АNALIZË: Numrat e ekonomisë së Maqedonisë nuk janë aspak të mira!

Paqartësia, e plotësuar me optimizmin “e fryrë”, e mori tatimin e tyre në ekonomi. Rritja e Prodhimit të brendshëm bruto prej 2,4 për qind në vitin 2016 paraqet zvogëlim në krahasim me vitin 2015, kur ishte 3,8%, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.Sipas një pjese të ekonomistëve, numrat e këtillë ishin të pritshëm gjatë vitit i cili kaloi si rezultat i paqartësisë politike, mirëpo njëkohësisht, ajo që brengos është se në vitin 2016 ngarkesa me borxh e arriti nivelin më të lartë.

Paqartësia vazhdoi edhe në vitin 2017…

Eksporti është rritur për 11,5% ndërsa importi për 7,6%. Në vitin 2016, ka rritje edhe të konsumit përfundimtar për 3,7%, mirëpo në nivel vjetor investimet bruto u zvogëluan për 4,7 për qind. Në fund, sipas të dhënave të fundit të publikuara të Entit për statistikë, viti i kaluar përfundoi me rritje prej 2,4 për qind. Sipas një pjese të ekonomistëve, këta tregues janë të pritshëm duke pasur parasysh paqartësinë e krizës politike, e cila shkaktoi përmbajtje edhe te investuesit e huaj edhe te ata të vendit.

“Është e qartë se paqartësia vazhdoi edhe gjatë vitit 2017. Qeveria projektoi rritje që do të sillej rreth 3 për qind, mirëpo këto përqindje nuk kanë aq domethënie të madhe për ekonominë tonë. Është me rëndësi të sigurohen përqindje të qëndrueshme të rritjes që nuk do të mbështeten vetëm në një sektor. Nëse flasim për modelin e investimeve të huaja, i cili u promovua si bartës për ekonominë, atëherë çështje kyçe është se sa ato investime të huaja krijojnë vlerë të re dhe cili është ndikimi i tyre në ekonominë reale” – thotë për Portalb.mk akademik Abdylmenaf Bexheti.

Sipas treguesve të rinj, vitin e kaluar, në numër absolut, PBB-ja sipas metodës shpenzuese sipas çmimeve aktuale ka qenë 9,8 miliardë euro, apo 4.768 еuro për kryebanori. Mirëpo, një pjesë e ekonomistëve tashmë një kohë të gjatë debatojnë në lidhje me atë se sa qytetarët realisht disponojnë me këto para.

“PBB-ja për kryebanori e vlerëson fuqinë ekonomike të popullatës. PBB-ja për kryebanori është rreth 370 еuro në muaj, që do të thotë 1.500 еuro në muaj për një familje katër-anëtarëshe? PBB-ja i përfshin edhe profitet e firmave, edhe amortizimin që ato e paguajnë për investimet e tyre, edhe shërbimet të cilat shteti ua ofron qytetarëve pa paguar ata për këto nga xhepi i tyre (siguria, shëndetësia, arsimi). Prandaj, ka dallim të madh ndërmjet PBB-së dhe të ardhurave që janë në dispozicion të popullatës (gjegjësisht të ardhurave që njerëzit i marrin në dorë). Të ardhurat që janë në dispozicion janë shumë më të ulëta, rreth 50-60% të PBB-së, gjegjësisht rreth 2.500 euro për kryebanori” – vlerësoi për Portalb.mk para do kohësh ekonomisti Branimir Jovanoviq.

Përndryshe, përqindja më e lartë ekonomike është matur në vitin 2007 edhe atë 6,5%. Praktikisht, ky është niveli më i lartë i matur i rritjes ekonomike prej vitit 1993. Sipas të dhënave të institucioneve kompetente, vendi gjatë gjithë kësaj periudhe nuk arriti që të ketë rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ekonomike. Në fakt, gjatë këtyre 24 viteve, madje gjashtë vite janë në shenjë krize, me përqindje negative të rritjes ekonomike.

Sipas parashikimeve të Bankës Popullore, këtë vit pritet që rritja ekonomike të jetë më e madhe se 3 për qind.

“Në përgjithësi, vlerësohet se gjatë vitit 2016 ekonomia vazhdon të rritet, ndërsa përqindja e rritjes është e afërt me rritjen e pritur prej 2,3% në përputhje me projektimin e bërë në tetor. Rritja e projektuar e PBB-së për vitin 2017 dhe 2018 është 3,5% dhe 3,7%, respektivisht, me ç’rast pritet që bartës kryesorë të rritjes të jenë sektori eksportues dhe investimet, ndërsa efekte përcjellëse pozitive do të ndjehen edhe në tregun e punës dhe në konsumimin e amvisërive” – thonë nga Banka Popullore, mirëpo duke i potencuar edhe rreziqet:

“Rreziqet rreth realizimit të skenarit të këtillë makroekonomik nuk kanë ndryshuar dukshëm në krahasim me projektimet e tetorit dhe kryesisht kanë të bëjnë me ambientin e paqartë në vend, në kushte kur kriza politike akoma nuk është zgjidhur, e poashtu të pafavorshme janë edhe rreziqet nga mjedisi i jashtëm” – thuhet në raportin e ri të BPM-së.

Në tremujorin e katërt të vitit 2016, rritje më e madhe është regjistruar në këto sektorë: në ndërtimtari prej 28,5%, pastaj në veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike, si dhe në veprimtaritë administrative dhe shërbyese ndihmëse prej 9,8% dhe në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkatarisë prej 1,8%.

Sipas analistit Zoran Vitanov, Maqedonia në tetë, nëntë vitet e fundit dyfish e ka rritur buxhetin, ndërsa rritja mesatare ekonomike ka qenë diku rreth 3 për qind.

“Ne gjatë viteve të kaluara kemi krijuar buxhete shumë të mëdha, të cilët nuk kanë qenë të shoqëruar me përqindje adekuate të rritjes ekonomike. E njëjta ndodh edhe me buxhetin e sivjetshëm. Ekonomia e Maqedonisë realisht ka nevojë për rritje ekonomike prej 12% në periudhë prej 10 vitesh që të mund ta përballojë një buxhet kaq të madh pa marrë hua. Sqaruar në mënyrë të thjeshtë, nëse tani harxhoj 1.000 euro, ndërsa vitin e ardhshëm planifikoj të harxhoj 2.000 euro, mirëpo rroga më rritet vetëm 4%, prej ku do ta siguroj mungesën e parave, përveç se nëpërmjet kredisë. Kjo tani është duke ndodhur me ekonominë tonë” – thotë për Portalb.mk ekonomisti Vitanov.

Këtë vit, partitë në pushtet, BDI dhe VMRO-DPMNE, tashmë janë duke e harxhuar buxhetin më të madh deri tani prej 3,3 miliardë euro me rritje të projektuar prej 3 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button