ngjeshur, pa komunikm produktiv me nxënësit, që më shumë rrinë nëpër lokale se sa në zyrë e bibliotekë, madje edhe të tillë që vizitojnë “klubet e fatit” (bastoret), që më shumë diskutojnë për Barcelonën e Realin se sa për njësinë mësimore, që s’i njohin subjektet që i kanë para vetes. Para do kohe mediat na treguan se kemi edhe mësimdhënës që bëjnë mundje krahësh-muskujsh me nxënësit (Pejë), edhe mësimdhënëse të atilla që më shumë janë për sfilata mode se sa për zhvillim mësimi! Besoj se sikur të kthehej mësuesi im i jetës në tashtësi, me siguri se do kishte shumë gjëra për të thënë, shumë gjëra për të porositur. Do të theksonte rëndësinë e kësaj detyre fisnike, e iluminuese për kombin, do ndante përvojën e vet për t’ia kthyer shkollës statusin që duhet ta ketë në shoqëri.

Dita e mësuesit që e përcollëm, 7 marsi, le të na ndihmojë që të përkujtojmë vlerat e shkuara por edhe të përkujdesemi për jovlerat aktuale që nuk na bëjnë shumë optimistë për të ardhmen, të cilat duhet të zëvendësohen me vlera autentike. Kur flas për krizën, e kuptoj atë shumë më të gjerë se sa ajo e shkollës fillore; ajo i ka përsfhirë të gjitha ciklet, edhe shkollimin e mesëm, edhe atë të lartë. Aty e fus edhe veten. Të përkujtojmë se sipas hulumtimit që kemi  realizuar në korrik-gusht 2016 me 449 studentë të katër universiteteve shqiptare (Maqedoni, Kosovë, Shqipëri), vetëm 17.4 %-shi kanë deklaruar se ka përputhje mes fjalëve, ligjëratës nga njëra anë dhe praktikës –jetës së mësimdhënësve-profesorëve në anën tjetër. (Pajaziti et.al., 2017) Për pasojë, duhet trazim nga letargjia dhe gjumi që na ka kapluar, duhet frymë e re, ndryshime rrënjësore në sferën e arsimit.

Një thënie profetike mëson se ka edhe njerëz të pavdekshëm, të gjallë përherë: donatori në bamirësi, ai që ka lënë trashëgimtar të mirë dhe njeriu që ka lënë pas vetes dituri nga e cila shfrytëzohen njerëzit. Te çdo njeri mbeten të gjalla kujtimet dhe sekuencat e takimeve me të tjerët, në veçanti ato me njerëzit me të cilët kemi pasur kontakt me vite, mes tyre edhe ata të shkollës dhe të katedrës, në procesin edukativ dhe arsimor, të cilët nguliten në personalitetin tonë, të cilët janë pjesë e jona, pasqyrim i të cilëve jemi ne me bagazhin dhe bontonin tonë. Zot! Bëre mësuesin tim nga parajsorët! Shpërbleje për çdo shkronjë të mësuar, për çdo këshillë dhe vërejtje, që gjithnjë kanë pasur qëllim fisnik, të na bëjnë qenie me karakter, qytetar, prind, profesionist të mirë, të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, të dobishëm për kombin e më gjerë! Nganjëherë idetë për të shkruar vijnë edhe nga takimet e rastësishme, si ky i “Che-së” që na inicoi të përgatisim këtë shkrim “in memoriam”, në përkujtim të një individi që meriton respekt dhe lutje, që për mua është rol model. Dhe duke e përmbyllur këtë shkrim, për t’u konsultuar, te tavolina e punës mbërrin vajza ime më e vogël, Suhejla, me librin e “Gjuhës shqipe” të klasës së pestë, duke m’i treguar “Fjalët e Qiririt” të Naimit – që i mëson përmendësh – ku mes tjerash gjejmë edhe fjalët e mëposhtme me vlerë të çdokohshme, që përshkruajnë deontologjinë e mësimdhënësit, që duken sikur janë shkruar për mësuesin tim:

“Në mes tuaj kam qëndruar

E jam duke u përvëluar

Që t’ju ap pakëz dritë

Natën t’jua bënj ditë

Se më kënda t’ju bënj mirë

Të mos mbeti n’errësirë

Unë dua njerëzinë

Mirësin e urtësinë!

Kam qenë mik me njerinë

Andaj i di e më dinë.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button