Epitaf për vendin e çudirave

Nuk ka asgjë më të natyrshme se dashuria ndaj gjuhës së nënës. Kjo vlen në veçanti për ata të cilëve u mohohet barabarësia gjuhësore, siç ndodh aktualisht në vendin e çudirave, të prirë nga liliputë të tebdilosur në perandorë superfuqishë.

Gjuha është qytetërim, identitet, amanet hyjnor, kujtesë e së shkuarës, ditë e bardhë e së ardhmes, vitore që pengon derdhjen e energjive në kontot e atyre që duan t’na pjekin në komora gazi, engjëll mbrojtës nga përçarjet në vija krahinore, dialektore, fetare…, kështjellë pa alternativë tjetër mbijetese në cepe shkretëtirash të mbarsura me djaj.

Këtë mësim e dinin Rilindësit e bërë kurban në themelet e gjuhës dhe shkollës shqipe, që zgjoi mendjet dhe shpirtërat e fjetur, ngjalli nga hiri kujtesën e së shkuarës, mundi komleksin e rajës së përshtatshme për nëpërkëmbje, mbolli dëshirën për të zënë hapin e humbur në vorbullat e historive tragjike, përhapi idetë qytetëruese, ndërgjegjësoi  shqiptarët se nuk janë të lindur për t’gjallue si shtazë, po për të ndjekë virtyt e dituni

Themelet e gjuhës sonë janë njomur me gjak martirësh të flijuar vetëdijshëm në dhëmbëzorët e pushteteve satrape, që e kishin zët shqiptarin zot të vetvetes. Janë të rralla gjuhët e botës që janë ballafaquar me sakrificat dhe martirizimin e gjuhës dhe shkollës shqipe. Këtë e pohojnë historianët e dekurajuar shqiptarë për shkak të denigrimit të vazhdueshëm të mashave të hallkut, që, me pretekste mjerane, i konsiderojnë të rreme të vërtetat e tyre. E them këtë, për ta nënvizuar të dhënën se nuk ekziston asnjë komb që lejon t’ia shkruajnë historinë të tjerët, ndaj këtë nuk duhet ta bëjmë as ne. Në të kundërtën, do ta kemi me probleme edhe të ardhmen, si gjithë ata që nuk marrin mësime nga e shkuara, duke lejuar kësisoj përsëritjen e tragjedive të saj.

Armiqtë e gjuhës dhe shkollës sonë e njihnin dhe e njohin mirë vullkanin e fjetur shqiptar. Ata e dinin dhe e dinë se, për ta nënshtruar e poshtërruar një komb, fillimisht duhet t’ia përbuzish gjuhën – t’ia kufizosh atë, t’ia kontrollosh sistemin arsimor ose ta lëshë pa shkollë fare, ta tjetërsosh nga tiparet identitare, t’ia shuash frymën etnike,  t’ia shpëlash trurin, ta komplekësosh, ta satanizosh përpara botës, ta dekompozosh nga brenda, t’ia mohosh vlerat dhe virtytet, t’ia pengosh vrullet, t’ia zhbësh të kaluarën, t’ia vrasish të ardhmen, ta gjymtosh pariparueshëm, t’ia thyesh shtyllën kurrizore, t’ia përvetësosh personalitetet historike që e bëjnë etninë , t’ia mbjellish me sistem shpirtin e rrobit, ta bësh ta urrejë vetveten, ta bësh të turpërohet nga paraardhësit – nga fisi, fara dhe gjaku, ta bësh të varur prej pushtuesve, ta nxisish ta braktisë atdheun…, sepse vetëm kësisoj mund të kalërosh pastaj mbi shpinën e tij, ta trajtosh si qenie të retarduar, që humbet orientimin posa të pushosh ta mbash për dore.

Për ta kuptuar këtë nuk është e thënë të jesh intelektual, historian, studiues… Problemi është i thjeshtë: gjuha shqipe po gogolizohet nga krerët aktualë të Maqedonisë, po shndërrohet faqe botës në casus belli, në vrimë të zezë që mund të na përthithë të gjithëve dhe që mund ta bëjë të denjë për epitaf vendin e çudirave.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. “…kështjellë pa alternativë tjetër mbijetese në cepe shkretëtirash të mbarsura me djaj”
    Brilante kjo mik i nderuar Fatmir!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button