Kosovë: Konfiskohen mbi dy milionë euro të dyshuara si të falsifikuara

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës konfiskuan mbi dy milionë euro, para të gatshme, të dyshuara si të falsifikuara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Policia e Kosovës thuhet se gjatë kontrollit të Policisë kufitare të Kosovës në Vërmicë (e cila ndodhet në kufi me Shqipërinë) me zyrtarët doganorë, të një automjeti taksi me targa të Shqipërisë, në bagazh të automjetit në një çantë, në brendësi të saj janë gjetur paketime të ndryshme kartëmonedhash të dyshuara si të falsifikuara me vlerën e: 500, 200, 100 dhe 50 euro. Po ashtu, së bashku me to është gjetur edhe letër e paketuar dhe e prerë në dimensione që i përgjigjen masës së kartëmonedhave: 500, 200, 100, 50 euro.

Sipas policisë automjeti drejtohej nga B.D, mashkull, shtetas i Shqipërisë dhe për pasagjer kishte një person me inicialet F.B-në, mashkull, shtetas i Kamerunit, me leje qëndrimi në Francë.

“Pas numërimit të kartëmonedhave të falsifikuara, rezulton të jenë: dy milionë e njëqind e tridhjetë e një mijë (2.131.000) euro, si dhe dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre (2733) copë letër e bardhë që do të përdorej për përpunim e kartëmonedhës 500 eurosh. Policia si provë materiale ka konfiskuar kartëmonedhat e dyshuara si të falsifikuara, si dhe tetë shishe me preparate kimike që përdoren për falsifikim, tri folija alumini, një pako doreza plastike, dy shiringa, dy pasaporta të Kamerunit, një patentë shoferi dhe një leje qëndrimi për në Francë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit të shtetit – Departamenti i Krimeve të Rënda në Prizren dy të dyshuarit janë dërguar në paraburgim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button