LEXIMI dhe të tjerat

Lindita Kadriu

Lindita Kadriu

Fuqishëm besoj se më shumë lexues don të thotë shumëçka më tepër për një shoqëri.

Shumica e çerdheve për fëmijë nuk kanë aspak libra. Librat e ilustruar fillojnë prej 20 denarëve – aq kushtojnë ca të formatit të vogël me shqipe të kulluar dhe ilustrime atraktive. Nëse një komunë minuson vetëm një drekë zyrtare s’do të mbetej çerdhe në territor të saj pa rrafte plot libra.

Gjatë vizitës në Finlandë e cila ka shkallë më të lartë lexueshmërie në botë, ishim mes tjerash në bibliotekat publike enkas të dizajnuara për fëmije, me ambiente përrallore, dhe në ato speciale për tinejxherë ku kishte edhe CD me filma dhe koncerte. Nëse disa kthina në bibliotekat publike redizajnohen, e që mund të bëhet lirë dhe mirë, dhe pasurohen me libra interesantë për fëmijë dhe të rinj, shtoja kësaj edhe një marketing medial që bie në sy, nuk mund të mos ketë më tepër gjallëri në këto institucione që sot duken si të panevojshme. Prindërit mund të motivohen të donojnë librat me të cilët i kanë rritur fëmijët e vet. Kyçja e komunitetit lokal është më shumë se sa ulje e kostos dhe përbën vlerë të shtuar për gjithçka që planifikohet dhe realizohet.

Në çfarë halli janë bibliotekat e shkollave fillore dhe të mesme? A hyjnë nxënësit aty përveç për lektyra? Pse nuk u afrohen (edhe) libra që do të donin ti lexonin: bestselerë, tituj të popullarizuar, biografi të sportistëve që ata i adhurojnë. Kur të mësohen të jenë me libër pastaj më lehtë rritet kultura e leximit. Tash për tash mund të imagjinojmë sa përqind e nxënësve do ishin përgjigjur se leximi është punë koti.

Një pjesë e kafeterive dhe çajtoreve të furnizuara me shtyp ditor dhe javor do zmadhonte poashtu nevojën dhe qejfin për lexim. Njëherit edhe hijeshinë e ambientit. Le të tingëlloj eskizaman, por pamje më të mirë japin njerëzit me sytë në gazetë se sa me gishtat në ekran e që, me thënë të drejtën, hala më duken si të dalë nga Matriksi.

S’është e vështirë të supozohet numri i nxënësve të cilët s’kanë parë një ekspozitë apo koncert klasik shumica e të cilëve janë falas, s’kanë idenë se ku ndodhen muzeumet e qytetit dhe nuk kanë shkelur në teatër apo kinema. Vizitat e organizuara në institucionet e kulturës do të kishin qenë mënyrë direkte dhe efektive për krijimin e publikut të ri. Atë që ndoshta nuk e ka bërë familja, mund ta bëjë shkolla, me vullnet dhe pak ose aspak para. Për këtë mjaftojnë disa arsimtarë me elan, ndonjëherë bile vetëm një i apasionuar pas nxënësve dhe artit. Dhe sÇka si mos të ketë rezultate.

Pasi mungesa e preferencave kulturore më shumë është mungesë e mundësisë së dhënë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP