Shtyrja e zgjedhjeve lokale është krim kundër decentralizimit

Subjektet e njëjta që kërkojnë mbështetje të pakusht për platformën nga secili shqiptar, pranojnë shkeljen e paskrupusht të njërës nga pikat kyçe të asaj platforme – decentralizimin

Decentralizimi – tema ku të gjithë pajtohen. Në letër vetëqeverisja lokale është temë ku unanimisht pajtohen të gjithë subjektet politike, pushtet e opozitë, shqiptare e maqedonase. Në realitet nuk ka temë tjetër që tregon më së miri hipokrizinë apo paaftësinë e politikanëve si kjo çështje. Decentralizimin është temë e preferuar e gjithkujt; atë e gjejmë nëpër platforma zgjedhore, programe qeveritare, raporte progresi europiane, madje ai ka gjetur vend të rëndësishëm edhe te deklarata paszgjedhore e partive shqiptare. Nga njëra ana askush asnjëherë nuk është kacafitur për çështje të decentralizimit, çdokush pranon se ai është proces i rëndësishëm, i nevojshëm e i dëshirueshëm, një standard europian për të cilin s’ka mosmarrëveshje. Nga ana tjetër ai flaket tutje poaq unanimisht, sapo të vijë puna te ndonjë çështje praktike. Decentralizimi dakordohet pa mospajtime, ai poashtu shkelet rëndë pa mospajtim.

Kështu është puna edhe me shtyrjen gjithnjë e më të sigurtë të zgjedhjeve lokale. Decentralizimi ishte njëra nga pikat kyçe të platformës së partive shqiptare, që u pranua pa fjalë si nga VMRO-ja, ashtu edhe nga LSDM-ja. As në sulmet e egra kundër platformës të nacionalistëve maqedonas, pika rreth decentralizimit asnjëherë nuk u kontestua. Por sapo erdhi puna që në tavolinë erdhi çështja e zgjedhjeve lokale, duket sikur të gjithë njëzëri u pajtuan se ato duhet të shtyhen. Ky vendim skandaloz po kalon në heshtje, me miratim të secilit. Nuk ka as një zë të vetëm që të del e t’a kundërshtojë.

Sepse le të kuptohemi, shtyrja e zgjedhjeve lokale është shkelje flagrante e konceptit të decentralizimit. Në teori dhe praktikë pushteti qendror dhe pushteti lokal janë gjëra krejtësisht të ndryshme. Në hierarkinë e pushtetit ata qëndrojnë paralelisht dhe jo njëri mbi tjetrin. Legjitimiteti i pushtetit lokal buron direkt nga qytetarët në zgjedhje; kryetarët dhe këshillat e komunave nuk janë të deleguar të pushtetit qendror, por të zgjedhurit e banorëve të komunave të tyre. Andaj pushteti lokal nuk guxon të vihet nën direktivat e qeverisë e parlamentit, sepse kështu shkelet vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhje lokale.

Pikërisht shprehjen e këtij vullneti tani e pamundëson pushteti qendror. Sipas ligjeve e kushtetutës, zgjedhjet lokale duhet t’i shpallë kryetari i parlamentit. Pasi parlamenti nuk ka kryetar, atëherë rrjedh se nuk ka kush t’i shpallë zgjedhjet lokale dhe ato duhet të shtyhen. Pasi pushteti qendror ka probleme, duhet pra përkohësisht të suspendohet edhe vullneti i banorëve të komunave për të zgjedhur pushtetin e tyre të preferuar lokal.

Dhe këtë logjikë të mbrapshtë, që kthen kokëposhtë të gjitha principet e decentralizimit, e pranon pa zë secili subjekt politik. Të njëjtët që shkumohen e betohen në decentralizim, që e kanë vënë madje në platformën për të cilën tani kërkojnë përkrahje të pakusht nga çdo qytetar shqiptar i Maqedonisë, pa ata nuk hapin gojën as për të shprehur një kundërshtim sado simbolik ndaj shtyrjes së zgjedhjeve lokale. Vënien dorë të pushtetit qendror mbi atë lokal ata e pranojnë si të domosdoshëm, të pakundërshtueshëm, mbase pasi shpresojnë se vetë do të jenë së shpejti pjesë e atij pushteti qendror.

Nuk do mend se pjesa kryesore e fajit bie mbi ligjin idiotesk që përcakton se zgjedhjet lokale duhet t’i shpallë pushteti qendror. Nëse vërtetë ju ha palla për decentralizim dhe nëse vazhdojnë të thirren në atë copë platforme, subjektet politike menjëherë duhet të kërkojnë ndryshimin e këtij ligji. Siç qëndron tani ligji thotë që zgjedhjet lokale duhet të mbahen në javën e parë ose të dytë të muajit maj, çdo katër vjet, kur të vendosë kryetari i parlamentit. Ligji i ri duhet të përcaktojë këtë datë me saktësi dhe të bëjë që zgjedhjet të shpallen me automatizëm. Analog me traditën amerikane zgjedhore, duhet të përcaktohet që zgjedhjet lokale do të mbahen të dielën e parë të majit, një herë në katër vjet. Ato do të konsiderohen të shpallura me automatizëm dy muaj më parë. Në këtë datë KQZ dhe institucionet tjera automatikisht duhet të fillojnë procedurat e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë. Ato në asnjë mënyrë nuk duhet të mbahen më herët apo të shtyhen. Më së paku duhet të mbahen kur t’i kujtohet kryetarit të parlamentit.

Në të kundërtën zgjedhja përsëri do të vijë nga qytetarët. Nëse zgjedhjet lokale shtyhen deri në pafundësi, ka gjasa që iniciativa të ndryshme qytetare, nëprë komuna të ndryshme, me referendum të kërkojnë shkarkimin e kryetarëve aktualë dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në kohë. Kjo është e drejtë e pakontestueshme e votuesve. Ata nuk kanë asnjë obligim të presin tekat e pushteti qendror për të caktuar se kur dhe si mund të zgjedhin përfaqësuesit e vetë lokalë.

Është mirë që për këtë të vetëdijësohen edhe partitë parlamentare, qofshin të pushtetit apo opozitës. Ata duhet të dijnë se kanë marrë mandat për përfaqësim në nivel qendror dhe jo nivel lokal. Prej tyre më së paku pritet që të sillen si sulltanë që do diktojnë nga lartë se si duhet të venë punët poshtë. Shtyrja e zgjedhjeve lokale është krim i vërtetë kundër konceptit të decentralizimit, me të cilin ata e kanë gojën plot. Nëse nuk e kuptojnë këtë së shpejti, qytetarët mund të detyrohen të marrin vetë hapat e nevojshëm.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button