Paskal Milo: Maqedonia e paplotë pa shqiptarët, Rusia po tenton të ndërhyjë në Ballkan

Paskal Milo, kreu i Partisë Social-Demokrate, gjatë një interviste ka komentuar krizën në Maqedoni, si dhe situatën aktuale në Kosovë. Milo është shprehur se bashkëjetesa me shqiptarët, ka qenë dhe do të mbetet gjithnjë një faktor përcaktues për Maqedoninë dhe se tani ky shtet po kërkon të pengojë krijimin e një qeverie që do të rishikojë marrëdhëniet me shqiptarët, njofton Portalb.mk.

“Refuzimi i Presidentit Ivanov ka një prapavijë politike. Ai u zgjodh President me ndihmën e partisë VRMO/DPMNE. Asnjëherë nuk kanë dashur që shqiptarët të kenë të drejta të barabarta kushtetuese me popullin maqedonas. Tirana është sjellë në mënyrë moderne dhe ka dhënë mesazhe paqeje, mirëkuptimi, dhe nëse Tirana ka luajtur një rol këshillues për partitë shqiptare atje, kjo është në të drejtën e vet. Sepse kujdesen për shqiptarët kudo që ata jetojnë. Qeveria shqiptare ka bërë detyrën e vet. VRMO/DPMNE kërkon të mbajë pozitat që gjithnjë ka pasur, për rrjedhojë se dështoi me faktorët politikë shqiptarë, tani kërkon që të pengojë krijimin e një qeverie që do të rishikojë situatën e shqiptarëve,” është shprehur Milo.

Njëkohësisht ai deklaroi se bashkëjetesa me shqiptarët në Maqedoni ka qenë edhe do të ngelet faktor përcaktues. Gjithashtu Milo tha se kohët e fundit Rusia po ndërhyn në Ballkan për të shtrirë edhe më gjerë pozitat e saj.

“Që kur Maqedonia u krijua si shtet, ka qenë shtet i dobët. Gjithnjë ka qenë dhe mbetet faktor përcaktues për Maqedoninë, bashkëjetesa me shqiptarët. Kjo rrezikohet kur shqiptarëve do t’u mohohen në mënyrë të vazhdueshme të drejtat në Maqedoni. Ka kohë që Rusia është duke synuar të ndërhyjë fort në Ballkan dhe i ka të gjitha mundësitë. Ka traditën historike të saj dhe patjetër që duke qenë se BE u angazhua me problemet e krizës së brendshme, duke qenë se SHBA u tërhoq nga Ballkani, dhe kriza është evidente në Europë, Rusia përfitoi nga kjo krizë dhe po ndërhyn në rajonin e Ballkanit për të forcuar pozitat e saj. E ka nisur me Serbinë, me Malin e Zi”, ka thënë ish-ministri i Jashtëm, Milo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button